Publikuar Ne: 20 Qershor 2016
412 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / OPINION | By albaniaplus

Ankthi që vramë në Lion…

shqiperiNga Andi Bushati
Nëse ka një epitet që i shkon më shumë trajektores ende të pambaruar të Shqipërisë në këtë europian, ai është një ankth i tejzgjatur.
Ankth deri në fund në Lens me Zvicrën, sepse topi nuk donte të hynte, me gjithë rastet e mrekullueshme të Sadikut dhe Gashit.
Ankth deri në fund, në Marsejë, kundër Francës, duke shtrënguar dhëmbët dhe duke pritur minutën e ’90 që edhe sërisht rezultoi njësoj fatale.
Ankth deri në fund këtë të dilelë, në Lion, për të ruajtur rezultatin dhe për të mos shijuar mallkimin e zakonshëm të çasteve shtesë.
Dhe tani një ankth edhe më i madh: të presim deri të martën dhe të mërkurën ndeshjet direkte të skuadrave të tjera, për të parë nëse do të vazhdojmë garën për më tej apo jo.
Kushdo që i ka ndjekur ndeshjet e kombëtares, tifoz ose më pak i tillë, kushdo që ka pasur mundësinë për të udhëtuar drejt stadiumeve të Francës, kushdo që ka vërshuar drejt ekraneve gjigande në qëndrat e qyteteve, për tu bërë njësh me ngjyrat kuq e zi, ka provuar këtë ndjenjë torturuese.
Ajo u bë edhe më e fortë pas dy humbjeve të para.
Tifozët e të kuqve, me një traditë të trashëguar dështimesh të njëpasnjëshme, që i ka edukuar me mosbesim dhe inferioritet, i bashkuan kësaj ndjenje torturuese edhe fatalitetin e përhershëm e atij që ka sigurinë se nuk fiton në fund.
Kështu, ditët para Rumanisë, si kundërpeshë e mospërballimit të këtij ankthi të bashkuar edhe me komplekst e trashëguara nga e kaluara, ne vumë në funksionin disa klishte të turpshme që i përdorim shpesh për vetëmbrojtje.
Ngaqë nuk donim të riprovonim si gjithnjë shijen e hidhur të disfatës, filluam të krijojmë me shpejtësi mitin e ekipit të mirë, por që nuk i ecën fati.
Ngaqë nuk pranonim dot një zhgënjim të ri, rinxorëm nga arkivat slloganin se: “paraqitja dinjitoze është po aq e rëndësishme se rezultati”.
Ngaqë na trembte makthi i zakonshëm i 0 pikëve, shpikëm aty për aty kampionatin e tifozerive më të zgjedhura, për të demostruar se së paku diku kishim qenë të dalluar. Madje e ekzagjeruam deri në atë gradë sa e botuam gjithandej titullin e një gazete lokale franceze që i ftonte sportëdashësit shqiptarë të riktheheshin sërish në vendin e galëve.
Ngaqë na torturonte mallkimi i përhershëm i vendit të fundit, i kthyem në hit në mediat tona ato vajzat me dekolte të ekzagjeruara vetëm e vetëm për ti mbushur mendjen vetes se kemi gjithësesi diçka të veçantë.
Kështu, në pak ditë, dëshirën për fitore e konvertuam me klishenë e shqiptarit model për perendimorët; obligimin për rezultate që nënkupton çdo kampionat i tillë, ia nënshtruam kronikës rozë të europianit; nevojën për pikë e zëvendësuam me të qenit simpatikë.
Për ditë e më shumë po dëgjoheshin slloganet se, në këtë kampionat, bota po ndryshonte mendimin për shqiptarët, se ne nuk shiheshim më vetëm si vendi i kriminelëve, por edhe si ai i familjeve të tëra që këndonin hareshëm në stadium; se ne nuk shiheshim më si atdheu i trafikantëve, por edhe si ai i vajzave joshëse; se ne nuk shiheshim më me imazhin që na kishin lënë refugjatët që kacavirreshin nëpër litarë anijesh, por edhe ai ku një shtresë e mesme dhe e pasur i lejon vetes luksin për të paguar bileta 150 euroshe për një ndeshje.
Të gjitha këto mund të jenë ose jo të vërteta.
Por në fakt ato nuk kishin asnjë lidhje direkte me faktin se përse Shqipëria ndodhej në këtë europian.
Prezenca e futbollistëve të kuq aty nuk ishte për të luajtur rolin e një vitrine, por mbi të gjitha për të marrë pjesë në një garë e cila të detyronte të shkoje më tej.
Të gjitha fabulat dhe mitet që krijuam me shpejtësi ishin vetëm për të mos u përballur me këtë detyrim. Të gjitha legjendat që krijuam ishin vetëm për mos përjetuar sërisht të shkuarën plot disfata të njëpasnjëshme.
Por, fatmirësisht për ne kishte një grup që mendonte ndryshe.
Megjithëse së fundi ka marrë një pasaportë shqiptare, Gianni de Biassi mbetet një italian. Pjesa më e madhe e 23 futbollistëve të kësaj skuadre, as nuk janë rritur as nuk janë edukuar në Shqipëri. Vetëm dy prej tyre (portieret rezervë) luajnë sot në kampionatin shqiptar.
Pra ky ekip nuk është i mbrujtur me ndjenjën e inferioritetit dhe frikën e disfatës që i ka shoqëruar tifozët e tij në dekada. Ata janë të edukuar në perëndim, as nuk i njohin e as nuk i kanë përjetuar humbjet e dikurshme të kombëtares, as nuk janë infektuar nga fikërat e pararardhësve të tyre.
Në të kundërt ata janë brumosur me parimet bazë të atletëve modern, për të arritur tek suksesi me çdo kusht.
Ndaj atëhere kur ne filluam të thurrnim legjenda që na bënin të ndiheshim mirë, ata vazhdonin të besonin tek fitorja si tek e vetmja gjë që i nxirrte të nderuar nga fusha.
Atë e kërkuan dhe e arritën në Lion.
Me bindje, me forcë dhe pa kompleksin më të vogël të frikës.
Pikërisht për këtë duhet tu themi faleminderit.
Sepse këtë të dielë ata bënë një hap të madh për të na vrarë ankthin e humbësit të përhershëm.
Sa për ankthin tejetër, atë të çdo gare, të çdo shorti, atë të pritjes me durim të kundërshtarëve, ai do të vazhdojë.
Le të shpresojmë sa më gjatë. (Lapsi.al)

413 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok