Tahiri: “21 janari” s`mund të arkivohet. Reformë të thellë të Gardës

16

saimir tahiriMinistri i brendshëm Sajmir Tahiri ka theksuar se ngjarja e 21 janarit nuk mund të arkivohet dhe drejtësia për vrasjen e 4 protestuesve do të vihet në vend.

Në një takim me drejtuesit e Gardës së Republikës,  Ministri Tahiri ka theksuar se shumica e punonjësve të këtij institucioni është ndjerë padrejtësisht mbajtëse e një barre të rëndë për atë që ndodhi në 21 Janar.

“Veprimet e disave renduan mbi efektivët e ndershëm, që i siguroj se garanci për karrierë është vetëm besimi dhe përmbushja e detyrës sipas ligjit. Edhe pse drejtësia nuk është vënë në vend, disa nuk i shmangen dot peshës së fajit. Drejtësi për 21 janarin, sepse ai nuk është ngjarje që arkivohet, gjithçka në kapacitet tim ligjor për të ndihmuar drejtësinë për nxjerrjen e përgjegjësve, të atyre qe vranë, urdhëruan, ndihmuan, fshehën provat dhe penguan drejtësinë” tha Tahiri.

Ministri i brendshëm ka paralajmëruar një reformë të fortë në Gardën e Republikës duke theksuar se kjo do të bëjë që ky institucion të depolitizohet.

“Brenda 100 ditëve do të përfundojë reforma totale për Gardën e Republikës. Reforma në Gardën e Republikës është më shumë se e domosdoshme. Mbi të gjitha për të larguar përfundimisht drejtimin politik nga Garda dhe për ta shndërruar në një institucion efektiv dhe eficent. Garda e Republikës  nuk do të jetë më në varësi të Ministrisë së brendshme por në varësi të zinxhirit të përgjegjësisë së drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit. Jo militantë, jo amatorë, jo instrument politik. Kjo reformë do të kursejë fonde dhe hallka burokratike të tepërta dhe mbi të gjitha do të garantojë depolitizmin e këtij institucioni. Vullneti i qeverisë së sotme është bashkimi i të gjitha institucioneve ligjzbatuese. Në përfundim të reformës unë besoj do të kemi një institucion eficent dhe profesional” tha Tahiri.