Sot seanca e parë e Kuvendit, drejtohet nga Namik Dokle

48

kuvendi-i-shqiperise1Seanca e parë e Kuvendit nis sot pasdite, nën drejtimin e Namik Dokles. 140 deputetët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, do të nisin punën vetëm pas verifikimit të mandateve. Seanca është përcaktuar të mbahet sot, në orën 18:00, sipas dekretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Kjo mbledhje e parë e deputetëve pritet të jetë më shumë ceremoniale, sepse nuk do të ketë as betim dhe as ndonjë vendim. Sipas rregullores së Kuvendit, fillimisht do të ekzekutohet himni kombëtar e më pas do të bëhet hapja e seancës. Seancën e parë e drejton deputeti më i vjetër, në bazë të rregullores, e këtë herë koincidon me kryeministrin në largim, Sali Berisha. Por, pasi ai ka bërë të qartë se refuzon ta drejtojë këtë seancë, ajo i takon ish-nënkryetarit Namik Dokle, i cili ka tashmë 22 vjet jetë parlamentare dhe përvojë në drejtim. Do të jetë Namik Dokle që do të caktojë më pas tre deputetë me moshën më të re që të kryejnë detyrën e sekretarisë së Kuvendit.

Në këtë seancë të parë do të ngrihet edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë dhe ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve. Pas hartimit të një raporti nga ana e këtij komisioni, pritet që një ditë më pas, pra më 10 shtator, të kryhet betimi i deputetëve. Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores, pritet që rreth 15 deputetë t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procedura vijon më tej, me votim të fshehtë. Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re.

Në seancën e pasdites së sotme janë ftuar pjesëtarë të trupit diplomatik. Ndërkohë, administrata e Kuvendit ka përgatitur për çdo deputet nga një dosje të veçantë, ku përfshihen Kushtetuta, rregullorja e Parlamentit, si dhe statusi i deputetit. Një risi në këtë legjislaturë janë kompjuterët e vendosur në sallën e seancave për çdo deputet. Tashmë ata do t’i studiojnë projektligjet përmes kompjuterave.

Ndërkohë, përpara seancës së pasdites së sotme pritet që kryeministri Sali Berisha të dorëzojë dorë-heqjen e kabinetit qeveritar tek Presidenti i Republikës. Nga ana e tij, grupi parlamentar demokrat do të mblidhet në orën 11.00, në selinë e re, për të zgjedhur kreun e grupit, i cili do të jetë provizor derisa të bëhen zgjedhjet e reja në PD. Të dyja partitë kryesore, PS e PD, do të duhet të përcaktojnë edhe emrat e nënkryetarëve të Kuvendit, por edhe emrat e kryesuesve të komisioneve parlamentare më pas. Me fillimin e punës së qeverisë, të tjera lëvizje priten në Kuvend.

Të gjithë ministrat e kabinetit “Rama” do të lënë hap pas hapi mandatet e deputetëve për t’ua lënë vendin të tjerëve në listat respektive. Do të jetë KQZ-ja më pas që do t’i delegojë Kuvendit zëvendësimin e tyre me emrat e rinj të deputetëve. Kjo është një procedurë që pritet të zgjasë në kohë. Ndërkohë në prag të çeljes së punimeve të Kuvendit, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama do të zhvillojë një takim në selinë rozë në ora 09:00 me ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Seqiu.