Transparenca në Policinë e Shtetit

49

saimir tahiriMinistria e Brendshme publikon buletinin mujor për statistikat e policisë së shtetit e shoqëruar edhe me një letër të ministrit Saimir Tahiri.

Në letrën e tij, Tahiri  thekson se publikimi i statistikave është në përmbushje të parimeve të transparencës dhe demokratizimit të vetë Policisë së Shtetit.

Buletini i plotë

Me këtë parim, publikojmë sot buletinin mujor të Policisë së Shtetit, duke synuar nga njëra anë publikimin e statistikave të plota në përmbushje të parimeve të transparencës dhe demokratizimit të vetë Policisë së Shtetit.

Dhe nga ana tjetër, duke ndërtuar një platformë komunikimi të qëndrueshme me qytetarët, median dhe ekspertët e fushës, të cilët nëpërmjet buletinit, mund të vlerësojnë efektivitetin e performancës së Policisë së Shtetit.

Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qytetarëve, ndaj dhe ky buletin ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në të ardhmen në një instrument bashkëveprimi, duke hapur brenda nesh dritaren e vlerësimit dhe llogaridhënies para publikut, si dhe duke na vënë në pozitën të mbajmë shënim çdo sugjerim a kritikë në shërbim të përmirësimit të punës së Policisë së Shtetit.

Ministria e Punëve të Brendshme është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e sigurisë publike.

Ndaj krijimi i traditës së hartimit dhe botimit të Buletinit me të dhëna statistikore, përbën jo vetëm një vlerë të shtuar, e cila i ka munguar publikut në kuadër të transparencës, por edhe një instrument demokracie të mëtejshme, për aq kohë sa u lejon qytetarëve vlerësimin tonë.

Mjafton t’u hedhësh një sy shifrave në buletin, për të kuptuar  jo vetëm tendencën e kriminalitetit dhe shifrat sipas veprave penale, aksidentet dhe vendndodhjen e aksidenteve gjatë këtij muaji, por edhe për të lexuar përtej shifrave lidhur me të gjithë faktorët që shtyjnë në rritje ose zvogëlim të sigurisë dhe rendit publik për jetën dhe pronën e qytetarëve.

Shifrat tregojnë njëkohësisht edhe punën e Policisë së Shtetit duke lënë vend për gjykim dhe vlerësim lidhur me çdo gjë që duhet të bëjmë për të përmirësuar në vazhdim.

Mjafton të shohësh se janë sekuestruar 3.6 kg heroinë apo se janë zbuluar dhe proceduar vetëm 2 raste të trafikut të femrave dhe 1 rast trafik të mituri, për të kuptuar se ende shumë punë kërkohet nga Policia e Shtetit për të rritur efektivitetin në këtë fushë.

Por gjithashtu, mjafton të shohësh se Policia e Shtetit është telefonuar në numrin 129 plot 13.273 herë, për të kuptuar nivelin e besimit të publikut te vetë policia si instrument ndërmjetësimi dhe force ndaj shqetësimit të qytetarëve. Ashtu siç të vjen natyrshëm të gjykosh se në qarkun Durrës qytetarët kanë më shumë besim te policia sesa qarku Tiranë vetëm duke parë raportin e numrit më të madh të njoftimeve krahasuar me gjendjen e sigurisë dhe rendit publik në të dy qarqet.

Buletini na tregon edhe fluksin e hyrje-daljeve në kufirin shtetëror, dhe shifrat janë vërtetë për tu marrë në analizë. Siç na tregon edhe numrin e aksidenteve të muajit por edhe hartën vendndodhjes së aksidenteve prej nga mund të konkludohet se veç shkaqeve të drejtuesit të mjetit, kushtet e sinjalistikës dhe të rrugës vetë, janë themelore në uljen e numrit të aksidenteve.

Sigurisht, të dhënat statistikore të buletinit vijnë në ndihmë duke na ofruar një kuadër të punës që është kryer nga ana e strukturave kompetente, duke na dhënë një perceptim sa më të qartë mbi eficencën e sistemit reagues të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht të shërbimit të Policisë së Shtetit dhe lejon që aktorë të tjerë të interesuar që të japin kontributin e tyre studimor e të propozojnë ndërhyrje konkrete, legjislative për të përmirësuar punën dhe sistemin.

Kjo është përpjekja jonë e parë dhe besoj shumë më shumë do bëjmë në vazhdim për të ofruar të dhëna më të hollësishme e më të plota. Ministria e Brendshme mbetet e hapur për sugjerimet dhe propozimet e të gjithë aktorëve të interesuar në përmirësimin e këtij botimi statistikor.

Ne jemi të vetëdijshëm se mbetet shumë për të bërë, por jemi po kështu të vetëdijshëm se gjithçka duhet të bëjmë, duhet ta realizojmë të gjithë bashkë për një Shqipëri më të sigurt, në paqe e të lirë nga frika, dhuna e kriminaliteti.