Ëndrra jonë, rruga e lumit të Vlorës

23

Albert Abazaj
Tungjatjeta, vendlindje! Lumi i Vlorës, i dashuri im, i bardhi im, që s’të këmbej të më falin botën, se një thërrime e frymës tënde të pastër, të ndershme e dinjtioze jam edhe unë! Emërmadhi im, Lumi i Vlorës që të kanë kujtuar e të kujtojnë për historitë e tua gjëmimtare e të varin dekorata, tituj, urdhëra e medalje gjithandej trupit tënd të thatë nga rrebeshet e të thantë në tufane … O hallemadhi im shekullor, që, si një transoqeanik gjigand natyror shtrihesh dritërueshëm e drithërueshëm nga Kuçi, “që ka hije të jetë fodull”, qysh nga “ato gryka, ato male,/ ku dhe zogu shkon ngadale”, siç këndonte Çajupi, deri në Vjosë, që ende e quajnë “perla e egër e Europës”. Këtyre hënave ka patur banorë që pa ardhur lumi!… Sa të ka dashur Atdheu, kërkonte : “Lum’ i Vlorës të më vijë!”…, apo sa herë të tjerët kanë patur nevojë për ty, lëshohej kushtrimi: “Dil, o Lum i Vlorës-o!”. Por, pastaj, vertikalët të harronin. Të paktën, të të hidhnin sytë. Mos i ndjekshin udhët mosmirënjohëse të të parëve këta të pasmit! … Përse vallë janë treguar kaq mosmirënjohës ndaj humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të këtyre banorëve të mirë, të urtë, të dashur, mikpritës e fisnikë të Lumit tim?! Vetëm të mira kanë parë të tjerët nga Lumasit. Mos i ndjekshin udhët mosmirënjohëse të të parëve këta të pasmit! … Po sa të duruar që janë këta njerëz! Sa duron mali me borë durojnë banorët e Lumit në Vlorë. Sa duron mali me borë! Janë, jo rrallë herë dhe naivë në besimin e tyre ndaj mikut, ndaj të madhit. Me këtë cilësi që mishërojnë këta banorë brezash, hipokritët e derrat e bukur abuzojnë. Prandaj aq të sertë bëhen këta labë kur ua ke me hile. Mos u dil përpara! Të vënë qylafin …

