Rama nga Rrogozhina: Votoni Ps, kështu do të kuroheni falas

61

rama6Partia Socialiste ka udhëtuar sot drejt Rrogozhinës ku dhe ka prezantuar kandidatët për deputetë të këtij rrethi.

Kreu i PS, Edi Rama, ka ftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët, qofshin këta socialistë apo demokratë të votojnë për rilindjen, PS dhe aleancën e majtë, për ti hapur rrugë ndryshimit të vendit. Heqja e taksës së biznesit të vogël, legalizimi i shtëpive, marrja e çertifikatës për tokën, heqja e TVSH për ushqimet bazë dhe ilaçet, kanë qenë disa prej premtimeve të shefit të opozitës për qyetarët e Rrogozhinës.

“Çdo familje në Rrogozhinë që ka një njeri të sëmurë, nuk duhet të mendojë se kë duhet të votojë por të marrë fletën e votimit dhe ti vërë kryq PS-së dhe numrit 29, sepse vetëm kështu do të ketë mundësinë për tu kuruar falas. Çdo rrogëtar nuk duhet të mendojë se me kë është, por të heqi taksën e sheshtë duke votuar PS-në. duke votuar Partinë Socialiste ju keni mundësinë ti vini kryqin taksës së biznesit të vogël dhe të çoni më shumë lekë për familjet tuaja. Kush është i papunë nuk mund të rri dhe të ëndërrojë punë me Partinë Demokratike në pushtet,  por të shkojë dhe të pushojë Saliun nga puna, se vetëm kështu do të hapet rruga për punësimin.”

Socialistë dhe demokratë që keni ndërtuar një shtëpi, keni mundësi që përmes votimit të PS ti jepni vetes dokumentin që e bën shpinë tuaj pasuri të patundahme për ju. Dua të vazhdoj me ata njerëz të thjeshtë, të lodhur nga puna rraskapitëse në fshat që duke votuar PS ti jepni vetes çertifikatën e tokës. Dua të vazhdoj me të gjithë ata që janë të pafuqishëm përballë rritjes së çmimeve me votën pro PS bëni zero taksën për produktet ushqimore bazë dhe ilaçet. Të gjithë ata që punojnë me tokën do heqin akcizën e naftës, heqin taksën e qarkullimit, përgjysmojnë atë të farave. Në fund fare duke vendosur një kryq aty ku shkruhet PS, çdo njeri nga ju që jeton me një rrogë do ti ulë vetes taksën mbi fitimin dhe do vërë në jetë taksimin tonë të ndershëm që sjell më shumë se një rrogë në fund të vitit për policët, infermierët, mësuesit. PS do ulë taksat për 95% të shqiptarëve” deklaroi Rama.

Rama nuk ka lënë jashtë vëmendjes  edhe sigurinë, ku ka ripërsëritur betejën 300 ditore për të kthyer në normalitet  gjendjen.

“Krimi ka dalë nga zinxhirrët dhe ka marrë rrugët duke kërcënuar çdo individ, prandaj me votën për Partinë Socialiste ju votoni për Policinë e Shtetit, për ndryshimin, për sigurinë e individit dhe pronës, pasi ato do të jenë objektivi jonë kryesor. 23 Qershori është dita kur shqiptarët do të vendosin mes Shqipërisë së rrënuar apo rilindjes”, u shpreh Rama.