Serbi-Kosovë avancojnë drejt BE-së

79

StefanFuleNë Luksemburg është mbledhur Këshilli i radhës i Ministrave të BE-së. Këshilli i Punëve të Përgjithshme, ka rekomanduar unanimisht hapjen e Negociatave të Aderimit për Serbinë dhe hapjen e Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për Kosovën. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle ka mirëpritur angazhimet e BE-së, duke theksuar se, si Serbia po ashtu edhe Kosova kanë bërë hapa të vlerësueshme, drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. 

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Përgjithshme, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Fyle është prononcuar në lidhje me Serbinë dhe Kosovën. Ai deklaroi  për Serbinë, se Ministrat kanë rekomanduar unanimisht hapjen e negociatave në të njëjtën vijë me rekomandimet e Komisionit të muajit Prill. Fyle theksoi se, Komisioni Europian pret që të premten, Këshilli, i bazuar në këtë Rekomandim, të hapë formalisht negociatat e aderimit me Serbinë, duke shpjeguar edhe hapat që Konkluzionet përshkruajnë mbi këtë procedurë:

Së pari, Komisioni do të ftohet të prezantojë Kornizën Draft Negociuese pa vonesë dhe mund t’ju sigurojë se, ne jemi duke punuar me përkushtim mbi të, prej disa kohësh.

Së dyti, pas kësaj, i takon Këshillit të aprovojë kornizën negociuese, me synim mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare në Janarin e vitit të ardhshëm, më së shumti. Kjo nuk përjashton faktin, se mund të bëhet edhe më përpara dhe Komisioni Europian do të punojë shumë për ta bërë atë teknikisht të mundur, nëse aprovohet nga Shtetet Anëtare, në fillim të tetorit.

Së treti, neve do të na kërkohet gjithashtu të ndërmarrim shqyrtimin analitik të adaptimit të legjislacionit të BE-së duke i dhënë prioritet kapitujve 23 dhe 24 mbi të drejtat themelore dhe gjyqësorin, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si edhe kapitullin 25, i cili do të përdoret për të mbuluar normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kosovën”,- deklaroi Fyle në lidhje me Serbinë.

Për sa i përket Kosovës, Fyle deklaroi se, Ministrat ranë dakord për hapjen e negociatave mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe se mandati për Negociatat do të adoptohet formalisht këtë të premte, në të njëjtën kohë me Konluzionet e Keshillit Europian.

Jam i kënaqur të them se, ne kemi një mandat ambicioz në tavolinë, që përfshin të gjithë elementët e Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit: dialogun politik, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, politikën ekonomike dhe të tregut, dhe bashkëpunimin në një sërë fushash të tjera të rëndësishme”,- tha Fyle.

Komisioneri Fyle ka deklaruar gjithashtu, se i mirëpret këto vendime dhe angazhime të BE-së, sepse Beogradi dhe Prishtina kanë bërë hapa dhe përpjekje të paprecedent kundrejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Ai theksoi gjithashtu, se Konkluzionet e sotme njohin një sërë arritjesh nga të dy palët.

“Kjo është një ditë e mirë për të dy vendet. Ato janë angazhuar ndaj kushteve të vendosura dhjetorin e kaluar, dhe në pikëpamjen e Përfaqësueses së Lartë Ketrin Eshton dhe në pikëpamjen time, ato i kanë tejkaluar pritjet tona duke i vendosur marrëdhëniet e tyre mbi një balancë të re. E shikoj këtë vendim sot si një prove tjetër e kredibilitetit të procesit të zgjerimit: nëse partnerët angazhohen në detyrat e tyre të shtëpisë, BE, Shtetet Anëtare, angazhohen në lëvizjen e këtij partneri në fazën tjetër të procesit të aderimit ”,- deklaroi Fyle në lidhje me Kosovën.

Hapja e Negociatave të Aderimit me Serbinë dhe hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimm Asocimit me Kosovën, vjen në kuadrin e arritjes së Marrëveshjes së 19 prillit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve Serbi- Kosovë. Avancimi i mëtejshëm mbi këtë Marrëveshje, nëpërmjet aplikimit efikas të Planit të Zbatimit në terren, do të shënojë gjithashtu progrese paralele, në avancimin e kuadrit angazhues në nivel të BE-së.