Rrëzimi i aktit normativ për nëpunësin civil, Kushetuesja zbardh vendimin

15

gjykataGjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin për rrëzimin e aktit normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se urgjenca “thjesht subjektive” e Qeverisë nuk mund të justifikojë përdorimin e institutit të dekretligjeve: ndonëse Qeveria ka një hapësirë të gjerë diskrecionaliteti, nevoja dhe urgjenca janë koncepte që nuk janë imune nga kontrolli kushtetues në kontekstin e kufizimeve të vendosura nga Kushtetuta.

Nisur nga vlerësimet e mësipërme, Tribunali Kushtetues spanjoll ka shfuqizuar dekretligje për mungesë të urgjencës, duke evidentuar se akti mund të ndiqte rrugën normale të aprovimit të ligjit, mbi arsyetimin se arsyet “teorike dhe abstrakte” nuk justifikojnë një situatë të jashtëzakonshme dhe urgjente nevoje (shih vendimin nr. 68, datë 28.03.2007 të Tribunalit Kushtetues spanjoll). Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se aktet normative mund të përkufizohen si instrumente ligjore të miratuara nga qeveria, bazuar në parashikimet kushtetuese, të cilat i njohin pushtetit ekzekutiv kompetencën për të zgjidhur situata të veçanta, subjekt i mbikëqyrjes së rreptë parlamentare. E drejta e pushtetit ekzekutiv për të ushtruar autoritet me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit duhet të justifikohet në çdo rast me praninë e rrethanave të veçanta që e bëjnë të nevojshëm miratimin e rregullimit urgjent. Situatat e jashtëzakonshme, të cilat përcaktojnë legjitimitetin kushtetues të këtyre akteve qeveritare, përkufizohen në raport me nevojën dhe urgjencën e zgjidhjes së një situate, natyra e veçantë e së cilës nënkupton se duhet të merren masa të menjëhershme nëse duhet parandaluar një rrezik serioz publik” thuhet në vendim.

 

Sipas, Kushtetueses situatat e jashtëzakonshme shprehin një shkallë të madhe devijimi nga e zakonshmja, prandaj për plotësimin e kërkesave të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës është e nevojshme ekzistenca e një situate faktike objektive, e përcaktueshme, e pavarur nga vullneti i Qeverisë, e cila vë në rrezik interesin publik.

“Situata e jashtëzakonshme duhet të ketë karakter objektiv, çka nënkupton se prania e saj nuk varet nga vullneti i Qeverisë, i cili, në të tilla rrethana, kushtëzohet nga nevoja e reagimit të menjëhershëm, më qëllim mbrojtjen e interesit publik, me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit, kurse urgjenca e këtyre rregullimeve mund të rezultojë nga justifikimet e paraqitura nga Qeveria në debatet parlamentare mbi ligjin që miraton aktin qeveritar. Situatat e jashtëzakonshme duhen dalluar nga situatat e nevojës absolute që passjellin një rrezik të madh për sistemin kushtetues ose për rendin publik dhe liritë publike. Kushtetuta, në nenet 84/3 dhe 170-176 ka parashikuar institutin e masave të jashtëzakonshme, të cilat vendosen për shkak të luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjasin për aq kohë sa zgjat kjo gjendje” thuhet më tej në vendim.

Në përfundim, Gjykata, vlerëson se, nisur nga natyra përjashtimore e kompetencës së Këshillit të Ministrave në nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit, në respekt të hierarkisë së burimeve të së drejtës, të kërkesave që burojnë nga parimi i ndarjes dhe balancimit midis pushteteve dhe vlerave mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës, para së gjithash, kufijtë e diskrecionalitetit që ka Qeveria, në vlerësimin e situatës së jashtëzakonshme dhe të nevojës urgjente, përcaktohen dhe i nënshtrohen kërkesave kushtetuese dhe kufizimeve përkatëse. Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka miratuar Kuvendi.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 132 të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

V E N D O S I:

–  Pranimin e kërkesës.

– Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të Këshillit të Ministrave nr.5, datë 30.09.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 ‘Për nëpunësin civil’” dhe të ligjit të Kuvendit nr.161/2013 “Për miratimin e aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013”.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.