Raportuesi për Shqipërinë në Bundestag:KQZ të funksionojë me kapacitete të mjaftueshëm

21

kiesewetter-roderichRaportuesi për Shqipërinë në komisionin e jashtëm parlamentar gjerman, Roderich Kiesewetter ka deklaruar  testi më i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë është një parlament funksional dhe një qeveri me besueshmëri dhe e fortë.

Ndërsa i është referuar situatës zgjedhore në Shqipëri,  Kiesewetter është shprehur optimist  që ecuria e zgjedhjeve parlamentare këtë herë në Shqipëri do të jetë pozitive.

“Mendoj se të gjitha partitë politike që konkurrojnë për të qenë pjesë e parlamentit kanë një interes të madh që zgjedhjet këtë vit të jenë të ndershme dhe transparente, dhe nuk kam dyshim që kështu do të ndodhë. Por pas kësaj duhet filluar pa vonesë nga puna. Funktionaliteti i parlamentit, administrata publike, shteti i së drejtës, luftimi i korrupsionit, por edhe luftë intensive kundër kriminalitetit të organizuar duhet të jetë në interes të parlamentit dhe qeverisë së re. Ne kemi interes të madh që Shqipëria të marrë mundësisht shpejt statusin e vendit kandidat. Po qe se populli është i vetëdijshëm për këtë, por edhe parlamenti atëherë ndodhemi në rrugën e duhur” tha ai.

I pyetur nëse në Shqipëri nuk do të ketë më zgjedhje të kontestuara, Kiesewetter ka theksuar se: “Po nuk mund të përfytyroj gjë tjetër veç asaj që vendi ka mësuar nga zgjedhjet e kaluara. Kam besim se kështu do të jetë, do të ishte për të ardhur keq nëse do të ndodhte ndryshe, sepse kjo do ta shtynte edhe më tej marrjen e statusit të vendit kandidat. Jam optimist që jo vetëm elektorati, por edhe personat përgjegjës për zhvillimin e procesit zgjedhor do të bëjnë ç’është e mundur që këto zgjedhje të jenë zgjedhje tërësisht të pranuara”.

Deputeti gjerman ka apeluar për plotësimin e vendeve vakante në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pas dorëheqjes së anëtarëve të opozitës.

“Unë do të apeloja tek personat përgjegjës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – i kemi ende pak javë kohë deri më 23. Qershor – që KQZ të funksionojë me kapacitete të mjaftueshme. Nuk duhet të jetë thjesht një komision legal, legjitim, por ai duhet të jetë i aftë të funksionojë. Por kemi edhe pak kohë, dhe unë mbetem me besimin që në fund të triumfojë arsyeja” tha ai.

I pyetur nëse Gjermani do të hapë dritën jeshile për marrjen e statusit për Shqipërinë pas miratimit të 3 ligjeve në Parlament, deputeti gjerman theksoi se kjo varet se si do të krijohet qeveria e re pas zgjedhjeve, nëse parlamenti i ri do të jetë funksional.

“Ne në Gjermani kemi vetë zgjedhje në shtator, kështu që nuk mund të flas për Bundestagun e ardhshëm, aq më pak për qeverinë e ardhshme gjermane. Por në parlamentin gjerman ka një simpati të madhe për të vlerësuar progresin e Shqipërisë – dhe po qe se zgjedhjet janë të mira dhe më pas qeveria e opozita e ardhshme bashkëpunojnë mirë me njëri-tjetrin atëherë nuk njoh argumenta të tjerë kundër” tha ai.

I pyetur nëse mosmarrja e statusit është një ndëshkim për klasën politike shqiptare, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin gjerman u shpreh se nuk bëhet fjalë për ndëshkim, por thjesht për respektimin e kritereve.

“Dhe kur këto kritere duhen përmbushur nga çdo vend, së fundmi nga Kroacia, nuk mund të bëhet asnjë përjashtim. Shqipëria e ka vetë në dorë statusin. Por mendoj se tani që është bërë më se e qartë se statusi kandidat vjen kur të përmbushen kriteret, është për këdo transparente dhe e kuptueshme se kjo është një zgjidhje e mirë. Kjo është kuptuar edhe në Shqipëri. Edhe nga udhëtimet e mia në Shqipëri e di se me sa seriozitet punohet nga parlamenti, nga kryetarja Topalli  dhe jam i gëzuar që më fund opozita dhe qeveria veprojnë më pa emocione se para një viti. Po qe se kjo frymë vazhdon jam optimist për vjeshtën. Dua të theksoj se ne jemi konstruktivë, vetëm me kritikë nuk arrihet shumë” tha ai.