Tropoja para arrestimit të Berishës, vrasjet në komisariat dhe lirimi i të dënuarve

98

haklajt-300x211Artan Hoxha rrëfen për Gazetën Dita

Janë ngjarje tragjike, pjesë e një zinxhiri pa fund…. Pas vrasjes së Major Ylvi Bengasit më 1 nëntor 2000, drejt Tropojës u nisën forcat speciale të repartit RENEA dhe batalioni special i ushtrisë. Objektivi i tyre ishte ndërhyrja në dy fshatra, Shoshan dhe Luzhë, ku kishte informacione se qëndronin grupe personash të armatosur. Fillimisht drejtuesit e forcave speciale hartuan planin se si do të hynin në këto dy vatra të nxehta, por më pas një urdhër i ardhur nga e lartë bëri që ky aksion të anulohej. Mjaftonte që në njërin nga fshatrat ku pritej ndërhyrja e forcave speciale të kishte viktima në njerëz, dhe atëherë opozita që i cilësonte si bastione të militantëve të saj, do të fajësonte qeverinë e kryeministrit Meta . Për të shmangur përkeqësimin e situatës, trupat speciale të Ushtrisë dhe reparti RENEA u larguan nga Tropoja në mesin e nëntorit. Por ajo që drejtuesit e shtetit po përpiqeshin ta parandalonin duke toleruar grupet e armatosura në Tropojë, ndodhi ditën e festës kombëtare të flamurit.

PROTESTA

Paraditen e 28 nëntorit 2000, dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë organizoi një protestë për vjedhjen e votave që i ishte bërë opozitës në zgjedhjet për pushtetin vendorë. Policia e Tropojës kishte siguruar informacione në rrugë operative se atë ditë pritej të ndodhte një ngjarje e rëndë. Përveç trupave të policisë vendase, atë ditë në Bajram Curri ndodheshin dhe dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kukzsit, që morën detyrë të siguronin godinën e gjykatës dhe prokurorisë së rrethit. Protestuesit pasi bën një xhiro në shëtitoren kryesore të qytetit, iu drejtuan godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Ata kërkuan largimin e forcave të FNSH-së nga Tropoja. Të vënë nën presion, trupat e FNSH-së nuk bën asnjë përpjekje për tu përballur me turmën, nga radhët e së cilës u shfaqen një grup personash të armatosur që hapën zjarr mbi muret e godinës. Brenda pak minutash trupat e FNSH-së i zuri paniku. Për të shpëtuar kokën nga breshëritë e armëve që godisnin muret e gjykatës, ata u detyruan të linin objektin në mëshirë të fatit dhe të shpërndaheshin pa nam e nishan nëpër banesat e qytetarëve. Shefi i komisariatit të Tropojës Ali Gjoni nuk mund tu vinte në ndihmë, për shkak se ishte njoftuar që pasi të pushtohej gjykata, personat e armatosur do mësynin drejt komisariatit. Në të vërtetë ashtu ndodhi.