Lumi i Vlorës, krahinë etnografike – historike kompakte. Lugina e Lumit të Vlorës është cilësuar nga të tjerët, që janë marrë me traditat e zonës, si krahinë historike me banorë të ashpër. Të parët e këtyre anëve, siç kanë qenë, janë dhe do të jenë përmendore shpirtërore dhe standarde morale në memorjen e banorëve, se kanë bërë detyrën dhe historinë e tyre. Për këto cilësi të rralla dhe virtyte të larta, janë nderuar, sepse sakrificat kushtuar Atdheut qenë sublime. E vërteta është që banorët e kësaj krahine janë edhe artistë prej natyre, me botë të brendshme të pasur, me shpirt të pastër e të lirë si zogjtë që fluturojnë mbi qiellin e Lumit të Bardhë, që përshkon këtë krahinë etnografike të Labërisë së Brendshme, brenda formatit të kulturës materiale dhe jomateriale të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, (njërës nga dy grupimet e mëdha, të përbashkta etnike të quajtur Toskëri). Në mozaikun lirik të këtyre banorëve këngëtarë ndjen freskët e këndshëm aromën e malit e të lumit, të lulëkuqes e trëndelinës, sepse ata këndojnë, sipas mënyrës së tyre, ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të jetës me diell e furtunë, atje ku jetonin qyshkur, në malësi, në vërri; buzë lumit e në shkrepa të malit, me blegtori e bujqësi, ëmbël e me ndjenjë, dhembshur e me shpirt, që, kur i dëgjon, të rrëmbejnë, si me një magji gati hyjnore. Edhe pse me jo një logjikë binare (bardhë e zi), duke qenë një komunitet patriakal, bota e tyre lirike u këndon halleve e punës, gëzimeve dhe hidhërimeve të jetës, që nga lindja e djalit e dasma e tij deri tek vajet dhe këngët e përvajshme, ku përmbajtja e fuqishme emocionale, me ngarkesë të veçantë, interpretohet me një nivel të lartë artistik. Që nga kohët parake, nëpër rrjedhat e shekujve, në truallin e kësaj treve, kultura jomateriale në këngë e valle ka ardhur e mbushur trëndelinë e manushaqe shpirti të banorëve të kësaj treve aq të bukur e të fisme. Lumi i Vlorës njihet si një krahinë etnografike-historike kompakte, pjesë e së tërës në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, me përbashkimet e shumta dhe përveçimet e pakta të traditës foklorike, etnografike e dokësore, me një mozaik të pasur e të bukur fiziko-gjeografik, me male e vargmale, pllaja, fusha e fushëza. Banorëve e Lumit të Vlorës u thonë lumas e janë labë. Sipas Zojzit, “Labëria është krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë JP. Emërtimi është lidhur me emërtimin e hershëm etnik “Arbër”, që më vonë u zëvendësua nga emri “shqiptar”. Sipas traditës popullore, Labëria shtrihet brenda tri urave: Urës së Drashovicës (mbi lumin Shushicë), urës së Leklit (mbi lumin Drino) dhe Urës së lumit të Kalasës (në rrugën Sarandë-Delvinë)”.[1] Njëra nga tri urat dhe pikërisht Ura e Drashovicës, është porta për të hyrë në Luginën e Lumit të Vlorës, Shushicës apo Lumit të Bardhë, e cila përmendet në të dy luftërat që zhvilluan labët kundër pushtuesve italianë në verën e vitit 1920 dhe pushtuesve gjermanë në dimrin e vitit 1943. Në anë të urës së famshme, në rrugën e Lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë – Kurvelesh, është ngritur, i tëri në bronz, monumenti i bukur historik, që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme dhe banorët e quajnë “Harku i Triumfit shqiptar”. Lumi i Vlorës, si krahinë fillon aty ku buron Shushica, në Qafë të Dërrasës (950 mmd), Kuç dhe natyrshëm mbaron kur Lumi i