RTSH, si t’ia kthejmë publikut*

46

alfred peza1Alfred Peza 

Shqipëria NUK ka sot “de facto” një transmetues publik. Një radio-televizion që ti shërbejë nevojave dhe interesave të pronarit të saj të vërtetë: Qytetarëve të kësaj Republike. Ai që ne sot e njohim si Radio Televizioni Publik Shqiptar, nuk është gjë tjetër, veçse një institucion që i ngjan asaj lopës që ushqehet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por qumështin dhe nën produketet e saj, i përfitojnë vetëm lidershipi i qeverive të radhës dhe disa nga drejtuesit kryesorë të institucionit. Kështu ka qenë dhe kështu është ende edhe sot, pas plot 23 vjetësh pluralizëm në këtë vend.
E gjithë bota e pas luftës së ftohtë është transformuar, ku më shumë e ku më pak, duke iu përshtatur rregullave të ekonomisë së tregut. Vetëm këtu në Shqipëri, mund të gjesh ende një institucion monist, që ushqehet me paratë e taksave kapitaliste. Funksionimi i të cilit buron nga Parlamenti pluralist, i një shteti me ekonomi tregu dhe e një vendi që po merr statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo korporatë e çuditshme quhet Radio Televizioni Shqiptar.
Transmetuesi ynë publik është punëdhënësi më i madh në Shqipëri, me mbi 1 000 punonjës, por me rendimentin më të ulët. Pasi shikueshmëria e tij është në kufijtë e 2-3 përqindëshit të totalit të tortës së shikueshmërisë së televizioneve. Megjithëse me kapitale që vlerësohen në mbi 1 miliardë euro dhe me histori mbi gjysëm shekullore, ky transmetues sot konkurohet në treg nga të gjitha radiot dhe televizionet private me histori 10- 15 vjeçare, e deri tek çdo kioskë mediatike një dhomë e kuzhinë, që kanë mbirë ngado.
Dikur ëndrra e çdo shqiptari për të dalë qoftë edhe një herë në ekranin e tij, sot turpi ynë kolektiv. Dikur ëndrra e çdo gazetari, e çdo të riu apo të reje që synonte gazetarinë, sot zgjedhja e tyre e fundit profesionale.
– Ç’farë duhet bërë me një institucion që ka 1 miliardë euro asete?
– Që e fillon 1 janarin e çdo viti me 10 milionë euro buxhet fillestar në arkë?
– Që ka të punësuar mbi 1 000 njerëz?
– Që ka shtrirjen më të madhe të sinjalit televiziv në një vend thellësisht malor si yni?
– DHE që ka arkivën filmike më të pasur në historinë e këtij vendi?
Sigurisht që ai duhet reformuar, mendojnë të gjithë. Por, ç’farë konsiderohet rëndom reformë në këtë vend? Aq më tepër sa herë që ka rrotacione pushteti si ky që realizuam pas zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti? Ndryshim i ca drejtuesve të zgjedhur nga një mazhorancë e djeshme, me disa të tjerë të zgjedhur nga mazhoranca e re që unë përfaqësoj sot? Vetëm ndryshim të kuajve të karrocës, për shkak edhe të ligjit, për të zëvendësuar anëtarët e vjetër të Këshillit Drejtues të RTSH me anëtarë të rinj? Kryetarin e këtij këshilli me një tjetër? Dhe drejtorin e përgjithshëm aktual me një drejtor të ri?
JO.
Eshtë koha për të reformuar thellësisht njëherë e përgjithmonë Radio Televizionin Shqiptar. Për tia rikthyer njëherë e përgjithmonë, pronarit të saj të vërtetë: Publikut shqiptar. Shpreh vullnetin e mazhorancës qeverisëse që përfaqësoj, se: Qeveria e Edi Ramës dhe mazhoranca e majtë që qeveris sot Shqipërinë, nuk kanë as më të voglën dëshirë dhe vullnet për të bërë në vijimësi me RTSH, atë që kanë bërë qeveritë dhe mazhorancat e derisotme. Ne shprehim angazhimin tonë të plotë, për të reformuar thellësisht, njëherë e përgjithmonë transmetuesin publik shqiptar. Për ta transformuar atë cilësisht ndryshe nga ana profesionale, strukturore, teknike dhe ligjore po qe nevoja. Si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Për ta futur njëherë e përgjithmonë edhe këtë institucion, në rrugën e pakthyeshme të shndërrimit në një nga instrumentet kryesore në dobi të opinionit publik shqiptar, si të gjitha mediat publike në shoqëritë e zhvilluara të epokës sonë.
Ne duhet të synojmë të shndërrojmë TVSH në garanten e sistemit të vlerave mediatike, vlerave tona kombëtare dhe profesionalizimit. Rregullatore të balancave në tregun e transmetimeve në përgjithësi dhe operatorëve televizive privatë në veçanti. Rruga drejt këtij objektivi, nuk do të jetë e thjeshtë. Përpara nesh ka shumë pengesa për të kapërcyer, mentalitete për të tejkaluar, interesa për të anashkaluar dhe kohë të humbur për të rikuperuar.
