Sipas burimeve policore mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 23:35 në lagjen “15 Tetori”, në vendin e quajtur “Karabashi”, ku një automjet tip “Kamionçinë-Ford” me targë: AA604LZ, në pronësi të shtetasit S. Mustafaraj, 55 vjeç, ka shpërthyer me lëndë plasëse, ku për pasojë është dëmtuar pjesërisht mjeti dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar. Shtetasi S.M., e kishte parkuar automjetin në rrugën kryesore të kësaj lagjeje pranë shtëpisë së tij. Policia, në sajë të hetimeve intensive ka shpallur në kërkim vëllain e tij, shtetasin Tahir Mustafaraj, 59 vjeç.
Sipas hetimeve të kryera dyshohet se Tahir Mustafaraj të jetë autori kryesor në lidhje me ngjarjen pasi vëllezërit kanë patur konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie, konkretisht në lidhje me pronësinë e një banese të trashëguar nga babai i tyre. Dyshimi bazohet në deklaratën e të dëmtuarit S. Mustafaraj, i cili ka qenë i pajisur me Urdhër Mbrojteje pasi ndihej i kërcënuar në mënyrë të përsëritur nga vëllai i tij.