|hardcopy|2007/11/13 18:14:33 Shefqet cakiqi ACER-59DE6FF88DSULMI

Dhjetëra militantë të opozitës u përdorën si një mburojë njerëzore nga personat e armatosur për t’iu afruar sa më shumë të ishte e mundur godinës së policisë. Pjesa dërrmuese e efektivit të policisë, kur mësuan se çfarë pritej të ndodhte, braktisën detyrën. Një përfaqësi e protestuesve kontaktoi më drejtuesit e komisariatit duke u kërkuar atyre lirimin e të burgosurve politikë. Në të vërtetë në qelitë e paraburgimit të Tropojës kishte vetëm të burgosur ordinerë dhe vrasës të rrezikshëm. Duke qenë se situata kishte dalë jashtë kontrollit, policia u detyrua ti lironte të gjithë të paraburgosurit, pavarësisht motivit për të cilin ishin arrestuar. Mes tyre ishte dhe Pëllumb Ndrevata, një personazh që kreu një seri vrasjesh pas lirimit më 28 nëntor 2000, deri sa u ekzekutua në vitin 2006, gjatë një shkëmbimi zjarri me RENEA-n. Pasi korrën fitoren e parë, negociatorët e protestuesve u rikthyen serish në komisariat duke kërkuar që policia ta braktiste objektin, në të kundërt do të sulmohej me mitralozë dhe armë kundërtanke. Kur hasën në rezistencën e drejtuesve të policisë, personat e armatosur, që ishin kryesisht me precedentë penalë dhe shfrytëzonin mbështetjen e opozitës për ti shpëtuar drejtësisë, hapën zjarr mbi komisariatin e Bajram Currit. Përballja mes të dy palëve ishte e ashpër. Personat e armatosur u pozicionuan në disa pallate dykatëshe që ndodhen përballë komisariatit. Një grup prej tyre sulmoi me zjarr hyrjen e komisariatit ku qëndronte oficeri i rojës. Drejtuesit e komisariatit dhe disa efektivë të policisë që vendosën të mos e lëshonin objektin, u kundërpërgjigjen duke hapur zjarr në ajër e më pas edhe mbi pozicionet nga qëlloheshin me armë automatike. Kur e panë se komisariati nuk po dorëzohej, personat e armatosur u detyruan të përdornin edhe armë kundërtanke mbi godinën e policisë. Por për fat nuk shkaktuan dëme në njerëz. Disa prej tyre mundën të futeshin dy herë deri në shkallët e katit të dytë të godinës, por u sprapsën nga policia duke pasur dhe të plagosur.

TELEFONATA

Ardhja e përforcimeve nga Tirana në ndihmë të policisë dukej e pamundur, pasi helikopteri i forcave speciale mund të qëllohej gjatë uljes në Dubravë. Në një situatë të tillë policia u bëri thirrje me megafon personave të armatosur që të tërhiqeshin, por këta të fundit nuk hiqnin dorë nga qëllimi i tyre për të marrë komisariatin. Gjatë një tentative që u bë nga jashtë komisariatit për të hyrë në godinë, pati një shkëmbim të ashpër zjarri që përfundoi me viktima. Syl Lusha, njëri nga personat e akuzuar për trazirat e 14 shtatorit 1998 në Tiranë, i cili kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu, mbeti i vrarë në hyrje të komisariatit, sapo kaloi zyrën e informacionit. Pas tij pati dhe të paktën 4 të plagosur nga radhët e personave të armatosur që sulmuan komisariatin. Në momentet më kritike, shefit të komisariatit Ali Gjoni, i erdhi një telefonatë me numër fiks nga Hamdi Haklaj. Haklaj u interesua mbi gjendjen në komisariat dhe disa të afërm apo miq të tij që ndodheshin brenda godinës. Hamdiu i tha komisarit të Tropojës se nëse kishte nevojë për ndihmë, ai ishte gati të zbriste me njerëzit e tij nga Kërnaja. Por Gjoni u shpreh se po e përballonte situatën, dhe nëse e shihte keq punën do ti drejtohej Haklajve për ndihmë. Rezistenca e trupave të policisë që kishin mbetur brenda objektit dhe përhapja e lajmit se në ndihmë të komisariatit ishte nisur Hamdi Haklaj dhe njerëzit e tij, ndikuan në uljen e moralit te autorët e sulmit. Rreth orës 15.00 të 28 nëntorit, ata u detyruan të tërhiqen pa e pushtuar komisariatin.

