Dje bardheblutë janë stërvitur me dyer të mbyllura në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, dhe gazetarët s’janë lejuar të futen brenda stadiumit. Administratori i klubit Krenar Alimehmeti ka dhënë urdhër që të mos lejohet askush të hyjë në stadium, përveç futbollistëve dhe stafit drejtues të ekipit. Izolimi i ekipit vjen një ditë pas dorëheqjes së ish-trajnerit Alpin Gallo dhe vetëm një ditë para transfertës ndaj Lushnjes.
Trajneri Gallo, ditën e enjte ka dhënë dorëheqjen pranë drejtuesve të klubit ndërkohë që nga drejtuesit akoma nuk ka një reagim zyrtar. Mungesa e reagimit zyrtar nga drejtuesit e klubit kryeqytetas shoqërohet edhe me “izolimin” e klubit gjatë stërvitjes së fundit para ndeshjes me Lushnjen.
Ndërkohë, pas largimit të Gallos, ekipi i është besuar zëvendës-trajnerit të bardhebluve Sokol Bulku, të paktën për ndeshjen e fundjavës ndaj Lushnjes. Edhe stërvitjen e djeshme, që ka qenë stërvitja e fundit dhe përgatitja e fundit parë ndeshjes, është drejtuar nga Bulku, i cili ka dalë edhe në konferencë për shtyp.
Dita e premte është ditë e programuar nga bardheblutë, ku trajneri del para medieve për ndeshjen që pritet në fundjavë, dhe për këtë gjë, Sokol Bulku është autorizuar për të dalë para mediave.
Gjendja e dobët e bardhebluve në fushë, prej ditësh shoqërohet edhe me një “paqetësi” të strukturës drejtuese të ekipit, ku jo vetëm që vihen re kontradikta mes donatorëve, por edhe nga administratori i ekipit nuk mbahet qëndrim publik për çështjet që ndodhin në ekip.
Për lojtarët që merren në provë apo për futbollistët që do tentohen të sigurohen në janar si dhe për kreun e bankinës, nuk ka asnjë shpjegim publik dhe zyrtar nga drejtuesit bardheblu. Në rastin më të mirë është thjesht një fshehje e asaj që po ndodh në klub. Po në rastin më të keq? …