I pyetur nëse do të marrë pjesë në seancën gjyqësore, kreu i Bashkisë së Vlorës konfirmoi prezencën e tij, ndërsa sqaroi se ka preferuar që deri tani të qëndrojë në heshtje për të folur vetëm përmes fakteve dhe avokatit mbrojtës. “Deri tani unë nuk kam folur, deri tani kanë folur letrat dhe avokati që mbron çështjen time dhe patjetër që do të jem në sallën e gjyqit në shenjë respekti për punën time, për qëndrimin tim, ndërgjegjen time dhe sigurisht dhe në shenjë respekti për sistemin e gjyqësorit”. Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika do të zhvillohet ditën e premte, datë 15 nëntor në orën 11:30. Anastasi Shehu do të jetë gjyqtarja që do të vendosë fajësinë apo pafajësinë e kryebashkiakut të Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme pretendon se disponon provat e nevojshme që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në falsifikimin e procesverbaleve për favorizimin e dy ndërtimeve pa leje në qytetin bregdetar.