Eksploziv në banesën e biznesmenit Ermal Koka

109

EKSPLOZIV-BANESES-280x200Një shpërthim me eksploziv është shënuar në orët e para të ditës së hënë në kryeqytet, po fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:10′  të mëngjesit të sotëm në rrugën “Prokop Mima” në Tiranë, ku një sasi eksplozivi është vënë në derën e hyrjes së një apartamenti i cili ndodhej në katin e tetë të një pallati pranë kompleksit sportiv dinamo, i cili i përket shtetasit Ermal Koka.
Policia bën me dije se nuk ka persona të lënduar, ndërsa ka dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme materiale edhe në banesën me numër 37, e cila i përket shtetasit me inicialet A.P. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e vendosjes së eksplozivit, ndërsa policia po punon për të zbuluar konflikte të mundshme të pronarit të banesës, që mund të kenë lidhje me ngjarjen e sotme.
Policia e Tiranës bën të ditur se shtetasi Ermal Koka është, biznesmen i materialeve elektrike tek rruga “Siri Kodra”. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”