Tungjatjeta, vendlindje! Lumi i Vlorës, i dashuri im, i bardhi im, që s’të këmbej të më falin botën, se një thërrime e frymës tënde të pastër, të ndershme e dinjtioze jam edhe unë! Emërmadhi im, Lumi i Vlorës që të kanë kujtuar e të kujtojnë për historitë e tua gjëmimtare e të varin dekorata, tituj, urdhëra e medalje gjithandej trupit tënd të thatë nga rrebeshet e të thantë në tufane … O hallemadhi im shekullor, që, si një transoqeanik gjigand natyror shtrihesh dritërueshëm e drithërueshëm nga Kuçi, “që ka hije të jetë fodull”, qysh nga “ato gryka, ato male,/ ku dhe zogu shkon ngadale”, siç këndonte Çajupi, deri në Vjosë, që ende e quajnë “perla e egër e Europës”. Këtyre hënave ka patur banorë që pa ardhur lumi!… Sa të ka dashur Atdheu, kërkonte : “Lum’ i Vlorës të më vijë!”…, apo sa herë të tjerët kanë patur nevojë për ty, lëshohej kushtrimi: “Dil, o Lum i Vlorës-o!”. Por, pastaj, vertikalët të harronin. Të paktën, të të hidhnin sytë. Mos i ndjekshin udhët mosmirënjohëse të të parëve këta të pasmit! … Përse vallë janë treguar kaq mosmirënjohës ndaj humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të këtyre banorëve të mirë, të urtë, të dashur, mikpritës e fisnikë të Lumit tim?! Vetëm të mira kanë parë të tjerët nga Lumasit. Mos i ndjekshin udhët mosmirënjohëse të të parëve këta të pasmit! … Po sa të duruar që janë këta njerëz! Sa duron mali me borë durojnë banorët e Lumit në Vlorë. Sa duron mali me borë! Janë, jo rrallë herë dhe naivë në besimin e tyre ndaj mikut, ndaj të madhit. Me këtë cilësi që mishërojnë këta banorë brezash, hipokritët e derrat e bukur abuzojnë. Prandaj aq të sertë bëhen këta labë kur ua ke me hile. Mos u dil përpara! Të vënë qylafin …
Lumi i Vlorës, krahinë etnografike – historike kompakte. Lugina e Lumit të Vlorës është cilësuar nga të tjerët, që janë marrë me traditat e zonës, si krahinë historike me banorë të ashpër. Të parët e këtyre anëve, siç kanë qenë, janë dhe do të jenë përmendore shpirtërore dhe standarde morale në memorjen e banorëve, se kanë bërë detyrën dhe historinë e tyre. Për këto cilësi të rralla dhe virtyte të larta, janë nderuar, sepse sakrificat kushtuar Atdheut qenë sublime. E vërteta është që banorët e kësaj krahine janë edhe artistë prej natyre, me botë të brendshme të pasur, me shpirt të pastër e të lirë si zogjtë që fluturojnë mbi qiellin e Lumit të Bardhë, që përshkon këtë krahinë etnografike të Labërisë së Brendshme, brenda formatit të kulturës materiale dhe jomateriale të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, (njërës nga dy grupimet e mëdha, të përbashkta etnike të quajtur Toskëri). Në mozaikun lirik të këtyre banorëve këngëtarë ndjen freskët e këndshëm aromën e malit e të lumit, të lulëkuqes e trëndelinës, sepse ata këndojnë, sipas mënyrës së tyre, ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të jetës me diell e furtunë, atje ku jetonin qyshkur, në malësi, në vërri; buzë lumit e në shkrepa të malit, me blegtori e bujqësi, ëmbël e me ndjenjë, dhembshur e me shpirt, që, kur i dëgjon, të rrëmbejnë, si me një magji gati hyjnore. Edhe pse me jo një logjikë binare (bardhë e zi), duke qenë një komunitet patriakal, bota e tyre lirike u këndon halleve e punës, gëzimeve dhe hidhërimeve të jetës, që nga lindja e djalit e dasma e tij deri tek vajet dhe këngët e përvajshme, ku përmbajtja e fuqishme emocionale, me ngarkesë të veçantë, interpretohet me një nivel të lartë artistik. Që nga kohët parake, nëpër rrjedhat e shekujve, në truallin e kësaj treve, kultura jomateriale në këngë e valle ka ardhur e mbushur trëndelinë e manushaqe shpirti të banorëve të kësaj treve aq të bukur e të fisme. Lumi i Vlorës njihet si një krahinë etnografike-historike kompakte, pjesë e së tërës në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, me përbashkimet e shumta dhe përveçimet e pakta të traditës foklorike, etnografike e dokësore, me një mozaik të pasur e të bukur fiziko-gjeografik, me male e vargmale, pllaja, fusha e fushëza. Banorëve e Lumit të Vlorës u thonë lumas e janë labë. Sipas Zojzit, “Labëria është krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë JP. Emërtimi është lidhur me emërtimin e hershëm etnik “Arbër”, që më vonë u zëvendësua nga emri “shqiptar”. Sipas traditës popullore, Labëria shtrihet brenda tri urave: Urës së Drashovicës (mbi lumin Shushicë), urës së Leklit (mbi lumin Drino) dhe Urës së lumit të Kalasës (në rrugën Sarandë-Delvinë)”.