Rama: qeveria e ka izoluar Vlorën

58

11-maj-Edi-Rama-ne-VloreKryetari i PS, Edi Rama ka marrë pjesë në ceremonitë e zhvilluara nga Bashkia e Vlorës me rastin e çeljes së sezonit të ri turistik. Kryetari Rama ka përshkruar në këmbë bulevardin Vlorë-Skelë duke takuar dhe përshëndetur banorë të Vlorës, të cilët i  kanë shprehur mirënjohjen për faktin që ka zgjedhur Vlorën për të kandiduar në zgjedhjet e 23 qershorit. Në hyrje të Skelës, aty ku nis edhe rruga e re, shëtitorja e sapo përfunduar nga Bashkia e Vlorës, Rama është bashkuar me qytetarët vlonjatë dhe grupet popullore të ardhura nga gjithë vendet e rajonit, Kosova, Mali i zi, Maqedonia, madje edhe nga Polonia e Bullgaria për të qenë në këtë festë për qytetin bregdetar. Me gjithë mungesën e buxhetit nga qeveria qendrore Bashkia e Vlorës ka arritur të sigurojë financimet e duhura dhe të përfundojë në kohë rikonstruksionin e hapësirave publike në qendër të qytetit, të cilat do jenë shërbim të turistëve që do t’i drejtohen bregut të Jonit dhe qytetit të Vlorës për të pushuar këtë vit.

Në fjalën e tij Rama tha se Vlora nuk ka pasur një qeveri që të mendojë për të në Tiranë, përkundrazi, ka pasur një qeveri që për vite me radhë e ka lënë Vlorën të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë.

’E ka lënë Vlorën ende pa rrugë që ta lidhë atë me Tiranën, me pjesën tjetër të Shqipërisë dhe me Kosovën. Sepse edhe Kosova e sheh Vlorën, ashtu siç e shikon gjithë Shqipëria, si kryeqytetin e shtetit shqiptar, si Kryeqytetin e Pavarësisë, si kryeqytetin e historisë, si kryeqytetin e atyre vlerave dhe atyre parimeve, e atyre idealeve dhe ideve që bën të nisë rrugëtimi i Shqipërisë së pavarur, i Shqipërisë së lirë, i Shqipërisë Europiane’’,- ka deklaruar Rama.

Lideri opozitar Rama theksoi gjithashtu, se do të bëjnë gjithçka që Vlora të kthehet në një pikë referimi për çdo turist, që të bëhet një vend ku të rinjtë dhe të rejat mos të kërkojnë të ikin për shkak të pamundësive jetësore. Se do të bëjnë ç’është e mundur për ta shpëtuar Vlorën nga izolimi qeveritar.

‘’Për t’i mbajtur këtu të rejat dhe të rinjtë që kanë pasur fatin të lindin në Vlorë, por që fatkeqësisht më shumë mendojnë sesi të ikin nga Vlora sesa ta ndërtojnë jetën këtu në Vlorë, për shkak të një mijë e një vështirësive, të një mijë e një kufizimeve, të një mijë e një pengesave që Vlorës i vijnë për vite me radhë nga qeveria e Tiranës. E cila, i ka kthyer shpinën Vlorës dhe jo vetëm kaq, por ka bërë çmos për ta penguar Vlorën që të shkojë përpara. Ka bërë çmos për të penguar që dhe ato projekte të bashkisë, edhe ato vepra të nisura nga Bashkia të vonohen sa më shumë. Ka bërë çmos që Vlora të vazhdojë të mbetet e izoluar. Ne do ta heqim izolimin nga Vlora’’,- deklaroi Rama.

Rama premtoi gjithashtu krijimin e një rruge që do të mundësojë lidhjen e Kryeqytetit të Pavarësisë me Tiranën. Ngritjen e një Plan Zhvillimi urban për Vlorën, rindërtimin e Sheshit të Pavarësisë, rrugën lidhëse me këtë shesh me shëtitoren, hapjen e kantierit te madh, i shëtitores që do të lidhë Skelën deri poshtë te Uji i Ftohtë. Heqjen e makinave nga bregu i Vlorës, duke u ndërtuar by-pass-in për të kaluar njerëzit, në mënyrë që të shëtisin kalimtarët. Mbjelljen vetëm në 4 vitet e ardhshme te 10 mijë pemëve të reja në Vlorë. Ndertimin e hapësirave publike, që Vlorës i mungojnë. Vlora do të shndërrohet në hapësirën e aktiviteteve kulturore jo thjesht shqiptare, por aktiviteteve kulturore ndërkombëtare. Do të caktohen ditë të posaçme kulture në Vlorë; kulture ballkanike, kulture mesdhetare, kulture europiane. Po projektohet që Vlora të shndërrohet në portën e Shqipërisë ndaj Mesdheut dhe Europës. Ndërtimet pa leje do të marrin fund gjithashtu në Vlorë, si edhe procesi i bathorizimit të Adriatikut dhe Jonit./al.bl/