Berisha: Buxheti u miratua në shpellën e qeverisë

57

Sali-Berisha-parlament-me-doreSeanca maratonë e diskutimit për projekt buxhetin 2014, dhe paketën e re fiskale, vijon prej orësh. Ish Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij hodhi akuza kundrejt shumicës, ku sipas tij, me mosndërprerjen e seancës plenare edhe gjatë natës, kërkon të fshehë krimin monstruoz që përban në vetvete buxheti.

“Karakteri klandestin që ka ky buxhet që u miratua në sekret të plotë në shpellën e qeverisë me një procedurë klandestine, me këtë seancë maratonë gjithë natën që ta fshihni, arritët në finishin e turpit. Po ku është finishi i turpit që një procedure që vihet në funksion të fshehjes së një krimi monstruoz që përban në vetvete. Të fshehjes së një gjëmë që mban në vetvete këtë buxhet”, tha Berisha.

Sipas tij, ky është buxheti i gropës më të madhe në histori, pasi shndërron financat publike në piramidë të vërtetë.

“Këta rrenacak që thonë që do ulin taksat, këta mbetën si papagaj megamashtrimi i një mendje që prodhon vetëm gënjeshtra të tilla.   Keni 3 muaj si në asnjë vend të botës, me shfrytëzimin total sulmoni biznese, keni futur vendin në stanjacion e po ecën drejt krizës, vetëm se nuk keni mundur t’i fusni në xhepa ato. Ky buxhet është pjellë e një mendje të sëmurë që udhëhiqet nga fiksimet dhe prodhon çdo ditë vetëm energji negative, vetëm shkatërrime, vetëm rrënime. Shqiptarët nuk i mashtroni dot ju. Ju morët besimin e tyre, por jo dinjitetin dhe s`do të mund të shkelmoni kurrë dinjitetin e tyre”, deklaroi Berisha.