PRISM: LIBE diskuton ruajtjen e privatësisë së qytetarëve europianë

69
foto ilustruese
foto ilustruese

PRISM ka ringjallur sërish diskutim në Komisionin e Lirive Civile, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, të Parlamentit Europian. Eurodeputetët kanë theksuar nevojën urgjente për kalimin e legjislacionit, që do të mbrojë të dhënat personale të qytetarëve evropianë. Në fokus është vënë edhe ruajtja e transferimeve të të dhënave personale jashtë BE-së. 

Gjatë debatit në Komisionin e Lirive, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në PE, Komisionerja Reding ka deklaruar, se PRISM, ishte një zgjim për t’iu bërë të ditur, se sa urgjente është të përparohet me një projektligj të sigurt. Duke raportuar për takimin e saj të 14-të, me Prokurorin e Përgjithshëm Amerikan, Eric Holder në Irlandë, ajo deklaroi se është rënë dakord të ngrihet një grup ekspertësh transatlantik, që do t’iu përgjigjen këtyre shqetësimeve.

Reagimet gjatë debatit kanë prekur nivele të ndryshme. Eurodeputetja franceze Veronique Mathieu e ka konsideruar shokuese dhe se, nuk mund t’i lejonin amerikanët të spiunonin qytetarët e BE-së edhe pse, është një çështje sigurie. Mathieu, nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të punës mbi një legjislacion të ri, për ruajtjen e të dhënave personale në BE dhe kërkoi të jetë plotësisht e informuar mbi punën e grupit të ekspertëve të mësipërm.

Ndërkohë eurodeputeti britanik, Timothy Kirkhope bëri thirrje për një ‘ hetim serioz’ për ‘mbledhjen e fakteve dhe detajeve’. Ai mirëpriti përdorimin e mjeteve informatike për të luftuar terrorizmin, me kusht që të bëhet sipas ‘mënyrës ligjore’ dhe shprehu mbështetje për Komisionin.

Komisionerja Reding theksoi, se të dhënat e qytetarëve të BE-së duhet të kenë të njëjtën ruajtje si ato të qytetarëve amerikanë dhe lajmëroi se, mbledhja e parë e grupit të ekspertëve do të zhvillohet në Korrik. Ajo po ashtu ishte dakord, që rregullat e reja për ruajtjen e të dhënave duhet të miratohen shpejt dhe  të aplikohen tek të gjitha kompanitë që operojnë në BE.

Reagimet e eurodeputetes Birgit Sippel, kanë qenë të ashpra dhe të drejtpërdrejta:  “ Shokët dhe partnerët tanë punojnë pas kurrizit tonë dhe peshkojnë të dhënat e qytetarëve tanë, kjo është dramatike. Nuk është e vërtetë se, këto të dhëna përdoren vetëm për të luftuar terrorizmin. Ato përdoren gjithashtu për kontrollin e imigracionit. Ne kemi nevojë të sigurojmë, se të dhënat e njerëzve janë të ruajtura, edhe nëse janë apo jo, të dyshuar për një krim”.

Në të njëjtën linjë, ka reaguar edhe eurodeputetja Sophia in’t Veld: “Aleatët tanë nuk na trajtojnë si miq, por si të dyshuar. BE duhet të tregojë fuqinë e saj dhe të tregojë, se ku janë limitet”.

Komisionerja Reding e pyetur, në lidhje me një propozim për ruajtjen e transferimit të të dhënave, që mund të detyrojë autoritetet e vendeve të treta, të kërkojnë të dhënat nëpërmjet kanaleve legale, ajo u përgjigj: ” Pse midis draftit të parë që  ka ‘rrjedhur’, dhe draftit zyrtar(…) është fshirë juridiksioni? “A kanë kaluar amerikanët mbi draft, me një stilolaps të kuq?

Komisionerja Reding deklaroi gjithashtu se, vija e kuqe ‘ nuk është rënë dakord kurrë të shkojë nën standardet e direktivës 1995 (mbi ruajtjen e të dhënave)”. Ajo shtoi se ruajtja e transferimit të të dhënave është thjesht një recital në draft- legjislacion, por nëse Parlamenti ‘ dëshiron ta shndërrojë në nen, ajo nuk kishte vërejtje.

Programi PRISM vjen nën kuadrin ligjor të FISAA (Foreign Intelligence Surveillance Amendment Act) dhe është adoptuar për herë të parë më 2008, nën qeverinë Bush dhe më pas është miratuar edhe për 5 vjet të tjerë, më 29 dhjetor 2012. Kjo kornizë ligjore përcakton kuadrin e survejimit numerik të qytetarëve amerikanë dhe jo amerikanë. Neni 1881a autorizon de facto,  në kuadrin e Politikës së Jashtme të vendit, një survejim në masë të  personave, që jetojnë jashtë SHBA-së dhe që nuk kanë kombësi amerikane.

Çka do të thotë, se të gjithë të huajt, jashtë territorit amerikan mund të jenë objekt i një survejimi politik, që vjen nga përtej Atlantikut. Dhe ky survejim mund të bëhet në veçanti përmes infrastrukturës  të furnizuesve amerikanë si Google, Microsoft, Amazon, Apple, Dropbox, Facebook, PalTalk, Skype, AOL, etj. Investigimet e kryera nga ‘Wired’, kishin zbuluar gjithashtu, ndërtimin e një baze të dhënash gjigante në Utah, nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar. Kjo bazë do të jetë e fuqishme për grumbullimin e miliarda të dhënave në rrugë elektronike.