Statusi, Ngjela: Pas saj fshihet SHBA

60

Spartak-Ngjela1Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, ka deklaruar se pas bllokimit të statusit për Shqipërinë, fshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Avokati Ngjela, u shpreh se integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian, është në dorë të SHBA. Sipas tij, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA, u ftohën pas përgjigjes negative të qeverisë shqiptare, për mospranimin e armëve kimike të Sirisë. “Refuzimi i statusit për Shqipërinë, erdhi sepse Rama gënjeu amerikanët. Në këtë mënyrë Amerika nuk dha suportin e saj, lidhur me integrimin e vendit. Analiza politike e kësaj çështje është kjo. Politika amerikane duhet të ketë kujdes kur të koordinojë raportet me këtë kryeministër. Ky është dëmtuar, se në fillim tha po dhe pastaj iu desh të tërhiqej”, ka deklaruar Ngjela.

Ndërsa ish Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar (Shtetëror), Fatos Klosi, theksoi se në mosmarrjen e statusit kandidat kanë ndikuar një sërë faktorësh. Sipas tij, elementët kyç që kanë ndikuar negativisht në mosdhënien e statusit është lufta ndaj korrupsionit, albanofobia dhe armët kimike. Sipas tij, statusi kandidat nuk mund të merret si anëtarësimi në NATO, duke nënvizuar se Shqipëria duhet ta meritojë Evropën. “Korrupsioni, albanofobia dhe armët kimike, kanë ndikuar që Shqipëria të mos e marrë statusin kandidat. Nuk jemi gati për të hyrë në Bashkimin Evropian. Statusi është një motiv për t’u rregulluar gjendja në Shqipëri, siç është lufta ndaj korrupsionit apo krimit të organizuar. Statusi nuk është qëllim në vetvete, por është hap drejt Evropës. Pra, Evropa nuk duhet të na mëshirojë ashtu si NATO, që e futi Shqipërinë për gjynah. Duhet ta meritojmë Evropën”, theksoi Klosi.