Polica greke zbulon bandën shqiptare, 1 i arrestuar 6 në kërkim

104

policia grekePolicia greke ka publikuar pasditen e së hënës fotografitë dhe të dhënat personale të nje grupi keqbërësish nga Shqipëria prej shtatë vetësh, që vepron prej më se dy vjetësh në zonën periferike të Athinës dhe të Argos.

Urdhëri për publikimin e tyre është dhënë nga prokuroria pas arrestimit të një prej anëtarëve të këtij grupi, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga këta persona, që sipas deklaratës për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të policisë, janë të rrezikshëm dhe nuk ngurrojnë të qëllojnë me armë zjarri.

Veprat penale të tyre janë zbardhur pas një hetimi disamujor nga ana e policisë dhe në listën e gjatë të tyre përfshihen midis të tjerash: 3 tentativa vrasjeje, nga të cilat dy ndaj policëve grekë, 10 vjedhje në qendra tregtare dhe banka, 6 vjedhje makinash e 3 bastisje shtëpish.

Policia ka mundur të arrestojë rastësisht disa muaj më parë vetëm një prej anëtarëve të grupit, 50-vjeçarin Ilir Gjini, pasi drejtonte një makinë të vjedhur dhe u përpoq t’i shmangej kontrollit. Gjatë arrestimit atij iu gjetën dhe konsfiskuan një kallashnikov, dy karikatorë, një pushkë tjetër automatike dhe një pistoletë.

Në deklaratën e policisë publikohen edhe emrat dhe fotografitë e gjashtë pjesëtarëve të tjerë të grupit: Ektor Qiriazi 30 vjeç, Lulëzim Elmazaj 22 vjeç, Agron Shakaj 34 vjeç, Arsen Selimaj 39 vjeç, Ervis Arapaj 39 vjeç dhe Erion Peçi 27 vjeç.

Policia greke paralajmëron qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë në dy numra telefonash që ajo ka bërë publikë në rast se kanë informacion për dikë prej këtyre personave të rrezikshëm, për të cilët thuhet se janë të pajisur me jelekë antiplumb dhe kallashnikovë.

Për aktet kriminale të tyre ata përdorin makina të vjedhura dhe pas çdo përpjekeje me armë me policinë shkojnë në Shqipëri dhe kthehen pas disa muajsh me armë të reja, të papërdorura më parë në territorin grek.

Prokuroria ka ngritur ndaj tyre, në mungesë, akuzat: krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, tentativë vrasjeje, vjedhje dhe bastisje të ndryshme me forcën e armëve, armëmbajtje dhe përdorim pa leje. Ndërkohë, janë kontaktuar edhe organet e policisë shqiptare për të bërë të mundur arrestimin e tyre. / TCH/

bande shqiptare greqi

4111

581

675

2124

3120