Fatmir Haklaj, Hamdi Haklaj dhe Feriz Kerrnaja

haklajt-300x211
Fatmir Haklaj, Hamdi Haklaj dhe Feriz Kerrnaja

Në Tiranë, kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës Berisha dhe mbështetësit e tij në Tropojë, se kishin tentuar të kryenin një grusht shteti të armatosur për të rrëzuar me forcë qeverinë socialiste. Meta tha se personat që sulmuan komisariatin e Tropojës do të ndëshkoheshin, ndërsa siguroi policinë lokale se po i niste menjëherë përforcime. SHIK-u paraqiti informacione se grushti i shtetit i 28 nëntorit kishte dështuar. Sipas shërbimit inteligjent shqiptar, organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar të merrnin së pari institucionet kryesore dhe komisariatin e Tropojës, nëpërmjet një grupi personash të armatosur. Më pas duke shfrytëzuar efektin domino, të pushtonin njëri pas tjetrit të gjitha komisariatet, nga veriu drejt kryeqytetit. Rezistenca e komisariatit të Bajram Currit bëri që ky plan të dështonte. Nga ana tjetër, opozita dhe lideri i saj Berisha, akuzuan policinë e Tropojës dhe qeverinë Meta se përdorën armë zjarri dhe granata luftarake mbi protestuesit dhe militantët e Partisë Demokratike në Bajram Curri. Kryeministri Meta u cilësua si fashist, ndërsa viktimat e 28 nëntorit në Tropojë u shpallën Martirë të Demokracisë.

AKUZA

Shefi i Partisë Demokratike nuk harroi të akuzonte as këtë radhë Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në një njoftim të botuar në mediet e kontrolluara nga PD pas ngjarjes, më datë 2 dhjetor 2000, thuhej se në bandën që u thirr në mbrojtje të komisariatit të Bajram Currit ishin Hamdi e Ylli Haklaj, miku i tyre Petrit Braha, Zeqir Braha etj. Në të njoftimin e PD-se, shkruar nga lideri i saj Sali Berisha thuhej se “Ylli Haklaj, vëllai i vrasësit të Deputetit Demokrat Azem Hajdari, ishte parë i armatosur mbi autoblindat e policisë duke lëvizur në rrugët e Bajram Currit”. Haklajt nuk e pranuan këtë akuzë, por s’e fshehën faktin se u treguan të gatshëm ti ofronin ndihmë policisë së Tropojës. Po atë mbrëmje, forcat speciale shoqëruan për disa orë në ambientet e izolimit të policisë së Tiranës, liderin e opozitës Sali Berisha. Nëpërmjet këtij veprimi, kryeministri socialist Ilir Meta , i dha një mesazh të fortë rivalit të tij politik, duke ia bërë të qartë se s’do të lejonte asnjë lloj përmbysje të pushtetit nëpërmjet një grushti shteti të armatosur. Pavarësisht hetimeve dhe procesit gjyqësor për këtë ngjarje, organizatorët dhe personat përgjegjës nuk u ndëshkuan. Të vetmit që dolën para drejtësisë ishin pesë persona, që sulmuan me armë komisariatin, të cilët në total u dënuan me 30 vite burg. 

Hakmarrja, ekzekutohet me snajper vëllai i katërt i Haklajve

Tropoja nuk e kishte marrë ende veten nga trazirat e 28 nëntorit, kur një ndodhi një ngjarje që e spostoi vëmendjen serish drejt Haklajve. Paraditen e 3 dhjetorit 2000, Ylli Haklaj i akuzuar nga opozita dhe lideri i saj si një nga personat e armatosur që shtypën protestën e militantëve të PD-së në Bajram Curri, u vra gjatë një atentati spektakolar me snajper. Një komando e përbërë nga nëntë persona mendohet të jetë nisur nga një bazë në fshatin Tropojë e Vjetër për të kapur kodrën e pyllëzuar me pisha në lindje të kullës së Haklajve, që në vijë ajrore është afro 300-400 metra larg. Autorët kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake me lara dhe nuk kanë përdorur maska. Ata kanë shfrytëzuar shpërqendrimin e Haklajve për ti goditur në befasi. Komando i është afruar kodrës nga ku realizoi qitjen pa u zbuluar nga rojet e Haklajve që mbanin nën vështrim me dylbi zonën rrotull kullës.