Një gjë është e sigurtë. Se kjo reformë nuk mund të realizohet as me terapi shoku, as me orën zero, as me skenarë grekë dhe as me shkopin magjik. Por, me durim, me profesionalizëm, me sa më pak dhimbje, por mbi të gjitha me vizion. Nëpërmjet një platforme gjithëpërfshirëse, projekti të qartë dhe strategjie që arrin të harmonizojë vlerat më të mira të së shkuarës dhe nevojave më të mëdha të së ardhmes.
Kjo reformë duhet të arrijë që ti afrojë qytetarëve shqiptarë, një transmetues publik sa më profesional, sa më të balancuar për informimin dhe argëtimin e tyre. Për ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe ecurinë e rrugëtimit tonë integrues. Një mundësi për të rirregulluar njëherë e përgjithmonë balancat e shprishura në tregun mediatik shqiptar. Vetëm në këtë mënyrë, militantizmi, klientelizmi, parcelizimi dhe dilitantizmi i sotëm do të zëvendësohen nesër, me magjinë e marrëdhënieve të kërkesë- ofertës së tregut. Mbi bazën e cilësisë, shikueshmërisë, vlerave dhe nevojave të opinionit publik shqiptar.
Modelet që ne mund të ndjekim për ta realizuar këtë reformë janë të shumta. Si në perendim ashtu edhe në ish lindjen komuniste. Ato mund të jenë një pasqyrë ku ne mund të shohim të ardhmen e RTSH. Një paqyrë që nuk duhet të na bëjë gjithësesi që ne të humbim vlerat, traditën, veçoritë dhe specifikat tona. Dixhitalizimi i transmetimeve radiotelevizive në Shqipëri deri në mesin e 2015, përveçse një proces detyrues në përpjekjet tona për përafrimin me Bashkimin Europian, është edhe një mundësi e artë, për të krijuar më shumë hapësira për transmetimet tona publike.
Sipas mendimit tim krejt personal, i zhveshur nga kostumi i deputetit të PS, por thjeshtë si ish gazetar televiziv mendoj se:
Kjo duhet të na çojë drejt ruajtjes së RTSH si një institucion me vlera të pacënuara mediatike mbarëkombëtare shqiptare. Duke i lënë hapësirë shfrytëzimit të kanaleve të tjera publike, për të plotësuar nga ana editoriale, nevojat e realitetit tonë politik dhe pluralist. Që do të thotë se RTSH në kanalin e pare qe ka patur dhe ka sot duhet ruajtur edhe net ë ardhmen. Por duke u reformuar plotesisht për të patur vlerat e paanësisë së plotë profesionale në transmetimet publike mbarëkombëtare shqiptare.
Ndërsa një kanal i dytë dhe një kanal i tretë i televizionit publik shqiptar, mund ti kenë të orientuara politikat e tyre editoriale, drejt pasqyrimit të qëndrimeve politike në interest ë publikut, njëra pranë mazhorancës dhe tjetra pranë opozitës. Duke krijuar në këtë mënyrë, jo një ekran të vetëm, por një buqetë transmetuesish publikë. Ku të harmonizohen pa interferuar tek njëra- tjetra, vlerat më të mira profesionale dhe pluraliste.
E gjitha kjo, duke menaxhuar shumë herë më mirë se deri më sot pasuritë, burimet teknike dhe financiare të transmetuesit publik. Pa patur nevojën e investimeve te reja të paparashikuara dhe duke mos ngritur asnjë lek, taksën që qytetarët e këtij vendi, paguajnë sot për aparatin televiziv. Kjo mbetet një çështje për tu diskutuar edhe përtej kësaj tryeze. Pasi vendimarrja për çështje të tilla, përveç të tjerash, kërkon edhe një vullnet të plotë dhe një pakt të madh politik mes mazhorancës dhe opozitës.
Pjesë e kësaj nevoje për një reformë të thellë, mund të jenë paralelisht, edhe kultivimi i kulturës së matjes së audiencave radiotelevizive, sondazheve dhe exit poll-eve, publikimit të detyrueshëm të tirazheve të gazetave dhe revistave, etj. Si një mundësi për të rritur transparencën, konkurencën reale në treg dhe për të rritur presionin pozitiv mbi mbi ligjvënësit, qeverisjen e vendit dhe politikbërësit në përgjithësi.
Eshtë nevojë urgjente që paralel me ndryshimin e drejtuesve të RTSH, të përgatitet një kornizë, një platformë apo një program remormash orientuese dhe detyruese për zbatim. Në mënyrë që ekipi i ri drejtues, që zgjidhet në fillim të vitit të ri, ta ketë në dorë, si një busull orientuese në rrugën e tyre të re. Një rrugë e gjatë pa kthim, drejt reformimit të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Deri në shndërrimin e tij të plotë, nga pronë e elitës qeverisëse të radhës, në pasuri të përbashkët të publikut shqiptar.

* Fjala e mbajtur sot në tryezën e organizuar nga OSBE për reformimin e transmetuesit publik shqiptar.