Ura e Bratit është një objekt i vjetër pothuajse 6 shekullor. Por, pavarësisht kësaj edhe sot u vjen në ndihmë mjaft banorëve të zonës për të kaluar shtratin e lumit Shushicë.Ura e Bratit është një nga objektet ku përmblidhen në një, tradita e hershme, funksionaliteti, si dhe ndikimet e stilit të kohës në ndërtim nga rajoni e më gjerë. Ajo ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, rreth 45 km në juglindje të Vlorës dhe është ndërtuar në fillim të shekullit XVI.Specialisti Gëzim Llojdia, thotë për ATSH-në se, “Ura e Bratit është një urë e tipit venecian dhe është ndërtuar nga specialistë të Republikës së Venedikut, që ishte mjaft e pranishme në vendin tonë”. Ajo është ndërtuar në përputhje të plotë me karakteristikat natyrore, me ato të lumit, çka pasqyrohet tek lartësia e saj mbi nivelin e pasqyrës së ujit, tek elementët arkitekturorë për të përballuar plotësisht vërshimet e Shushicës, një nga lumenjtë më të rrëmbyer të jugut të vendit. Por, veç kësaj, këndet e urës dhe elementët mbështetës të saj mbi bazamentin e tokës, janë parashikuar të përballojnë edhe forcën e dallgëve të ujrave, kur ato kalojnë mbi urë, sikundër ka ndodhur shpesh në ditët me rreshje intensive të shiut. Në këtë këndvështrim, ky objekt i ka qëndruar kohës dhe madje vazhdon t’i qëndrojë asaj. Ajo ka shërbyer e shërben për të lidhur fshatin e Bratit me fushën që mban të njëjtin emër dhe fshatin Smokthinë e pjesë të tjera të krahinës së Lumit të Vlorës.
-Ura e Bratit, e tipit me dy harqe-
Ura e Bratit, e shpallur monument kulture, është e tipit me dy harqe, më e madhja e të cilave është ajo që kufizon lumin, ndërkohë që në pjesën tjetër të objektit spikasin dritare që shërbejnë për shkarkimin e ujrave. Ka një gjatësi prej rreth 30 metrash dhe lartësi deri në 9 metra. Me këto karakteristika, ajo vlerësohet si një objekt me mjaft vlerë në këndvështrimin arkitekturor dhe atë historik. Ajo lidh rrugën e vjetër të Karvaneve me atë të Rrëzës, mjaft të njohura në historinë e krahinës së Lumit të Vlorës dhe më gjerë.
-Ura, vendi ku u xhiruan mjaft skena nga filmi “Nëntori i Dytë”-
Ura e Bratit është e njohur shumë pak. Pavarësisht se, ajo vazhdon t’u shërbejë banorëve, për të nuk është shkruar pothuajse fare, ndërkohë që pak specialistë kanë marrë nismën për të shkuar atje dhe për të evidentuar ato vlera që e bëjnë atë një objekt të veçantë.Për këto vlera që mbart, përfshirja e këtij objekti në guidat e zonës, do të jetë me mjaft impakt në funksion të turizmit kulturor dhe historik, krahas resurseve të tjera të mëdha në këtë drejtim.Aq më tepër që ka edhe një element që e bën atë të veçantë. Karakteristikat e saj, bënë që realizuesit e filmit të “Nëntori i Dytë”, produkt i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ta përzgjidhnin mes vendeve ku u xhiruan mjaft nga skenat e këtij filmi. Kjo është edhe një arsye më tepër që Ura e Bratit të vlerësohet në dimensionin e plotë të vlerave që mbart.