Pafuqia e një shteti!

135

Nga Dr. Av. Lulzim Alushaj

Përkufizimi i shtetit përmbledh tërësinë e organeve publike (në raste te caktuara janë edhe shoqëri të cilat janë autorizuar të kryejnë funksione apo shërbime që i përkisnin dikur shtetit) të cilat janë ngarkuar me ligj për zbatimin e tij.

Midis nesh ka njerëz që besojnë që shteti duhet të ketë një rol të kujdesshëm në ndërhyrjet e tij në sektorë të ndryshëm (liberalët) ekonomik, rregullator etj. dhe ka nga ata që e shikojnë shtetin si i vetmi entitet i cili ka detyrimin për të mbajtur nën kontroll tregun dhe të bëjë politika të tilla që të mund ti kontrollojë në zbatimin e tyre.

Mund të ketë edhe nje kategori të ndërmjetme njerëzish që shtetin e shikojnë në mës të dy rasteve të më sipër cituar. Kam përshtypjen që nuk ka asnjë kategori njerëzish të cilët të mos e duan fare prezencën e shtetit dhe që çdo gjë ta preferojnë ta zgjidhin në mënyrë naturale, pra me rregullin e më të fortit apo atë të pranimit reciprok. Ka vende të cilat si shtete konsiderohen dhe janë më liberale ka vende ku shteti është më ndërhyrës në raport me tregun dhe zbatimin e rregullave të tij dhe ka vende ku shteti merr trajtën e sistemit miks apo më keq akoma të shtetit që përshtatet.

Po të marrim dhe të shikojmë vendin tonë, të paktën në tridhjetë vitet e fundit të tij, kemi bërë një ndryshim rrënjësor për sa i përket sistemit të së drejtës dhe atij ekonomik ku nuk janë pak ligje, akte, vendime, rregullore, udhëzime të nxjerra nga moria e organeve publike në funksion të rregullimit të tregut dhe marrëdhënieve midis pjesëmarrësve në të (individë apo persona juridik). Konkretisht po marr 3 raste konkrete për ti dhënë mundësinë gjithkujt nga ne për të vlerësuar se në kë kategori vendesh e shteti (sipas ndarjes së mësipërme) hyjmë ne shqiptarët.

Aministia në fushën penale konsiston në momentin kur shteti, pasi ka dënuar më parë individët dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe është duke u ekzekututar, pushon zbatimin e dënimit për vepra penale të caktuara në ligjin e amnistisë.

Parimi i përgjithshëm i shteteve me politikë penale moderne është që, nëpërmjet dënimit, personi i dënuar të rekuperohet dhe kur të mbarojë dënimin ti “dorëzohet” shoqërisë si një person i cili është penduar për veprën penale të kryer. Amnisti të tilla në fushën penale, ndër vite, janë bërë disa dhe përfituesit e tyre janë trajtuar thjesht si statistikë e nuk dihet se çfarë kanë përfituar përgjatë periudhës së vuajtjes së dënimit apo edhe pas dhënies së amnistisë. Me këtë formulë praktikisht shteti ka zbatuar kodin penal duke vënë në lëvizje, me kosto të cilat dalin nga taksat e paguara nga gjithë taksapaguesit, policinë, prokurorinë, gjykatat, sistemin e vuajtjes së dënimit por edhe profesionet e lira duke dënuar personat përgjegjës me burgim e kosto ditore për funksionimin e sistemit të burgjeve.

Më tej po ky shtet pushon ekzekutimin e vendimeve por, duke lënë mënjanë kohën, kostot dhe institucionet e përfshira, pa mundur të sqarojë se çfarë fitoi shoqëria nga kjo politikë penale dhe më tej amnistuese. A do të ishte më e drejtë që, në aspektin ekonomik dhe të detyrimeve ndaj shoqërisë e taksapaguesve, kush përfiton nga amnistia penale të paguajë një kuotë për “shqetësimin” dhe kostot që me sjelljen e tij i ka shkaktuar shoqërisë?

Legalizimi i ndërtimeve pa leje, kjo plagë e madhe e këtyre tridhjetë viteve, tregoi se ligjet që vetë shteti aprovonte nuk ishin zbatuar kurrë në mënyrën e duhur dhe sot gjendemi përballe situates ku për një zaptim dhe ndërtim pa leje lindin shumëfish konflikte civile, administrative dhe penale duke mbingarkuar sistemin e administratës dhe kryesisht të gjykatave. Legalizimi i ndërtimeve pa leje është rasti tipik i pafuqisë së një shteti dhe tregon dështimin e një sërë institucionesh publike.

