Rama: Nuk ka shqiptar që i beson xhepin Saliut

57

29-maj-Rama-Kavaje-300x158Gjatë një mitingu elektoral në Cërrik, ku dhe prezantoi kandidatët socialistë për deputetë, Rama tha se zgjedhja në 23 qershor është e qartë, mes një pushteti në qafë dhe një qeverie socialiste që do të jetë në krah të qytetarëve.

“A ka shqiptarë t’ia besojë me xhepin e vet Saliut, dhe kësaj qeverie që ka 8 vjet që gërryen dhe shpon xhepat e shqiptarëve? Kanë zbrazur po ashtu edhe arkën e shtetit, për të përfituar në arkën e tyre! A ka shqiptarë që mund të besojë se me PD të katandisur në një parti familjare mund të ketë të ardhme për ekonominë, biznesin e vogël? A ka shqiptarë sot që të besojë se me këta mund të ketë shans të përmirësohet përkujdesi shëndetësor, apo arsimi?”- theksoi Rama.

Duke analizuar qeverisjen 8-vjeçare të kundërshtarit të tij politik, Rama nënëvizoi se Kryeminsitri e ktheu qeverinë e Shqipërisë në një kompani fitimprurëse biznesi ku të gjithë janë bërë të gjithë me toka, ndërkohë që shqiptarët akoma nuk kanë certifikatën e tokës së tyre.

“Sot më thanë që Saliu premtonte certifikata toke brenda fundit të këtij viti, kush është ai shqiptar që e ha këtë gënjeshtër, kur ky kishte 8 vjet kohë të jepte certifikatat e tokës. Në këto 8 vjet qeveria u kthyer në kompani biznesi, janë bërë të gjithë me toka, ndërkohë që qytetarët e ndershëm rropaten dhe tokën se kanë ende të tyren. Gjyshi me jelekun antiplumb thotë se do ju japë para në dorë për naftën fidanët, plehun kimik, për TVSH, por a ka shqiptar që mund t’ja besojë më xhepin e tij Saliut që ka 8 vjet që i gërryen dhe shpon xhepat e shqiptarëve? A ka shqiptarë sot më që mund të besojë se me Partinë Demokratike të katandisur në parti familjare mund të ketë të ardhme për biznesin e vogël, i premtuan se do ja përgjysmonin taksat në 2005, ia kanë trefishuar barrën e taksave”, tha kryesocialisti ndërsa premtoi se çdo familje nën qeverisjen e PS-së do të përfitojë certifikatën e tokës, nga sistemi i ri i taksimit dhe nga programi i PS-së për Bujqësinë.
Duke iu referuar kandidatit për deputet Musa Ulqini, Rama e cilësoi si një vlerë të shtuar dhe arsye më tepër që Cërriku të votojë numrin 29, Partinë Socialiste.

Pas Cërrikut, Rama sëbashku me skuadrën e tij të kandidatëve për deputetë e ka përmbyllur fushatën elektorale të së mërkurës në Gramsh. Duke iu referuar mitingut që pritet të ketë nesër në këtë qytet kryeministri Berisha, Rama nënvizoi faktin e përdorimit të administratës nga qeveria për të mbushur sheshet nën kërcënimin e vendit të punës apo të notës.

“Ja pse nesër shkollat e Gramshit do mbyllen, sepse nesër të gjithë mësues e nxënës, do përgjigjen, do vijnë nesër për ta mbushur këtë shesh me fëmijë të kapur rob, mësues e infermierë të kapur rob nga një pushtet që i kërcënon me bukën e gojës pasi ju merr paratë për t’i dhënë një vend pune, i merr zvarrë për të mbushur sheshet. Unë ju premtoj që kurrë më këto sheshe nuk do mbushen nga frika e pushtetit, nuk do ketë mësues, e mësuese, infermierë që do detyrohen në lënë karrigen dhe të shkojnë të brohorasin për qeverinë në mitingje dhe koncerte. Populli më 23 qershor do vendosë fundin e pushtetit të frikës, rrënimit dhe dëshpërimit”, tha ai.

Rama ka shkuar më tej në akuza në drejtim të Kryeministrit, ku deklaroi se qeveria që ai drejton po organizon fluturime falas me qëllim që studentët në Itali të vijnë këtu e të japin vota të diktuara.

“Ne nuk kemi asnjë dyshim se kë kemi përballë, por ne e dimë dhe duam ta dinë të gjithë shqiptarët se zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë një luftë gjelash ku njerëzit vënë baste, as zgjedhje ku njeri humbe tjetri fiton, por janë zgjedhje për të vendosur se në çfarë Shqipërie do jetojmë. Për të vendosur nëse e duan pushtetin në qafë, apo një qeveri në krahun e tyre. Nëse populli do vazhdojë të rropatet për të mbajtur në kurriz një grup njerëzish që u bënë miliarderë duke grabitur paratë e popullit, apo një qeveri që garanton se hallet tuaja do jenë hallet tona, për të dalë nga varfëria, për të mundur krimin, për t’i dhënë çdo shqiptari mundësinë për të jetuar me punën e tij të ndershme”, theksoi ai.