Testi histologjik: Ilia Kareli kishte një problem në zemër, mbi të nuk u ushtrua elektroshok

77

kareli1Ekspertiza histologjie greke zbut akuzat dhe pozicionin e 15 gardianëve që masakruan barbarisht Ilia Karelin. Sipas shtetit helen i dënuari shqiptar ka vuajtur nga probleme kardiake dhe goditjet nga dhuna kanë qenë vdekjeprurëse për zemrën. Konkluzioni i ekspertëve dyshohet se është një justifikim për të kamufluar shkaqet reale dhe masakrimet rrëqethëse që i morrin jetën 42-vjeçarit shqiptar. Kjo ekspertizë bie në kundërshtimin me autopsinë e realizuar nga vetë mjekët grek, të cilët arritën në përfundimin se thyerja e dërrasës së kraharorit i morri jetën Ilia Karelit.

Në mbështetje të autopsisë janë edhe pamjet filmike të videos, të cilat zbulojnë dhe qartësojnë torturën në qelinë “frigorifer” ku Kareli u mbaj për dy orë e dyzet e pesë minuta dhe më pas u flak në qeli në mënyrë çnjerëzore, duke e lënë të shtirë lakuriq në agoni, pa ndihmë mjekësore dhe pa minimumin e përkujdesjes. Urrejtja dhe hakmarrja e policisë helene konstatohet në shenjat e dhunës që mban trupi i Karelit, në aktet barbare dhe torturat, gjatë të cilave iu hoqën thonjtë e duarve e të këmbëve, iu shkëputën indet e duarve dhe iu bënë vrima në trup me thikë.

Analiza 

Elementet e ekspertizës greke, vijnë të publikuara nga gazeta “I Efimeridha”, e cila sjell detaje të reja rreth vdekjes së Karelit në burgun e Nigritas. Sipas raportit të dy mjekëve ligjorë Mina Gjergja  Gjergjalis dhe Eleni Zagelidhou, të bëra në qendrën e ekspertizës në Athinë, goditjet kanë sjellë dëmtimin e zemrës, e cila ka shkaktuar vdekjen edhe nën ndikimin e sëmundjes koronare. Ekspertiza mjeko-ligjore ka përjashtuar nga akuza e torturave me elektroshok në duart e Karelit, kur shprehet se shenja e dukshme në dorën e djathtë janë nga një plagë e vjetër.

Nga analizat laboratorike që kishin dërguar mjeket ligjore Mina Gjeorgjiadhis dhe Eleni Zagjelidhou, pas ekzaminimit për sëmundje koranare të zemrës ka rezultuar se 42-vjeçari shqiptar ka pasur një problem në një nga tre enët koronare, i shkaktuar nga një defekt i valvulave të zemrës, i cili në kombinim me thyerjen e disa brinjëve në kafazin e kraharorit ka shkaktuar vdekjen e tij. Gjithashtu nga testet laboratorike, që kishin dërguar dy mjeket është vërtetuar se mbi Karelin nuk është ushtruar dhunë me ndonjë aparat që shkakton elektroshok dhe se plaga në dorën e tij është shumë më e vjetër. Rezultatet e ekzaminimit histologjik janë dërguar në Shërbimin Mjeko-Ligjor të Selanikut dhe prej atje tek autoritetet gjyqësore të qytetit të Serresit, në mënyrë që të përfshihen ne dosjen hetimore të aktakuzës ndaj rojeve të burgut. Ende nuk ka asnjë koment se çfarë drejtimi mund të marrë pas këtij zhvillimi procesi ndaj 15 gardianëve të burgut, që akuzohen se kanë torturuar për orë të tëra Ilia Karelin, tortura që kanë sjellë edhe vdekjen e tij.