Në këtë takim, u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe Kinës, duke u përqendruar kryesisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë. Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse theksuan se ky bashkëpunim merr shkas nga partneriteti strategjik mes Bashkimit Evropian dhe Kinës dhe u shprehën të gatshëm për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim duke zhvilluar mbledhje të përvitshme të krerëve të qeverive dhe duke promovuar investime në ekonomi dhe tregti.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që viti 2014 ka për rajonin, si i pari vit që e gjen Ballkanin në paqe të plotë. Kryeministri Rama tha se ky moment i ri duhet shfrytëzuar për të bashkëpunuar sa më ngushtë me vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore për të nxitur investime rajonale, sidomos në fushën e transportit dhe energjisë.
Në këtë takim Kryeministri Rama shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, Ministri i Bashkëpunimit Ekonomik Arben Ahmetaj, si edhe deputeti Taulant Balla. Gjatë ditës së sotme Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale.