Të pathënat për shkollën

76

Shkolla_e_Mesme_Qemal_StafaAfrim Krasniqi
Dikur ishte 1 shtator. Tani në ndryshim nga shumica e vendeve evropiane, 1 shtatorin e bëjmë si të duam, herë 10 shtator, herë 12 shtator, këtë herë 14 shtator.
Nisja e shkollës? Një praktikë rutinë për zyrtarët dhe mësuesit, por një ditë e veçantë për ata që hyjnë për herë të parë! Secili prej nesh ka kujtimet e veta! Siç jemi mësuar që ditën e parë të shkollës politika, kamerat e TV dhe fjalimet plot retorika shabllone dhe premtime të jenë të pranishme aty, si për tu kujtuar nxënësve se fati i tyre, shkollimi i tyre, jeta e tyre varet e do varet nga politika dhe vullneti i saj! Bëhen shumë foto, veshjet e zyrtarëve janë nga më luksozet, mësueset marrin lule dhe brezat më të rritur me siguri bëjnë paradën e modeleve të fundit të telefonave! Tej emocioneve apo paradave Shqipëria meriton të mendojë sot për të paktën katër “detaje” me rëndësi për arsimin dhe edukimin e brezave të ardhshëm:
Së pari, Kushtetuta dhe ligji përcaktojnë arsimin 8-9 vjeçar “të detyrueshëm”. Detyrimi lidhet jo vetëm me ata që kanë moshën e nxënësit, për prindërit e tyre, për shkollën, por edhe për vetë shtetin, – që të krijojë politika e kushte për përmbushjen e këtij qëllimi. Aktualisht çdo vit rritet numri i nxënësve që nuk arrijnë të mbarojë periudhën e “detyrueshme” të shkollës, e braktisin ose detyrohen ta braktisin atë. Një zyrtar i lartë i MAS ka cituar më shumë se 150 mijë të rinj në 7-8 vitet e fundit! Ky alarm i madh në një vend ku çdo ditë publikohen skandale politike e financiare, nuk dëgjohet, dhe për pasojë, pakkush mendon për zgjidhjen e tij. Ja p.sh, sot, patë ndonjë politikan e shtetar të takojë një fëmijë që nuk ka mundur të shkojë në shkollë ose e ka braktisur atë? Jo, jo dhe jo!
Së dyti, cilësia e mësimit. Vetë MAS pranon se ngarkesa informuese e nxënësve tanë është shumë e lartë, sikundër nuk arrihet sa e si duhet nxitja e vetëveprimit të nxënësve në procesin e të nxënit. Kjo vjen nga raporti jo i drejtë mes ngarkesës mësimore dhe kohës mësimore në IA në dispozicion të nxënësve. Sipas vetë MAS Shqipëria mbetet mbrapa vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Serbia dhe rreth dy vjet e gjysëm shkollorë (rreth100 pikë PVNN) pas mesatares së OECD-së” dhe se formimi gjuhësor, matematikor dhe shkencor i nxënësve është dukshëm nën nivelin mesatar të formimit të nxënësve të vendeve të tjera.
Së treti, buxhetimi shtetëror për arsimin. Kur disa ministra e zyrtarë të lartë të sotëm ishin në opozitë bënin protestë e kërkonin rritjen në 7% të PBB për arsimin! Sot ata nuk dëgjohen më, sepse janë vendimmarrës. Aktualisht të dhëna për buxhetet për periudhën 2009-2015 tregojnë se ndodhemi në kuotën 4%, më e ulët sesa 6-7-8 vite më parë! KLSH raporton çdo vit se humbjet (abuzimet) në shtet janë dy herë më të larta sesa buxheti që shteti ynë harxhon për arsimimin e brezit të ri! Pa koment!
Së katërti, eksperimentet pa fund në strukturën arsimore. Fillimisht u hapën shkolla publike e private, më pas u ndryshua sistemi i mësimit nga 8 në 9 vjet, nga 1-4 në 5-9, nga 1-5 në 6-8, nga 5-8 në 6-8, provime mature dhe pa provime, etj, etj, shifra që shpesh krijojnë konfuzion por që kanë kosto në miliona euro për familjet shqiptare. Ata që eksperimentuan dhe eksperimentojnë kanë qenë e janë bashkë në parlament, pra janë shpërblyer për dështimin, asnjë nuk mbajti përgjegjësi dhe askush nuk kërkoi falje për aventurat që u bënë e po bëhen në emër të “reformës”. Ka shkolla private jashtë kontrollit, që nuk njihen nga shteti, që tregtojnë gjithçka, siç ka shkolla publike jashtë çdo standardi shtetëror e ligjor. Luftë informalitetit të berberëve? Ok. Po, përse jo duke nisur nga arsimi, tregu i dijes?
Së pesti, mund të kemi probleme me numrin e nxënësve (shumë më tepër sesa duhet për një klasë), mund të kemi probleme me mjedisin shkollor (sistemi me dy turne për shkak të mjediseve të kufizuara), mund të kemi probleme me ambientet e mësimit (mungesë laboratori, mjedise sportive, teknologjive të reja, etj).
Disa varen nga rrethanat, koha dhe mjedisi, por ne kemi dy probleme të tjera që i krijojmë vetë dhe mbrojmë me fanatizëm çdo vit dhe që kanë ndikim thelbësor në sistemin arsimor: librat dhe personeli. Librat janë e mbeten eksperimentale, abuzuese dhe larg standardit profesional. Personeli? Partitë në pushtet, të majta e të djathta, i përdorin shkollat si burime punësimi për milintatët. Ka qenë dhe është. Ju kujtohen konkurset? Bëhen pas çdo rotacioni politik dhe gjithnjë fitojnë ata që kanë teserën e partisë në pushtet! Dhe quhet “reformë, meritokraci”. Shikimi i arsimit si burim financimi e punësimi për militantët, deformon gjithçka çfarë fjala “arsim” përmban, thotë dhe përfaqëson.
Së fundi, sistemi ynë shkollor është deformuar edhe në një standard tjetër: kemi shkolla për qytetarët/publikun/popullin dhe shkolla për fëmijët e atyre që kanë pushtet/para/ndikim vendimmarrës/lidhjet e duhura. Tek të parat edhe ka mësim, tek të dytat investohet gjithçka.
Merrni deputetët dhe ministrat! Shumica i kanë fëmijët e tyre në shkollat private më të shtrenjta, në ndonjë shkollë publike ku gjithë shteti investon apo një pjesë e madhe e tyre i ka nisur në shkollat private jashtë shtetit! Mjafton kjo për të kuptuar se shkollën tonë ata e duan vetëm për ditën e parë të shkollës, që të mbajnë fjalime e bëjnë foto, si dhe për të punësuar mbështetësit e tyre politikë që të sjellin vota njëherë në 4 vjet! Për asgjë më shumë! Dhe ky është lajm i trishtë!
A ka shenja shprese? Po, ka pasur dhe ka. Janë mijëra, mijëra të rinj, vajza e djem të mrekullueshëm që kanë pasion librin dhe shkollën, dhe që me pak mbështetje, mund të jenë Shqipëria e nesërme! Jane mijera familja qe investojne gjithcka kane tek shkollimi i femijeve te tyre. Jane ne borxh financiar me te tjeret, por jo me dijen, jo me arsimimin. Problemet e sistemit shkollor i pengojnë, por nuk i ndalojnë dot. Askush, në asnjë rast, për asnjë arsye nuk ka forcë e pushtet të pengojë lidhjen e njeriut me dijen, me librin, me pasionin!