Si ta mposhtësh lodhjen

62

lodhjeTë lodhur dhe në pamundësi për të marrë veten? Nuk është gjithmonë faji i stresit. Ja disa këshilla që fillojnë me veshjet, ushqimin dhe lëvizjen.

Tashmë mund të dorëzohemi: gjumi nuk na shqitet, fundjava nuk arrin ta mposhtë lodhjen, rëndesa mendore dhe fizike nuk na lehtësohet, çfarëdolloj autoterapie të përpiqemi të bëjmë. Shkenca na siguron: ky është stres. Ose sipas hipotezës edhe më shqetësuese, bëhet fjalë  për lodhje kronike, një nga sindromat më të përhapura në Perëndim, por së cilës ende nuk i dihen shkaqet, ndërsa mjekët nuk janë ende të sigurt për kurat.

Dhe ndërkohë që mjekimi pritet të gjendet, e vetmja gjë me të cilën në Perëndim po përballohet ky shqetësim, janë seancat e meditimit apo të jogës, përpara se të mendohet për të blerë qetësues nëpër farmaci. E megjithatë, diçka edhe mund të bëhet: të rikuperojmë rezervën energjetike që kemi mbledhur në pjesën e djathtë të trurit, në zonën që përgjigjet për emocionet, e cila lihet në vend të dytë për shkak të inteligjencës racionale. Dhe pikërisht në këtë zonë, të mbetur disi në hije, gjendet përgjigjja instiktive ndaj vështirësive. Ta përplotësosh këtë zonë, do të thotë  të zbulosh më shumë burime, pra me pak fjalë, të ndjehesh më mirë. Po si mund të arrihet  kjo? Për mjekët psikologë, kjo është diçka që mund të bëhet. Sipas tyre, ka disa lloj sjelljesh që mund të duken fare të rëndomta, por që janë mjaft të efektshme, që arrijnë të fusin në punë pikërisht atë zonë të trurit që u përgjigjet emocioneve. Ja disa prej këtyre mënyrave.

Hapni sytë

Tringëllin zilja e orës: jeni nga ata që …. edhe pesë minuta? Atëherë sipas mjekëve, le t’i përdorim këto minuta për të hyrë në kontakt me ditën e re, duke marrë frymë dalëngadalë: kështu perceptojmë trupin, riaktivizojmë energjinë dhe mund të përfitojmë ritmin e përditshëm psikofizik. Duhet ta dimë që kurdo që ta kemi programuar zilen e orës, zgjimi i trupit fillon diku rreth orës katër të mëngjesit, atëherë kur GH, hormoni i rritjes i prodhuar nga truri, fillon të shpërhapet nëpër trup, duke i stimuluar gjëndrat mbiveshkore të prodhojnë kortizonin, (hormoni i zgjimit). Presioni rritet dhe na vë në lëvizje. Pastaj vjen ngritja, kalohet nga shtrati për në tualet, nga dollapi në kuzhinë për të ngrënë mëngjesin (edhe pse ndoshta jo me këtë rend veprimesh), praktika të përditshme që i bëjmë në mënyrë automatike. Por në fakt ky është edhe momenti ideal i të ndjerit mirë me vetveten, momenti që ndikon ndoshta më shumë në vazhdimin e ditës. Veçanërisht momenti kur jemi vetëm në banjë. Këto janë minuta të çmueshme: nëse do t’ia vëmë veshin efektit mirëbërës që ka tek ne çdo gjest sado i vogël që i kushtohet kujdesit mëngjesor, atëherë do të kuptojmë se pikërisht këtu është vendi i duhur për të “peshkuar” energjinë e nevojshme.

Ç’ngjyrë të pëlqen?

Edhe zgjedhja e veshjes nuk është dhe aq rastësore, ka gjithmonë të bëjë me humorin tonë të momentit. Veshja është lëkura jonë e dytë. Prandaj është gabim i madh që të bësh gati që një natë përpara veshjen e së nesërmes, është më mirë ta kuptosh në mëngjes atë që të bën të ndihesh mirë. Dhe këtu ngjyra ka rëndësi të dorës së parë, sepse është pikërisht ajo që shpreh ndryshueshmëritë që syri i percepton për t’ia transmetuar pjesës së djathtë të trurit.

