“Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmon edhe një herë vullnetin e plotë për transparencë maksimale ndaj publikut, duke e konsideruar vetë transparencën si element themelor për garantimin e bashkëpunimit intensiv ndërmjet publikut dhe Policisë së Shtetit, në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit dhe përpjekjen e përbashkët për më shumë siguri për jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.
Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë dhe do të jetë e hapur për çdo qytetar, institucion, apo parti politike, duke vënë në dispozicion të gjitha statistikat e punës dhe rezultateve të Policisë së Shtetit.
MPB konfirmon edhe një herë se gjatë muajit dhjetor 2013:
1. Vrasjet – Janë ulur me 55% krahasuar me dhjetorin 2012;
2. Persona në kërkim- Janë kapur 29% më tepër se në dhjetor 2012;
3. Lufta kundër drogës– Ka 55% më shume procedime penale, 60% më shumë autorë të proceduar.
4. Trafiqet– Janë regjistruar 167% më shumë procedime penale dhe 168% më shumë autorë të proceduar.
5. Krimi ekonomik dhe korrupsioni- 142% më shume procedime penale dhe 116% më shume autorë të proceduar.
6. Qarkullimi rrugor- Janë ulur me 38% aksidentet me pasojë vdekjen. Janë ulur me 13% aksidentet në total. Janë ulur me 20% aksidentet me pasojë plagosje të rënda dhe janë ulur me 8% aksidentet me plagosje të lehta. Është rritur me 193% numri i masave administrative.
7. Dhuna në familje -Treguesit janë 45% më të lartë sa u përket veprave penale dhe 46% më ta lartë sa u përket autorëve të proceduar.
8. Ndërtimet pa leje -Treguesit janë rreth 27 herë më të lartë sa u përket veprave penale dhe rreth 20 herë më të lartë sa i përket autorëve të proceduar.
9. Prerja e paligjshme e pyjeve – Treguesit janë rreth 38 herë më të lartë sa i përket veprave penale dhe rreth 42 herë më të lartë sa u përket autorëve të proceduar.
Ministria e Punëve të Brendshme, fton Partinë Demokratike të lërë mënjanë retorikën politike me rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. Drejtuesit e opozitës, për më tepër çdo deputet, është i ftuar të konsultojë të dhënat dhe statistikat e Policisë së Shtetit, në qoftë se vërtetë kanë dëshirë e vullnet për të gjetur të vërtetën.
Gjithashtu, MPB e fton opozitën të përdorë çdo instrument parlamentar për të shuar dyshime e paranoja lidhur me shifrat e kriminalitetit, duke i garantuar se suksesin për uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë në vend, nuk do e konsiderojë produkt ekskluziv të MPB dhe Qeverisë, por të mirë publike për qytetarët dhe sipërmarrësit në vend. Dezinformimi publik me synim ngjalljen e panikut te qytetarët nuk i shërben as sigurisë publike, as reformimit dhe forcimit të mëtejshëm të Policisë së Shtetit e aq më pak shëndoshjes politike të kujtdo partie politike”, thuhet më tej në reagim.