Reuters: E majta drejt fitores së thellë

60

Rama-Voton1Fitorja e bindshme e opozitës pasqyrohet edhe në mediat e huaja. Agjencia Reuters shkruan sot se ndërsa votat vijojnë të numërohet, rezultatet e para flasin për rreth 84 mandate të fituara nga e majta.

“Opozita e majtë në Shqipëri i kërkoi kryeministrit Berisha të pranojë humbjen, pas asaj që duket si një fitore e qartë e saj. Partia e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës thotë se kur janë numëruar më shumë se 20 për qind e votave, aleanca pritet të marrë më shumë se 80 vende në Parlamentin e ri. Nuk pati asnjë deklaratë nga Berisha dhe demokratët, të cilët gjithashtu pretenduan për fitore që në minutat e para pas mbylljes së kutive të votimit.

Projeksionet e para zyrtare tregojnë se socialistët mund të marrin afërsisht 84 mandate, ndërsa demokratët 56”.

Reuters: Zgjedhjet në Shqipëri, dhunë dhe situatë anormale për një vend të NATO-s

Procesi i votimit dhe incidenti i rëndë që ndodhi në hapje të tij në Laç është pasqyruar edhe në mediat e huaja. Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan në faqen e saj online se situata nuk është normale për një vend anëtar të NATO-s.

“Një aktivist u vra dhe një politikan u plagos gjatë një shkëmbimi zjarri gjatë procesit të votimit, i cili po vëzhgohet nga aleatët perëndimorë, duke rritur shqetësimin për demokracinë në vendin anëtar të NATO-s. Opozita pret fitoren, çka do t’i hiqte mundësinë e një mandati të tretë dhe të paprecedent kryeministrit Sali Berisha. Por rreziku i një rezultati të kontestuar është rritur për shkak të numrit të pamjaftueshëm të anëtarëve të KQZ, i cili nuk mund të certifikojë rezultatin.

Ngjarja në Laç rrit frikën e konfrontimit në vendin e polarizuar mes demokratëve të Berishës dhe socialistëve të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, pasi dhuna elektorale është një fenomen me precedent.

Që në vitin 1991, Shqipëria nuk ka mbajtur zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme dhe një dështim tjetër do të reduktonte ambiciet e vendit për t’iu bashkuar vendeve të BE-së.

Në Laç, një aktivist i opozitës u vra dhe një kandidat për Partinë Demokratike u plagos. Policia tha se është qëlluar me katër armë të ndryshme.

Berisha, një ish-kardiolog, dënoi dhunën. “Votova  44, preka fatin dhe ndjeva një kanqësi të veçantë një ndjenjë që s’e kam përjetuar më parë”, tha ai pasi votoi.

Sondazhet flasin për një diferencë të ngushtë në avantazh të socialistëve të 48-vjeçarit Rama, i cili është në aleancë me një parti të vogël të majtë, e cila ishte më parë në koalicion me Berishën. Rama i humbi zgjedhjet e vitit 2009, çka pasoi me një protestë ku forcat e sigurisë vranë katër persona.

Berisha ka dominuar në jetën politike shqiptare që prej rënies së sistemit stalinist. Në moshën 68-vjeçare, një humbje në këto zgjedhje do të thoshte fund i karrierës së tij politike. Ramma tha sot në Laç se vrasja ishte një përpjekje për të frikësuar njerëzit dhe për t’i mbajtur larg kutive të votimit.

“U bëj thirrje njerëzve të votojnë, sepse një veprim që kërkon vetëm pak minuta kohë do të jetë vendimtar për katër vitet e ardhshme”, tha ai.

Të drejtën e votës në Shqipëri, duke përfshirë edhe emigrantët që jetojnë jashtë vendit, e kanë 3.27 milionë persona. Ky numër është më i madh se ai numri aktual i popullsisë 2.8 milionë banorë.

Qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 19:00. Rezultatet zyrtare priten në darkë vonë, por sistemi i numërimit në zgjedhjet e shkuara ka dëshmuar vonesa dhe mosnjohje rezultati.

Rama i ka tërhequr tre përfaqësuesit e tij në KQZ-në me 7 anëtarë, pasi qeveria përzuri nga ky komision një anëtar të partisë që ndryshoi koalicionin.

Socialistët dhe demokratët e Berishës nuk ndryshojnë shumë në pikëpamjet për integrimin e vendit në BE apo politikat properëndimore. Por marrëdhënia e tyre kontradiktore nuk e bën të lehtë qëndrimin e Brukselit dhe aleatëve të NATO-s ndaj politikës shqiptare.

Bashkimi Europian është shprehur se zgjedhjet janë një test krucial para se Shqipëria t’i afrohet bllokut 27-vendësh, pjesë e të cilit Kroacia do të bëhet në korrik. Shqipëria aplikoi për t’u anëtarësuar katër vite më parë, por ende nuk është bërë kandidate për anëtarësim.

Qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje do të përballet me efektet e krizës së eurozonës në ekonomi, në një kohë kur rreth 1 milion shqiptarë punojnë në Itali dhe Greqi, dy vende të prekura nga kriza. Ndërsa Shqipëria ka shmangur deri tani recesionin, remitancat kanë shënuar rënie, kurse borxhi publik dhe deficiti buxhetor janë rritur”./Dita/