Vlora koncert në mbrojtje të Gjikës

54

shpetim gjikaVetëm një javë para zhvillimit të seancës së pare gjyqësore, kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika ka thyer heshtjen. Duke shfrytëzuar një aktivitet artistik të zhvilluar para teatrit të qytetit ku grupi “Aulona Folk” organizoi një aktivitet në mbrojtje të kryebashkiakut të Vlorës, Gjika hodhi poshtë akuzat duke I cilësuar ato të pabaza. “Deri në këto momente kam qëndruar në heshtje kjo nuk do të thotë se këto akuza qëndrojnë, por duke qenë njeri që respektoj ligjin dhe institucionet, sigurisht fjala ime dhe qëndrimi im do të jetë atje ku sistemi i gjyqësorit do të japë fjalën dhe vendimin tij. Është e vërtetë që është hera e parë që dal lidhur më këtë çështje, por ku ka më bukur se të dalësh me këta fëmijë të mrekullueshëm, në këtë qytet kaq të bukur, në këtë atmosferë kaq të mrekullueshme”, u shpreh Gjika .

I pyetur nëse do të marrë pjesë në seancën gjyqësore, kreu i Bashkisë së Vlorës konfirmoi prezencën e tij, ndërsa sqaroi se ka preferuar që deri tani të qëndrojë në heshtje për të folur vetëm përmes fakteve dhe avokatit mbrojtës. “Deri tani unë nuk kam folur, deri tani kanë folur letrat dhe avokati që mbron çështjen time dhe patjetër që do të jem në sallën e gjyqit në shenjë respekti për punën time, për qëndrimin tim, ndërgjegjen time dhe sigurisht dhe në shenjë respekti për sistemin e gjyqësorit”. Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika do të zhvillohet ditën e premte, datë 15 nëntor në orën 11:30. Anastasi Shehu do të jetë gjyqtarja që do të vendosë fajësinë apo pafajësinë e kryebashkiakut të Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme pretendon se disponon provat e nevojshme që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në falsifikimin e procesverbaleve për favorizimin e dy ndërtimeve pa leje në qytetin bregdetar.