ATENTATI

Ylli Haklaj, Bilbil Selivrada dhe Is Kërnaja, vëllai i Feriz Kërnajës, kishin dalë jashtë fortifikimit të kullës, në një livadh në pjesën e poshtëme të saj, rreth 50 metra distancë nga muri rrethues. Në orën 12.50 janë dëgjuar dy të shtëna të njëpasnjëshme nga një armë snajper. Goditja e parë ka qëlluar në kokë Ylli Haklajn, ndërsa qitja e dytë i ka djegur faqen Bilbil Selivradës, por pa arritur ta vrasë. Menjëherë pas qitjes autorët janë tërhequr me shpejtësi për të mos u zbuluar. Ky grup dyshohet të jetë i njëjti me atë që tentoi të ekzekutonte me snajper Hamdi Haklajn më 13 shtator. Në përbërje të grupit kishte ish-efektivë të policisë, disa mbështetës të njohur të liderit të opozitës dhe në persona që kishin hasmëri me Haklajt. Trupi prej kollosi i Ylli Haklajt ishte një objektiv i lehtë për një snajper të stërvitur.

DËSHMITARËT

Vrasësit janë parë nga Hamdiu, i cili sapo kishte dalë jashtë rrethimit për të thirrur Yllin, pasi kishin ardhur miq në shtëpi. Autorët janë parë dhe nga Is Kërnaja, që pasi i shpëtoi sulmit me snajper u pozicionua pas një peme. Gjatë tërheqjes autorët janë parë nga disa banorë të lagjes Aliaj, por u kanë kërkuar atyre të heshtin, në të kundërt do të kishin pasoja. Duke qenë se ishte grup i madh, komando është vënë re dhe nga disa banorë të fshatit Madan. Edhe Muharrem Haklaj që ishte në livadh duke kullotur bagëtinë në një distancë prej 200 metrash larg me vendin e pritës, i ka njohur disa prej autorëve. Vrasja e Yllit ishte një goditje e rëndë për Hamdi Haklajn dhe familjen e tij. Tani Hamdiu kishte mbetur u vetëm, pasi katër vëllezërit e tjerë, Shkëlqimi, Halili, Fatmiri e Ylli u ekzekutuan në atentate të sofistikuara me mina të telekomanduara dhe snajper. Forcat RENEA që mbërritën në vendngjarje u vunë në ndjekje të vrasësve, por ata duke e njohur mirë terrenin kishin shkuar shumë larg.

AKUZA E HAKLAJVE

Hamdi Haklaj tha se të vëllain ia kishin vrarë një ditë pasi emri i tij kishte dalë në gazetë si një prej personave që penguan revoltën e armatosur të militantëve të PD-së. Vajza e vogël e familjes, Zylfija mësuese fizike, u betua në varrimin e Yllit se nuk do martohej kurrë pa ia marrë hakun të vëllait. Komando që ekzekutoi djalin e katërt të familjes, Haklaj, ka mbetur e paidentifikuar edhe pas shtatë vitesh. Për Hamdi Haklajn kjo ishte goditja më e rëndë, tani atij i mbetej në dorë përgjegjësia për mbijetesën e familjes, prandaj duhej të ishte më vigjilent se kurrë.

Tropoja nën terror, kronologji vrasjesh

5 janar 1998

Vritet në një pritë në Qafën e Luzhës, Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri, kunati i Fatmir Haklajt. Haklaj sapo kishte filluar punë si efektiv i policisë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Prushit në rrethin e Hasit. Autorët ishin një grup i madh personash që hapën zjarr me disa armë njëherësh.

4 gusht 1999

Vritet gjatë një atentati me mina të telekomanduara Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Brinja e Cërnicës. Autorët, mes të cilëve kishte dhe efektivë të forcave speciale, minuan afro një kilometër rrugë. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur dhe Fatmir Haklaj.

4 nëntor 1999

Gjatë një prite në fshatin Bujan, të organizuar nga një grup personash, mes të cilëve kishte dhe efektivë të forcave speciale,  mbeten të vrarë Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, ndërsa u plagos rëndë Jaho Mulosmani. Pasi u kishte shpëtuar 7 atentateve radhazi Fatmir Haklaj u vra me plumba pas shpine.

3 dhjetor 2000

Një komando e panjohur ekzekuton gjatë një atentati me armë snajper, Ylli Haklajn, djalin e katërt të familjes Haklaj. Në momentin kur u godit, viktima kishte dalë në një livadh jashtë rrethimit të fortifikuar të kullës së tij. Në këtë ngjarje u plagos lehtë dhe Bilbil Selivrada.