Këtë herë vendosim ne!

106

ANISA MARKARIAN

Nuk jam arkitekte. As inxhiniere ndërtimi. Nuk jam eksperte në restaurimin e godinave të vjetra e akoma më pak specialiste në lëmin e historisë dhe të kulturës kombëtare. Jam thjesht, një gocë Tirane.

Dëmtimet e godinës së Teatrit Kombëtar për shkak të moskujdesit prej shumë dekadash, s’besoj se ua tejkalojnë atyre të katedrales Notre Dame të Parisit të shkaktuara nga zjarri. E megjithatë, askush nuk mendoi se katedralja duhej prishur e rindërtuar nga e para. Më e lartë, më e fortë dhe moderne (!). Në pak javë, falë valës së solidaritetit që përfshiu Francën dhe botën mbarë, u mblodhën qindra miliona euro për ta ndrequr. Ndër dhuruesit bamirës edhe Qeveria Shqiptare…

S’mund të krahasohet Teatri me Notre Dame, do të më thoni. Po, po, mund të krahasohet. Mjafton të gjendet këndvështrimi i duhur. Me dashamirësi, ama. Teatri dhe Katedralja janë që të dy simbole të fuqishme. Secili në mënyrën e vet e sëbashku në mënyrën më të thjeshtë që ekziston. Simbolizojnë besimin dhe qëndresën.

Lexoj e dëgjoj shpesh të thuhet: ku ishit ju kur u shembën apo u plaçkitën fabrikat dhe uzinat e vendit? Ku ishit ju kur u copëzua Kinostudio «Shqipëria e Re»? Përse askush nuk e ngriti zërin kur u prish stacioni i trenit, stadiumi, hotel «Vjosa», kinematë «17 Nëntori» e «Republika»… e sa e sa pasuri të tjera arkitekturore, kulturore e historike të Tiranës sonë?

Është e vërtetë. Nuk ishim. Nuk u revoltuam. Nuk qëndruam…

Të zënë me kushedi ç’punë të ngutshme apo hall për të zgjidhur; të vonuar kushedi në ç’zyrë për të pafundmin aplikim absurd ose, thjesht, të sfilitur nga mundi i përditshëm për t’u mbijetuar ligjeve të egra të xhunglës neokapitaliste, i lamë të shkallmoheshin, të shiteshin, të ndaheshin thela-thela.

Dhe na mbuloi betoni…

Tirana festoi përpara pak muajsh 100-vjetorin e kryeqytetarisë së saj. Ç’simbole lamë në këmbë e po mirëmbajmë për t’i dëshmuar vetes, fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë, që nuk lindëm sot?
Mos vallë në emër të verbërisë, memecërisë dhe mefshtësisë që na kapluan gjer këtu duhet të kthejmë kokën mënjanë e të ulim zverkun me lepe e me peqe ndaj mësymjes çnjerëzore e antipatriotike që i bëhet çdo ditë e çdo minutë të shkuarës sonë nga kasta e të pangopurve? Synojnë të na përdhosin identitetin tonë qytetar. Më keq akoma! Të na e zhvoshkin historinë shtatit si të mos kishim jetuar kurrë. Sikur të ishim të porsa(ri)lindur…

A mundemi kësaj radhe të arsyetojmë pozitivisht e t’i themi vetes që, pikërisht sepse nuk e ngritëm zërin dhe nuk u rreshtuam përkrah të paepurve (një pakicë, fatkeqësisht) kur na i përdhunuan thesaret e Tiranës sonë, këtë herë s’duhet të qëndrojmë në qoshk e të bëjmë sehir? Përvoja e këtyre 70 vjetëve të fundit është tepër e hidhur për të ndenjur duarkryq.

Përtej vlerave të tij historike, arkitekturore e kulturore të cilat, e përsëris, nuk jam personi i duhur për t’i gjykuar, Teatrin tonë Kombëtar duhet ta shohim nën dritën e një vlere edhe më të madhe, edhe më të çmuar, edhe më aktuale. Nën dritën e vlerës simbolike që përfaqëson. Ky Teatër dhe sheshi përpara tij janë kthyer tashmë në simbol të qëndresës qytetare. Asaj të hijshmes e fisnikes, sipas traditës së shqiptarit. Mjafton kjo arsye për t’u bashkuar si një trup i vetëm e për t’u thënë hienave: këtë herë vendosim NE!

Rroftë Teatri!
Rrofshin qëndrestarët e ndershëm që duan qytetin e tyre!

©A.M. 16 maj 2020. E shtunë qëndrestare.