Mirë raportet dhe interesat civile midis privatëve të përfshirë në këto procese, që zgjidhen në rrugë gjyqësore, po koston që qytetarët e rregullt të këtij vendi (shumica) paguajnë për të mbajtur në këmbë me taksat edhe të tyre sistemin e organeve publike, gjyqësore e zbatuese kush e ka llogaritur? Futja në qarkullimin civil të pronave, duke rritur edhe volumin e të ardhurave të shtetit, mund të jetë argument për të mbështetur legalizimet e ndërtimeve pa leje.

Por nuk kemi ende sot llogaritjen e kostos financiare të shtetit, kohën e zënë me këto procese dhe mbingarkesën e sistemit që është krijuar dhe funksionon për një sistem ligjor ku gjithkush zbaton ligjet e tij por asnjëherë për raste masive shkeljesh (si ndërtimet pa leje) që paralizojnë funksionimin normal të institucioneve të shtetit. Si qytetari i cili nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka nevojë për institucionet e shtetit (përfshirë gjykatat), si ai që ka bërë shkelje të ligjit marrin të njëjtin trajtim, paguajnë të njëjtat kosto administrative, pësojnë vonesat, cilësinë e dobët të shërbimit etj. duke krijuar në këtë mënyrë edhe perceptimin se nuk ja vlen të jesh respektues dhe zbatues i rregullt i ligjit. Përsëri edhe në këtë rast vihet re që shteti i të gjithëve shndërrohet në shtetin e pafuqishëm, si rrjedhojë “stimulohen” veprimet e paligjshme dhe gjetja e mekanizmave të paligjshëm për përfitime personale.

Amnistia fiskale e përgjithshme është një ide që po merr diskutim kohët e fundit e po artikulohet dhe serviret si një veprim i cili do të ndihmojë ekonominë dhe, e thënë troç, nga e cila do të përfitojë shteti. Pyetjes se përse kemi nevojë të bëjmë amnisti fiskale nuk besoj se propozuesit e amnistisë i japin përgjigje kaq lehtë, më tej kush do të jenë përfituesit e aministisë fiskale, deri ne sa vlera monetare do të lejohen të aministohen, ky kapital do të amnistohet vetëm për individët apo edhe për subjektet tregtare e ortakët ao aksionerët e tyre dhe më e rëndësishmja kush do të mbikqyrë zbatimin e amnistisë fiskale.

Nuk është nevoja ta nënvizoj që, personalisht dhe për arsye që kanë të bëjnë me mungesën e forcës së shtetit, jam kundër çdo lloj ndërhyrje a posteriori në politikat fiskale por me efekt përfitimi prapaveprues duke amnistuar vlera monetare të cilat i kanë shpëtuar taksimit periodik ndër vite dhe që i kanë shkaktuar taksapaguesve të rregullt mbingarkesë taksimi si pasojë e mosdeklarimit të të ardhurave nga subjektet që tashmë mendohet të amnistohen. Edhe në këtë rast, njësoj si në dy rastet më sipër, lejohet që ligjet në fuqi të anashkalohen duke barazuar në fund taksapaguesin e rregullt dhe patriot i cili me shumë sakrifica kontribuon cdo muaj/vit në mbajtjen në këmbë të shtetit të tij me individë të cilët kapitalin e tyre e kanë mbajtur të fshehtë dhe mezi presin apo, më keq akoma, propozojnë amnistinë.

Për ti dhënë përgjigje se çfarë formë shteti kemi krijuar ndër vite, jam i mendimit që, jemi ende larg një shteti solid dhe ligjor dhe më afër formës së shtetit që përshtatet dhe kërkon të na përshtasë duke barazuar herë pas herë bashkeqytetarët që respektojnë dhe duan shtetin e tyre me të tjerë që dhe pse në shkelje të ligjit kërkojnë të marrin edhe përfitimet. Kostot financiare gjithmonë i mbeten në kurriz shumicës së ndershme në këtë vend, për të tjerat presim faljen, amnistinë, legalizimin e radhës.