Presidenca njoftoi nëpërmjet një komunikimi për shtyp, se nesër, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do te marre pjesë në orën 11:00, në ceremoninë e ngritjes së Flamurit ne Vlorë dhe më pas në 11:30 do të zhvillojë një vizitë në shtëpinë e patriotit Osman Haxhiu (Ibrahim Haxhiu, i biri) lagjja “4 Heronjtë” (Topana). Në mbrëmje Presidenti, Bujar Nishani do të organizojë një pritjen zyrtare në pallatin e Brigadave.
Ndërkaq, gjatë një konference për shtyp, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e pyetur për aktivitete e parashikuara për këtë ditë, tha se “Qeveria dhe Kryeministri kanë organizuar një axhendë të posaçme në Vlorë”.
“28 Nëntori, që është dita e 101-Vjetorit të Pavarësisë, është Ditë e Flamurit dhe për këtë qeveria dhe Kryeministri kanë organizuar një axhendë të posaçme në Vlorë. Zyra e komunikimit do t’jua bëjë të njohur këtë axhendë, e cila ka, padiskutim, në qendër të vëmendjes një datë të pashlyeshme dhe që në 101Vjetorin, në 102-Vjetorin dhe në të gjithë vitet që do të pasojnë, i mbetet kryeqytet Vlora”,- tha Kumbaro.