Bardhë (81.6 km i gjatë, me sipërfaqe 132 km²) derdhet në Vjosë. Është në përbërje të Krahinës Malore Jugore, njërës nga katër krahinat (trevat e mëdha) gjeografike të Shqipërisë. Ndodhet në VP të Krahinës Malore Jugore, ndërmjet Malësisë së Kurveleshit nga Lindja dhe vargut Çikë- Lungarë nga Perëndimi. Nëse rajoni i Vlorës shtrihet në pjesën qendrore të zonës mesdhetare detare, Lumi i Vlorës përfshin këto katër nënzona klimatike: 1. nënzonën mesdhetare fushore qendrore, 2. nënzonën mesdhetare fushore jugore, 3. nënzonën mesdhetare kodrinore JL, 4. nënzonën mesdhetare malore jugore. Ultësira e Lumit dhe malësia, qysh nga parahistoria, epoka e gurit të ri (neolitit) “mijëvjeçari IV p.e.s.”[2] dëshmohet nga kalatë (fortesat), urat, gurët e mëdhenj, shpellat natyrore etj., se ka qenë e banuar nga fise parailire, e ilire amantine, me vazhdimësi arbërore në mesjetë e atë shqiptaro-labërore në kohët e derisotme. Krahina ka formën e një anije të madhe të gjelbër, ku përzihet ngjyra lirike blu me atë epike gri, në krahët e së cilës, në rrjedhën e mesme shtrihen dy vargmale, që u ngjajnë labërve që heqin vallen e rëndë të burrave në sy të vetëtimës. Në krahun e djathtë janë vargjet malorë Kurvelesh – Gribë, me majën më të lartë Këndrevicën (2122mmd), mali më i lartë i L.V. (njëkohësisht dhe i rrethit të Vlorës), ku është një vend i mirë për besimtarët e njerëzit që falen, në vendin e quajtur “Kurora e Malit”. Në faqen e majtë të luginës, ngrihen hijshëm vargmalet e Vetëtimës (Akrokeraunet), me majën më të lartë, që ngrihet si një kështjellë natyrale malin e Çikës, 2045mmd (i dyti në LV për nga lartësia, pas Këndrevicës dhe më i larti në Shqipërinë Jugperëndimore. Në pjesën e poshtme të Lumit, relievi është kodrinor me valëzime të lehta me lartësi nën 600 m. Klima është mesdhetare detare me dimër të butë e të lagët dhe verë të nxehtë e të thatë, ndërkohë që në rrjedha e sipërme e Lumit është ndër zonat më të lagështa të Shqipërisë (në Kuç regjistrohet sasia më e madhe e reshjeve (2400 mm/ vit). Me gjithë lëvizjet e popullsisë, sidomos pas proceseve demografike, në zonën e Lumit të Vlorës, që njihet si një nga hapësirat më me vlerë në qarkun e Vlorës edhe për resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, ka mbi 50.000 banorë që jetojnë në këtë trevë, të shpërndarë në 62 fshatra që lidhin Vlorën e Selenicën me Bregun në Himarë nëpërmjet luginës që përshkon Lumi i Shushicës (Vlorës). Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat e Gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vogël (e Vlorës), pra që nga burimi i Lumit në Kuç e deri sa derdhet në lumin e Vjosës, para se t’i bashkohet detit Adriatik. Me ndarjen e mëparshme admistrative në krahinën e Lumit përfshiheshin 7 komuna: Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen, të cilat Harta Administrative Territoriale e Republikës së Shqipërisë (2015) i reduktoi në njësi vendore të përfshira në tri bashki: Himarë, Selenicë e Vlorë (rrethi i Vlorës, qarku Vlorë). Këtyre hënave, labëve të rrjedhës së sipërme e të mesme të Lumit të Vlorës u thonë edhe himariotë, sepse Labëria dhe Himara janë përdorur si sinomime të njëra-tjetrës në kohë të ndryshme. Himara është quajtur Labëri e Jashtme apo Labëri Bregdetare, ndërsa Lumi i Vlorës – Labëri e Brendshme (pjesë e Labërisë së Brendshme). Nga shekujt vjen jehona e këngës: “Që në Gumenicë e lartë/ Himarë i thonë çdo fshat”[3]…

Ndër 12 zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë, 6 krahinëza etnografike janë përbërëse të Lumit të Vlorës: 1. Kurveleshi i Poshtëm, 2. Mesapliku, 3. Drashovica, 4. Topalltia, 5. Gorishti, 6. Kudhësi. E paraqitëm këtë tablo të përgjithshme të trevës për të mbështetur idenë, që njeriu përshtatet me mjedisin ku jeton, jep e merr me të. Lumi i Vlorës siç ka një mozaik të bukur të panoramës gjeofizike, ashtu e ka edhe mozaikun e panoramës së kulturës materiale dhe jo materiale, atë artistike, shpirtërore – të bukur e të begatë. Me kohë e ka merituar të ketë kushte për të shijuar përparësitë e mundshme nga bujqësia, blegtoria, agroturizmit, turizmit familjar dhe turizmi etnokulturor, sepse ka malin, fushën dhe lumin.

Historiku i Rrugës, lëvizjet, letrat dhe premtimet. Ndoshta jo më kot m’u kujtuan vargjet e Kadaresë: “Ç’kërkonte shqiptari në shekuj?!/ Pak bukë, pak dritë dhe pak hekur…”. Labët e Lumit të Vlorës, kohërash i kanë siguruar me forcat e tyre nevojat jetike. Edhe sot. Kush ka investuar për këtë zonë? Kur? Çfarë? Çfarë kanë përfituar të tjerët nga kjo zonë? Që nga politika, shteti, qyteti e Atdheu. Banorët e kanë bërë detyrën e tyre ndaj Atdheut. Po vertikaliteti ynë hierarkik e ka parë me shpërfillje këtë trevë, larë me gjak lirie për dritë përparimi e mirësie. Çfarë ka përfituar krahina, krahasuar me simotrat shqiptare, apo qoftë dhe me Himarën, që vetëm vargmali i Vetëtimës i ndan dhe gjithçka tjetër e bashkon?! “Ç’kërkonte banori i Lumit në shekuj?! Rrugën, vetëm rrugën, se të tjerat vetë i ka gjetur…” Marrim shkas nga ky realitet, që po shkon në arkivat e historisë lokale dhe heqim një paralele, jo metaforike por jetësore. Mbahet mend se, qysh në fillim të vitit 2013 deputeti i asaj kohe i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi ka prezantuar studimin konceptual për zonën e Lumit të Vlorës. Ishte një studim konkret në lidhje me gjendjen dhe nevojën e ndërhyrjes në këtë luginë të bekuar nga natyra, të ngopur me premtime, por realisht të papërfillur nga udhëheqjet e çdo ngjyrimi politik deri në ato çaste. U tha se nga ky projekt pritet që të përfitojnë 50 mijë banorë të 100 fshatrave të cilët përballen me një infrastrukturë të shkatërruar. Sipas Toçit ky diskriminim i kësaj zone ishte bërë vetëm për arsye politike. Pas ndërhyrjeve në rrugët e kësaj zone pritet t’i jepet hov zhvillimit të turizmit duke ndikuar kështu edhe në mirëqënien e familjeve vlonjate. Pikërisht në atë periudhë u botua dhe libri studimor “Një rrugë për banorët e Lumit të Vlorës” në trajtën e një guide me autor Fatmir Toçin nga Shtëpia Botuese “Toena”, shkurt 2013, 120 f., me ilustrime me ngjyra. Paradigma e librit është: “Krahina e Lumit të Vlorës, me gati 100 fshatra, ajo që është quajtur në shekuj si zemra e Labërisë, është dënuar të vdesë e të shuhet për një rrugë. Pesëdhjetë mijë banorë kanë vetëm një kërkesë e një dëshirë: të kenë si gjithë të tjerët një rrugë për të qenë. Për hir të saj krahina po venitet e izoluar si asnjë krahinë tjetër në këtë vend. Para pak vitesh u hoq nga harta e banimit fshati i parë i saj, Vërmiku, një vendbanim alpin e aq piktoresk sa do ta kishte zili gjithkush ta kishte në atlaset e saj turistikë. Fshatrat e tjerë po japin shpirt dita-ditës. Për një rrugë që është vetëm 65 km, që është lehtësisht e ndërtueshme sepse kalon në fushë, buzë lumit dhe ka një kosto modeste për një shtet”. Rehabilitimi i rrugës do të bëhet pothuaj në atë shtrat që guxoi ta thoshte e ta mbronte, që në kohën e Zogut e para mbretit burri i urtë i Vranishtit Rrapo Meto Premtaj. Në kohën e Enverit, u punua me vetmohim e sakrifica dhe rruga u bë sipas kritereve të kohës e rregullt e sipas mundësisve që ishin, por më tej sikur e harruan përkujdesjen ndaj saj. Postdemokracia erdhi me vrull e furtunë edhe në këtë zonë dhe makina e rënda shkonin e vinin si në shtëpi të tyre. Por rruga nuk ishte planifikuar për to. Duhej një projekt i përditësuar, i dobishëm e vizionar. Rrugës iu prish eleganca funksionale, saqë segmente të caktuara u bënë gangrenë jo vetëm për makinat e vogla, por edhe për furgonat e linjës. Ideja e rehabilitimit u hodh në kohën e fundme të Qeverisë Berisha, por nuk u realizua. Gjasat janë që Qeveria Rama 2 të ketë nderin, të gëzojë statusin dhe të meritojë respektin popullor të kësaj zone për Rrugën me Standarde të Lumit. Angazhimet vertikale dhe lobimet e vlonjatëve e labëve të Lumit me influencë në Tiranë sollën vëmendjen serioze vertikale. Personat kyç të kontaktit mbeten z. Benet Beci – Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Arben Ahmetaj – ministri i Financave, patjetër kryeministri Rama me shpresa tek burimi, thesari i duhur- Kuvajti. Meritojnë mirënjohjen vlonjatët tanë të Tiranës: kryetari i KLSH Bujar Leskaj, ministri Damian Gjiknuri, deputeti i zonës Vullnet Sina, paharruar mikun e kryeministrit – Mezan Malaj etj. Këta dëgjojmë e shohim që flasin, lëvizin, janë të interesuar. Por nuk është koha të ndajmë dekoratat tani. Aty janë ato. Nëse mbaruan, prodhojmë të tjera … Rroftë e qoftë Industria e Dekoratave! Banorët duan rrugën. Në një gjatësi prej 94 kilometrash. Në fund dekoratat dhe, kur të mbarojë puna, mirënjohja e përhershme. Me financimin e siguruar për ndërtimin e rrugës së lumit të Vlorës nuk duhet abuzuar, sepse, Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese kredinë prej 30 milionë dollarësh dhënë nga Fondi Saudit për Zhvillim, për segmentin e fundit të kësaj rruge, e miratoi për Rrugën me Standarde. Kredia prej 30 milionë dollarë është me terma të butë dhe përmbush plotësisht financimin e kësaj vepre, e cila po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas projektit, rruga përfundon në vitin 2020. Ky aks, i cili nis në Vlorë dhe përfundon në Qeparo përveçse lehtëson banorët e shumë fshatrave në këtë zonë, siguron një lidhje të re për bregdetin e Jonit. Njoftimet e bukura nuk reshtin. Njoftimet optimiste nisin nëpërmjet shtypit të shkruar dhe atij online. Ky projekt do të shërbejë si korridor i perspektivës së zhvillimit social – ekonomik të të gjithë rajonit dhe gjithashtu do të sjellë edhe një zhvillim rural për të gjithë komunitetin e bashkisë së Vlorës, Selenicës dhe Himarës, si dhe do të ulë kostot e udhëtimit për banorët. Projekti ka një kosto të përgjithshme prej 72.000.000 USD-sh, pa përfshirë këtu TVSH-në, vlera e së cilës do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa huaja e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim, kap vlerën e afërsisht 30 milionë dollarëve.

Realiteti. Është punuar. Puna duket. Ndryshimi preket. Vetëm qorri s’e sheh, vetëm shurdhi s’ e dëgjon. Janë bërë vepra arti të rëndësishme gjatë gjithë segmentit të lotit të parë. Është ngritur traseja dhe është skarpatuar sipas standardeve, ku është dashur është devijuar rruga, si psh., te ish-kthesat e bezdisshme të qafës së Dushkut etj., janë vendosur tombino, janë ngritur e po ngrihen ura e vepra të tjera arti. Punë vërtet heroike. Është marrë me tërë mend nga kjo qeveri, thonë banorët dhe, rrugën e Lumit, o e bën Edi Rama, o s’ka për ta bërë kush, kurrë! Por … Këtu duhet të ishim?! Është folur shumë. Është shkruar shumë. U fol edhe për abuzime. Për zhavorrin e lumit Shushicë … U fol, u shkrua dhe u pa se nga mesmarsi që lane pas “U ndërprenë punimet. Ndodhi që gjashtë muaj pas nisjes të pezullohet rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës. U tha se prokuroria lokale, ka vënë në hetim kompaninë që fitoi tenderin për lotin e parë dhe nënkontraktorët shqiptarë. Dyshohej për shfrytëzim të paligjshëm të basenit të lumit Vjosë. U tërhoqën të gjitha mjetet e firmës nga terreni dhe puna u pezullua. Në të gjithë gjatësinë e rrugës nuk punohej, pasi zhavorri me të cilën shtrohet baza e lotit të parë, sipas prokurorisë nxirrej në shkelje të ligjit. Nuk pati asnjë fadromë, ndryshe nga pak kohë më parë, ku eksvatorët gërmonin deri afër Urës së Drashovicës. Për rrugën u zhvillua një tender ndërkombëtar, por zbatuesit e projektit me vlerë 2,002,817,718.47 lek zgjodhën të dëmtojnë lumin për të shtruar rrugën në anë të tij. Invsestimi përfshin një gjatësi prej rreth 24 km, vetëm në lotin e parë të investimit që përfundon në fshatin Gjorm, kurse loti i dytë pritet ende të nderohet”. [Burimi: “Abc neës”, 13/03/2018].

Në festën tradicionale të Amantias, më 26 maj 2018, deputeti i zonës Vullnet Sinaj premtoi para popullit të krahinës së Lumit, se më 1 qershor punimet rifillojnë me të gjitha forcat dhe mjetet e mundshme dhe më 1 shtator përfundon loti i parë deri në Gjorm. Edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi kantierin e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës thotë se pas zgjidhjes së ngërçit të krijuar pak kohë më parë me punimet e projektit, aktualisht është asfaltuar një pjesë e segmentit Bypass-i i Vlorës-Peshkëpi-Gjorm ndërsa deri në vjeshtë pritet të përfundojë asfaltimi për të gjithë LOT-in e parë prej rreth 23 kilometrash. “Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe siç u informova nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, procedurat për dy lotet e tjera janë drejt përfundimit, do të thotë që brenda këtij viti ose le të themi maksimumi fillim vitin tjetër do të nisin punimet edhe për segmentet e mbetura”, u shpreh ministri Gjiknuri. Sipas tij, projekti do të përfundojë plotësisht në një periudhë kohore prej dy vitesh. “Brenda dy viteve kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë zonën e Lumit të Vlorës, për zonën e Bregdetit. Bashkë me zhvillimet e tjera infrastrukturore në Vlorë, me ato që po bën qeveria shqiptare do të krijojë një ndërlidhje shumë të mirë nga pikëpamja e mobilitetit, infrastrukturës dhe realisht do të sjellë një zhvillim ekonomik për të gjithë zonën”, nënvizoi Gjiknuri. Segmenti i parë ku po kryhet asfaltimi ka një gjatësi prej afro 23 kilometra dhe shtrihet nga fshati Sherishtë deri në fshatin Gjorm. Segmenti i dytë 27.1 kilometra shtrihet nga Ura e Gjormit – Brataj – Ura e Laskos ndërsa segmenti i tretë prej 23.7 kilometra vazhdon nga Ura e Laskos – Qeparo & Ura e Laskos – Kuç. Këto dy segmente aktualisht janë në procedurat e fundit të tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Segmenti i fundit i rrugës është ai Peshkëpi – Selenicë – Superstradë me gjatësi 16.4 kilometra për të cilën Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përzgjedh konsulentin dhe mbikëqyrësin e punimeve për të shpallur më pas tenderin e punimeve. Gjatë inspektimit qytetar, vullnetar Vlorë – Qishbardhë – Peshkëpi – Drashovicë – Kotë – Gjorm – Brataj (10-11.06.2018, me autobuz të Kuçit, shkojmë në Tërbaç), vërejtëm se vërtet qershori është shndërruar në një muaj pune me përkushtim, me përqëndrim forcash e mjetesh, me synim në sy – Gjormin për vjeshtën e këtij viti. Është bërë punë titanike. Ndoshta edhe qorri i sheh. Dhe shurdhi s’ka ç’bën do ta dëgjojë zhurmën e ritmeve të mjeteve në përforcim të njerëzve, heronj të heshtur që bëjnë Rrugën e Lumit me Standarde. Fotografitë janë të përditësuara deri në çastin që e pamë vetë me sy rrugën, njerëzit, mjetet, punën. Ndihet mirë njeriu kështu. Motivohet. Nëse ritmi i punës dhe përgjegjësia në punë nga të gjitha hallkat nuk ulet, qëllimi është i realizueshëm brenda kohës së premtuar.

Shpresa. Epilog. Thonë që shpresa vdes e fundit. Për labët e Lumit të Vlorës, shpresa nuk vdes kurrë. Ikën njeriu dhe fizikisht dhe ajo rron si shpirt besimi në breza. Nuk e di përse më shpërfaqet herë-herë ajo klithma migjeniane: “Deri kur ma?!, por, nuk dua ta kujtoj. Kam besim. Bir i Lumit jam dhe unë. Ndërkohë edhe himariot historikisht si krahinë etnografike, aq më tepër sot, që të pesë fshatrat e rrjedhës së sipërme të Lumit (Kuçi me fshat e Buronja, Kallarati, Bolena, Vranishti dhe Tërbaçi im (ish-komuna Horë) janë pjesë adminstrativo-territoriale e bashkisë Himarë. Thyhen në besim himariotët prapa malit, kur kuptojnë që ka shikim me dy standarde. Për himariotët e detit ka përparësi për turizmin dhe zhvillimin qytetar, krijohen mikroqendra urbane deri në Pilur e në Kudhës dhe shumë mirë veprohet. Edhe ne, patjetër që ndjejmë kënaqësi. Por, gjykohet se është mirë, që edhe himariotët prapa malit të shikohen me syrin e nënës, jo të njerkës. Banorët e këtyre fshatarve nuk ankohen shumë, pak kërkojnë, por nuk është mirë ta ndjejnë veten bonjakë nga qeverimi (si deri tani), nuk është e drejtë që janë edhe prapa liste, jo në ², por në ³. Nuk banojnë pesë çobanë në këto hapërisa, por njerëz vitalë, me vlera të larta humane, shumë të fismë, që durojnë shumë e besojnë shume tek fjala e burrit. Nuk janë të paduruar, si thonë ca, por… Janë sa të thjeshtë aq kryelartë e rebelë, me virtyte e cilësi të larta, që kur i ka thirrur historia kanë bërë emër të lartë dhe janë kthyer në simbole lirie e diturie.

Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me këto vargje, shkruar në Vlorë më 1 mars 2017, [botuar për herë të parë: gazeta “Telegraf”, e shtunë, 04 mars 2017, Viti XII i botimit, Nr. 49 (3459), f. 26]:

Rapsodi e vogël për Lajmin e Rrugës së Lumit të Vlorës

Nga Albert HABAZAJ

Tungjatjeta me diell nga Vlora, vajza e madhe e Lumit të Vlorës!

Kush na vlerëson, si ne, e mbajmë në pëllëmbë të dorës.

Njoftimi vjen entusiast, i shumëpritur, me kohë i merituar,

Se për liri e përparim si krahina jonë kush ka luftuar?!

“E ç’ kërkonte” labi i Lumit të Vlorës “në shekuj”,

Rrugën për të lëvizur me dinjitet, jo si të mekur,

Se të parët bënë histori, që djal’ pas djali,

Ta gëzojnë pasardhësit e tyre dhe jo djalli,

Se Lumi i Vlorës qe me nam, Vatra e Idealit,

Jo të mirrte mallkimin e Çikës e Kurorës së malit.

Po, këtyre hënave, lart Vlore thuhet në fjalë:

Notari duket jo kur futet në det, por në të dalë.

Lajmi është i gëzuar, na bën me krahë shqiponje,

Pastë uratën e trimave kush i kthen nderin kësaj Zone!

Nderojmë ata që na nderojnë Vatrën!

[1]
) Zojzi, Rrok: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2”, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008, f. 1442;

Zojzi, Rrok: “Etnografia shqiptare, 1”, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, 1962, f. 56, 58-61.

[2]
) Trushaj, Aleks: “Gjurmë të prehistorisë në rrjedhën e sipërme të Shushicës”. Shih: “Vlora në rrjedhat e kohës: Konferencë shkencore”, Tiranë, Toena, 2001, f. 45.

[3]
) Rrapaj, Fatos Mero: “Mbledhës të folkorit, vëll.8, Këngë popullore të Labërisë”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RSH, Instituti i Kulturës Popullore, 1991, nr. 695, f. 772.
Publikuar ne VOAL