[1] Njëra nga tri urat dhe pikërisht Ura e Drashovicës, është porta për të hyrë në Luginën e Lumit të Vlorës, Shushicës apo Lumit të Bardhë, e cila përmendet në të dy luftërat që zhvilluan labët kundër pushtuesve italianë në verën e vitit 1920 dhe pushtuesve gjermanë në dimrin e vitit 1943. Në anë të urës së famshme, në rrugën e Lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë – Kurvelesh, është ngritur, i tëri në bronz, monumenti i bukur historik, që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme dhe banorët e quajnë “Harku i Triumfit shqiptar”. Lumi i Vlorës, si krahinë fillon aty ku buron Shushica, në Qafë të Dërrasës (950 mmd), Kuç dhe natyrshëm mbaron kur Lumi i Bardhë (81.6 km i gjatë, me sipërfaqe 132 km²) derdhet në Vjosë. Është në përbërje të Krahinës Malore Jugore, njërës nga katër krahinat (trevat e mëdha) gjeografike të Shqipërisë. Ndodhet në VP të Krahinës Malore Jugore, ndërmjet Malësisë së Kurveleshit nga Lindja dhe vargut Çikë- Lungarë nga Perëndimi. Nëse rajoni i Vlorës shtrihet në pjesën qendrore të zonës mesdhetare detare, Lumi i Vlorës përfshin këto katër nënzona klimatike: 1. nënzonën mesdhetare fushore qendrore, 2. nënzonën mesdhetare fushore jugore, 3. nënzonën mesdhetare kodrinore JL, 4. nënzonën mesdhetare malore jugore. Ultësira e Lumit dhe malësia, qysh nga parahistoria, epoka e gurit të ri (neolitit) “mijëvjeçari IV p.e.s.”[2] dëshmohet nga kalatë (fortesat), urat, gurët e mëdhenj, shpellat natyrore etj., se ka qenë e banuar nga fise parailire, e ilire amantine, me vazhdimësi arbërore në mesjetë e atë shqiptaro-labërore në kohët e derisotme. Krahina ka formën e një anije të madhe të gjelbër, ku përzihet ngjyra lirike blu me atë epike gri, në krahët e së cilës, në rrjedhën e mesme shtrihen dy vargmale, që u ngjajnë labërve që heqin vallen e rëndë të burrave në sy të vetëtimës. Në krahun e djathtë janë vargjet malorë Kurvelesh – Gribë, me majën më të lartë Këndrevicën (2122mmd), mali më i lartë i L.V. (njëkohësisht dhe i rrethit të Vlorës), ku është një vend i mirë për besimtarët e njerëzit që falen, në vendin e quajtur “Kurora e Malit”. Në faqen e majtë të luginës, ngrihen hijshëm vargmalet e Vetëtimës (Akrokeraunet), me majën më të lartë, që ngrihet si një kështjellë natyrale malin e Çikës, 2045mmd (i dyti në LV për nga lartësia, pas Këndrevicës dhe më i larti në Shqipërinë Jugperëndimore. Në pjesën e poshtme të Lumit, relievi është kodrinor me valëzime të lehta me lartësi nën 600 m. Klima është mesdhetare detare me dimër të butë e të lagët dhe verë të nxehtë e të thatë, ndërkohë që në rrjedha e sipërme e Lumit është ndër zonat më të lagështa të Shqipërisë (në Kuç regjistrohet sasia më e madhe e reshjeve (2400 mm/ vit). Me gjithë lëvizjet e popullsisë, sidomos pas proceseve demografike, në zonën e Lumit të Vlorës, që njihet si një nga hapësirat më me vlerë në qarkun e Vlorës edhe për resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, ka mbi 50.000 banorë që jetojnë në këtë trevë, të shpërndarë në 62 fshatra që lidhin Vlorën e Selenicën me Bregun në Himarë nëpërmjet luginës që përshkon Lumi i Shushicës (Vlorës). Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat e Gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vogël (e Vlorës), pra që nga burimi i Lumit në Kuç e deri sa derdhet në lumin e Vjosës, para se t’i bashkohet detit Adriatik. Me ndarjen e mëparshme admistrative në krahinën e Lumit përfshiheshin 7 komuna: Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen, të cilat Harta Administrative Territoriale e Republikës së Shqipërisë (2015) i reduktoi në njësi vendore të përfshira në tri bashki: Himarë, Selenicë e Vlorë (rrethi i Vlorës, qarku Vlorë). Këtyre hënave, labëve të rrjedhës së sipërme e të mesme të Lumit të Vlorës u thonë edhe himariotë, sepse Labëria dhe Himara janë përdorur si sinomime të njëra-tjetrës në kohë të ndryshme. Himara është quajtur Labëri e Jashtme apo Labëri Bregdetare, ndërsa Lumi i Vlorës – Labëri e Brendshme (pjesë e Labërisë së Brendshme). Nga shekujt vjen jehona e këngës: “Që në Gumenicë e lartë/ Himarë i thonë çdo fshat”[3]…