Karburanti

Eshtë mjaft i përhapur mendimi se kafeja është benzina që i jep ritmin e duhur ditës. Por mjekët nuk ndajnë të njëjtin mendim. Sepse kafeina, ashtu si dhe teina, janë përbërës që rrisin tensionin arterial, por nuk e vënë në veprim pompën e zemrës në atë mënyrë që mendohej. Nuk ekziston ndonjë mëngjes që të mund të quhej ideali, por në vend të kafesë një efekt tonik më të mirë mund ta jepte kripa, e cila me klorin dhe sodën rregullojnë osmozën e gjakut. Dhe kur dëgjoni fjalën kripë, nuk keni pse t’ju kapë paniku: janë mjaft të përshtatshëm corn-flakes-at, një tas i tillë ka po aq sodë sa një qese me patatina. Por nuk duhet të harrojmë edhe një tjetër gjë të rëndësishme: energjia ushqehet nga ndryshimet. Nëse çdo mëngjes marrim të njëjtën meny, nuk është çudi që ajo të mos vazhdojë të ketë të njëjtin efekt. Një ndryshim i herëpashershëm do të ishte i këshillueshëm.

Bota e jashtme

Një tjetër metodë që vlen edhe për rrugën shtëpi – punë – shtëpi: Ndryshimi i herëpashershëm i rrugës stimulon shikimin  dhe dëgjimin, dy nga motorët e energjisë që nuk duhen lënë kurrë të shkarkohen. Por zakonisht kemi edhe një tjetër ves: ndërsa ecim rrugës për në punë mendojmë për gjërat që na presin në zyrë… Mjekët na këshillojnë që këtë nuk duhet ta bëjmë kurrë, sepse duke menduar për detyrat që na presin, rrezikojmë të arrijmë të lodhur. Prandaj është mirë që ta heqim mendjen duke dëgjuar muzikë në kasetofonin e makinës apo edhe me kufje në vesh kur jemi në këmbë. Ose duke ecur, mund të çlodhemi duke parë rreth e rrotull.

Ndiqni pikun

Të dëgjosh instiktin, do të thotë të merresh me zbulimin e nevojave më të thella. Edhe në zyrë. Kështu mund të zbulojmë që në harkun e një dite ekziston një pik i energjisë maksimale. Ka nga ata njerëz që ndihen në maksimumin e formës që herët në mëngjes, të tjerë akoma në orët e vona të pasdites, dikush tjetër natën. Duke zbuluar pikërisht këtë pikë kur energjia jonë është në maksimum, mund të programojmë që punët më të koklavitura, takimet më të rëndësishme, provat apo sfidat t’i
bëjmë pikërisht në këtë kohë. Dhe një tjetër sekret: Nëse në një farë pike, ndërsa je i përqendruar në punë, fillon të ndjesh mërzi, është e nevojshme ta ndërpresësh për disa minuta, të marrësh frymë dhe ta spostosh vëmendjen drejt diçkaje tjetër. Ndoshta edhe tek muri përballë.

Nga dashuria tek ëndrrat

Një botim mjaft serioz si British Medical Journal ka zbuluar se 53 për qind e meshkujve dhe 58 për qind e femrave evropiane, nuk bëjnë seks pikërisht për faj të stresit. Por edhe për shkak të dembelizmit. E megjithatë, të bërit dashuri shpie në maksimumin e karikimit të energjisë.

Por nga ana tjetër, edhe gjumi ka veti mirëbërëse. Dhe sidomos pjesa e tij me ëndrra, të cilat luajnë rolin kryesor në eliminimin e skarcove të mendjes: shkarkojnë tensionet e ditës. Eshtë njësoj sikur të pastronim hard-disk -un e mendjes sonë nga të gjitha file-t që nuk na nevojiten më.