Të pasurit zbrazën llogaritë në banka

42

250px-Euro_coins_and_banknotesSipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutë të individëve ranë nga 343,8 miliardë lekë, që ishin në tetor të 2012-ës, në 327,7 miliardë lekë, në fund të qershorit të këtij viti.

Rënia është mbi 160 milionë dollarë dhe ka ndodhur në vetëm një grup depozitash, ato të individëve në valutë. Llojet e tjera të depozitave kanë vazhduar të rriten.

Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria është përballur vetëm një herë me një situatë të tillë. Në fund të vitit 2008, kur depozitat e individëve në valutë ranë brenda pak muajsh me rreth 300 milionë dollarë. Por, në atë kohë, shkaku ishte paniku i përhapur nga kriza financiare, që nxiti individët të tërhiqnin kursimet e tyre.

Ndërsa këtë herë, arsyet duken të tjera. Ekspertë të sistemit bankar thonë për Top Channel se paratë e tërhequra nuk janë përdorur në tregun e brendshëm. Sipas tyre, kjo do të kishte bërë presion mbi kursin e këmbimit, duke dobësuar euron, çka nuk ka ndodhur.

Në këto kushte, dyshimet më të mëdha janë se paratë kanë dalë jashtë shtetit. Shifrat tregojnë se bëhet fjalë për tërheqje prej 20 milionë eurosh në muaj dhe periudha është ajo e muajve të fundit para zgjedhjeve.

Jo zyrtarisht, nga vetë bankat kanë dalë informacione se lëvizjet janë kryer nga depozitues të mëdhenj. Nën zë, madje, është folur edhe për zyrtarë të pushtetit që, të pasigurt për rezultatin e zgjedhjeve, kanë nxituar t’i fshehin kursimet e tyre jashtë.

Por, a është ky rasti dhe a janë këto parà me prejardhje nga aktivitete të jashtëligjshme? Dyshimet janë të forta. Transferimi i parave, që vijnë nga burime informale, nuk është një fenomen i panjohur për Shqipërinë.

Para pak kohësh, një organizatë me qendër në Uashington publikoi një raport, që tregonte se në 5 vjet, nga 2006 në 2010-ën, elita e korruptuar ka nxjerrë rreth 1,3 miliardë dollarë parà të pista me prejardhje nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal.