Shtatorja e Presidentit Rugova vendoset në Prishtinë

18

shtatorja-rugovaMe një ceremoni solemne ka vendosur përpara Kuvendit të Kosovës, shtatorja e ish presidentit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kryetari i LDK-së dhe i Komunës së Pristinës, Isa Mustafa, ka vlerësuar shumë figurën e ish-presidentit Rugova për pavarësinë e Kosovës.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën pasi shtohet shtatorja e presidentit historik, Ibrahim Rugova, njeriun që krijoi idenë e shtetit të Kosovës. Kjo ditë e shtatorit na bën krenar që punuam në shekullin e Rugovës. Ai ishte zëri i vetëm që tregonte rrugën e jetës, rrugën e paqes për të gjithë” tha Mustafa.

Ai shtoi se Rugova propozoi himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” për të nderuar të gjithë të rënët e Kosovës.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se është një ditë historike sepse nga sot në këtë vend, do të qëndrojë shtatorja e ish presidentit Rugova.

“Presidenti Rugova është intelektuali që tek ne e solli frymën e demokracisë perëndimore”, tha ndër të tjera, Jahjaga, duke shtuar se ai organizoi jetën e qytetarëve në Kosovë, si masë kundërvënie ndaj shtypjes së asaj kohe.

Jahjaga shtoi se presidenti Rugova e lidhi përjetësisht Kosovën me SHBA-në, si lider të demokracisë në botë dhe me vendet e BE-së.

Njeriu që u kishte prirë kosovarëve për më shumë se një dekadë, është përjetësuar në një shtatore të bronztë me një lartësi 4.20 m. Ideja e kësaj vepre madhështore ka dalë nga studio e skulptorit Julian Mucollari dhe është realizuar në fonderinë e veprave të artit.

Për këtë shtatore janë menduar të gjitha detaje. Ibrahim Rrugova është në hapin e hedhur, dorën e majtë të përthyer, shalli i hershëm simbolik. Në fakt, ky është imazhi i miliona shqiptarëve.

Shtatorja do të qëndrojë në Sheshin e Pavarësisë në Prishtinë, që mban po emrin e Ibrahim Rugovës ku do të admirohet nga shqiptarët e Kosovës.