Ndër 12 zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë, 6 krahinëza etnografike janë përbërëse të Lumit të Vlorës: 1. Kurveleshi i Poshtëm, 2. Mesapliku, 3. Drashovica, 4. Topalltia, 5. Gorishti, 6. Kudhësi. E paraqitëm këtë tablo të përgjithshme të trevës për të mbështetur idenë, që njeriu përshtatet me mjedisin ku jeton, jep e merr me të. Lumi i Vlorës siç ka një mozaik të bukur të panoramës gjeofizike, ashtu e ka edhe mozaikun e panoramës së kulturës materiale dhe jo materiale, atë artistike, shpirtërore – të bukur e të begatë. Me kohë e ka merituar të ketë kushte për të shijuar përparësitë e mundshme nga bujqësia, blegtoria, agroturizmit, turizmit familjar dhe turizmi etnokulturor, sepse ka malin, fushën dhe lumin.
Në festën tradicionale të Amantias, më 26 maj 2018, deputeti i zonës Vullnet Sinaj premtoi para popullit të krahinës së Lumit, se më 1 qershor punimet rifillojnë me të gjitha forcat dhe mjetet e mundshme dhe më 1 shtator përfundon loti i parë deri në Gjorm. Edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi kantierin e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës thotë se pas zgjidhjes së ngërçit të krijuar pak kohë më parë me punimet e projektit, aktualisht është asfaltuar një pjesë e segmentit Bypass-i i Vlorës-Peshkëpi-Gjorm ndërsa deri në vjeshtë pritet të përfundojë asfaltimi për të gjithë LOT-in e parë prej rreth 23 kilometrash. “Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe siç u informova nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, procedurat për dy lotet e tjera janë drejt përfundimit, do të thotë që brenda këtij viti ose le të themi maksimumi fillim vitin tjetër do të nisin punimet edhe për segmentet e mbetura”, u shpreh ministri Gjiknuri. Sipas tij, projekti do të përfundojë plotësisht në një periudhë kohore prej dy vitesh. “Brenda dy viteve kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë zonën e Lumit të Vlorës, për zonën e Bregdetit. Bashkë me zhvillimet e tjera infrastrukturore në Vlorë, me ato që po bën qeveria shqiptare do të krijojë një ndërlidhje shumë të mirë nga pikëpamja e mobilitetit, infrastrukturës dhe realisht do të sjellë një zhvillim ekonomik për të gjithë zonën”, nënvizoi Gjiknuri. Segmenti i parë ku po kryhet asfaltimi ka një gjatësi prej afro 23 kilometra dhe shtrihet nga fshati Sherishtë deri në fshatin Gjorm. Segmenti i dytë 27.1 kilometra shtrihet nga Ura e Gjormit – Brataj – Ura e Laskos ndërsa segmenti i tretë prej 23.7 kilometra vazhdon nga Ura e Laskos – Qeparo & Ura e Laskos – Kuç. Këto dy segmente aktualisht janë në procedurat e fundit të tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Segmenti i fundit i rrugës është ai Peshkëpi – Selenicë – Superstradë me gjatësi 16.4 kilometra për të cilën Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përzgjedh konsulentin dhe mbikëqyrësin e punimeve për të shpallur më pas tenderin e punimeve. Gjatë inspektimit qytetar, vullnetar Vlorë – Qishbardhë – Peshkëpi – Drashovicë – Kotë – Gjorm – Brataj (10-11.06.2018, me autobuz të Kuçit, shkojmë në Tërbaç), vërejtëm se vërtet qershori është shndërruar në një muaj pune me përkushtim, me përqëndrim forcash e mjetesh, me synim në sy – Gjormin për vjeshtën e këtij viti. Është bërë punë titanike. Ndoshta edhe qorri i sheh. Dhe shurdhi s’ka ç’bën do ta dëgjojë zhurmën e ritmeve të mjeteve në përforcim të njerëzve, heronj të heshtur që bëjnë Rrugën e Lumit me Standarde. Fotografitë janë të përditësuara deri në çastin që e pamë vetë me sy rrugën, njerëzit, mjetet, punën. Ndihet mirë njeriu kështu. Motivohet. Nëse ritmi i punës dhe përgjegjësia në punë nga të gjitha hallkat nuk ulet, qëllimi është i realizueshëm brenda kohës së premtuar.
