Ngjarja e rëndë u shënua ditën e djeshme në zonën e Kënetës, pasi Përparim Hoxha dhe djali Xhuliano vendosën të prishnin kurorën me familjen e Andon Ndoj, i ardhur nga Mirdita në këtë zonë. Ka qenë mesdita e së shtunës, kur krushku kishte mbërritur nga Elbasani, për t’i komunikuar 50-vjeçarit Ndoj vendimin për prishjen e kurorës. Kjo nuk është pritur mirë nga ai, i cili fillimisht ka vrarë me 10 goditje thike krushkun e tij dhe më pas ka nxjerrë armën e gjahut dhe ka qëlluar mbi dhëndrin e tij Xhuliano Hoxha, por plumbat nuk kanë kursyer dhe një kalimtare të rastit, duke e lënë të plagosur.
Pavarësisht punës së bluzave të bardha, 52-vjeçari Përparim Hoxha, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Ndërsa, djali i tij 24-vjeçar dhe kalimtarja Nurie Shahini, ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në spitalin e qytetit bregdetar. Pista kryesore dhe e vetmja të cilët kanë blutë e Durrësit, është ajo e prishjes së martesës mes dy të rinjve.
Historia mes dy të rinjve
Xhuljan Hoxha dhe Antoneta Ndoj, kishin plot 7 muaj njohje dhe lidhje dashurie me njëri-tjetrin, ndërsa vetëm dy javë më parë Xhuljani ka vendosur ta marrë vajzën e ëndrrave të tij në shtëpinë e tij. Por, fati i keq i djalit, vetëm 24 vjeç, duket se lidhet me një dukuri shumë shqiptare, pasi ai ka vendosur që ta nisë bashkëjetesën me gruan e tij pikërisht në shtëpinë e prindërve të tij. Por, brenda këtij harku të shkurtër kohor mësohet se vajza e re ka patur shumë probleme me dy prindërit e djalit dhe kishte kërkuar me këmbëngulje që ajo dhe bashkëshorti i saj, ndonëse nuk kishin kryer asnjë rit martesor, të jetonin në një shtëpi në vete, pa dy prindërit e djalit të saj.
Mirëpo gjendja është acaruar ditëve të fundit nga këmbëngulja e vajzës për t’u ndarë me vjehrrin aq sa, pasditen e së premtes, i kanë thënë që të shkonte tek familja e saj. Madje Antonetën për te prindërit e saj e kanë shoqëruar Xhuljani dhe i ati i tij. Babai i djalit ia ka bërë prezent shqetësimin të atit të vajzës, duke i vë në dukje edhe të “metat” e vajzës, por gjithçka është lënë me aq për të vendosur në një moment tjetër. Babë e djalë kanë dalë nga shtëpia e Anton Ndojit dhe kanë ikur në shtëpinë e tyre. Pasditen e djeshme, sërish babë e bir marrin rrugën dhe mbërrijnë në shtëpinë e Ndojit. Dje kishin vendosur që vajzën e tij të mos e merrnin më në shtëpi dhe madje i kishin sjellë edhe gjërat e saj personale. Në atë moment ka ndryshuar gjithë rrjedha e jetës së dy familjeve në krushqi të pashpallur.