Al Bano Carrisi nderohet me Urdhërin “Gjergj Kastriot Skëndërbeu”

78

albano carrisiAmbasada Shqiptare në Romë i dorëzon Al Bano Carrisi urdhërin “Gjergj Kastriot Skenderbeu”. Çmimi u dorëzua nga sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Arben Idrizi. Evenimenti u organizua në një nga hotelet prestigjozë në Romë dhe u shoqërua me një koktejl.

Ambasadori Neritan Ceka, i cili ishte dhe iniciatori për këtë eveniment, fillimisht informoi mbi zhvillimet e fundit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, njohjet ndërkombëtare dhe progresin që Shqipëria po njeh çdo ditë e më shumë.

Al Bano, një nga figurat më të shquara në repertoin e muzikës italiane, falënderoi ambasadorin Ceka dhe i shprehu mirënjohjen e tij. Gjatë fjalimit të tij kujtoi babanë e tij Carmelo Carrisi që ka qenë ushtar në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore.

“Është nder për mua të marr medaljen ‘Gjergj Kastriot Skëndërbeu’”, tha Al Bano Carrisi për Albaniaplus, duke shtuar: “E kam vizituar personalisht Shqipërinë dhe më ka pëlqyer kultura e juaj. Tashmë marrëdhëniet italo-shqiptare po rriten çdo ditë dhe në Itali ndodhen  shumë artistë shqiptarë, të cilët me talentin e tyre kanë ditur t’i imponohen publikut italian dhe të jenë personazhe të njohura mediatike të spektaklit italian. Ndoshta këtë ndjenjë e kam të trashëguar nga im atë, i cili e donte popullin shqiptar, mikpritjen e tyre dhe bujarinë”.

Pjesmarrës në eveniment ishin  figura të njohura italiane edhe disa artistët shqiptarë, si balerini dhe aktori i njohur në Itali Kledi Kadiu dhe Olen Cesari violinist i shquar.

Këngëtari Al Bano Carrisi është një nga figurat më të njohura të televizionit italian, i cili ka trashëguar nga e ëma Iolanda një zë të jashtëzakonshëm. Një nga këngët e tij më të njohura “Nel Sole” e kënduar për herë të parë në vitin 1967, vazhdon të jetë e sot një nga këngët më të përzemërta për publikun italian. Albumet e Al Banos kanë fituar vendin e parë jo vetëm në Itali, por edhe në: Austri, Francë, Belgjikë, Gjermani etj. Al Bano ka marrë shumë çmime të rëndësishme, ku në Tokio ka fituar “Kawakami Award”, në Gjermani “Golden Europe”, çmin i cili i jepet artistit që ka mbajtur rekordin në shitjen e disqeve. Në vitin 1984 fitoi Festivalin e Sanremo me këngen “Ci sarà”,të cilën e këndoi me gruan e tij Romina Poëer. Pas tragjedisë së bijës së tij Ylenia, humbja e së cilës akoma është mister, Al Bano dhe Romina futen në një krizë që çoi në ndarjen e tyre në mars 1999, “Askush nuk mund ta imagjinojë se sa ishim të lumtur për 26 vjet”, deklaron Albano.

Al Bano vazhdon me karrierrën e tij dhe në vitet në vazhdim.  Merr pjesë në Festivalin e Sanremos në vitin 2009 me këngën “L’amore è sempre amore” dhe në Festivalin e Sanremo në vitin 2011 me këngën “Amanda è libera”, e cila mori vendin e tretë. Në muajin prill 2012 del libri i tij “ Io ci credo”, ku përshkruan jetën e tij fetare.