Shpresa. Epilog. Thonë që shpresa vdes e fundit. Për labët e Lumit të Vlorës, shpresa nuk vdes kurrë. Ikën njeriu dhe fizikisht dhe ajo rron si shpirt besimi në breza. Nuk e di përse më shpërfaqet herë-herë ajo klithma migjeniane: “Deri kur ma?!, por, nuk dua ta kujtoj. Kam besim. Bir i Lumit jam dhe unë. Ndërkohë edhe himariot historikisht si krahinë etnografike, aq më tepër sot, që të pesë fshatrat e rrjedhës së sipërme të Lumit (Kuçi me fshat e Buronja, Kallarati, Bolena, Vranishti dhe Tërbaçi im (ish-komuna Horë) janë pjesë adminstrativo-territoriale e bashkisë Himarë. Thyhen në besim himariotët prapa malit, kur kuptojnë që ka shikim me dy standarde. Për himariotët e detit ka përparësi për turizmin dhe zhvillimin qytetar, krijohen mikroqendra urbane deri në Pilur e në Kudhës dhe shumë mirë veprohet. Edhe ne, patjetër që ndjejmë kënaqësi. Por, gjykohet se është mirë, që edhe himariotët prapa malit të shikohen me syrin e nënës, jo të njerkës. Banorët e këtyre fshatarve nuk ankohen shumë, pak kërkojnë, por nuk është mirë ta ndjejnë veten bonjakë nga qeverimi (si deri tani), nuk është e drejtë që janë edhe prapa liste, jo në ², por në ³. Nuk banojnë pesë çobanë në këto hapërisa, por njerëz vitalë, me vlera të larta humane, shumë të fismë, që durojnë shumë e besojnë shume tek fjala e burrit. Nuk janë të paduruar, si thonë ca, por… Janë sa të thjeshtë aq kryelartë e rebelë, me virtyte e cilësi të larta, që kur i ka thirrur historia kanë bërë emër të lartë dhe janë kthyer në simbole lirie e diturie.
Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me këto vargje, shkruar në Vlorë më 1 mars 2017, [botuar për herë të parë: gazeta “Telegraf”, e shtunë, 04 mars 2017, Viti XII i botimit, Nr. 49 (3459), f. 26]:
Rapsodi e vogël për Lajmin e Rrugës së Lumit të Vlorës
Nga Albert HABAZAJ
Tungjatjeta me diell nga Vlora, vajza e madhe e Lumit të Vlorës!
Kush na vlerëson, si ne, e mbajmë në pëllëmbë të dorës.
Njoftimi vjen entusiast, i shumëpritur, me kohë i merituar,
Se për liri e përparim si krahina jonë kush ka luftuar?!
“E ç’ kërkonte” labi i Lumit të Vlorës “në shekuj”,
Rrugën për të lëvizur me dinjitet, jo si të mekur,
Se të parët bënë histori, që djal’ pas djali,
Ta gëzojnë pasardhësit e tyre dhe jo djalli,
Se Lumi i Vlorës qe me nam, Vatra e Idealit,
Jo të mirrte mallkimin e Çikës e Kurorës së malit.
Po, këtyre hënave, lart Vlore thuhet në fjalë:
Notari duket jo kur futet në det, por në të dalë.
Lajmi është i gëzuar, na bën me krahë shqiponje,
Pastë uratën e trimave kush i kthen nderin kësaj Zone!
Nderojmë ata që na nderojnë Vatrën!
[1]
) Zojzi, Rrok: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2”, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008, f. 1442;
Zojzi, Rrok: “Etnografia shqiptare, 1”, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, 1962, f. 56, 58-61.
[2]
) Trushaj, Aleks: “Gjurmë të prehistorisë në rrjedhën e sipërme të Shushicës”. Shih: “Vlora në rrjedhat e kohës: Konferencë shkencore”, Tiranë, Toena, 2001, f. 45.
[3]
) Rrapaj, Fatos Mero: “Mbledhës të folkorit, vëll.8, Këngë popullore të Labërisë”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RSH, Instituti i Kulturës Popullore, 1991, nr. 695, f. 772.
Publikuar ne VOAL