Rama nga Kashari: Berisha premton legalizime vetëm në fushatë

56

29-maj-Rama-Kavaje-300x158Në një bashkëbisedim me banorët e Kasharit, Rama ka akuzuar qeverinë për mashtrim total për legalizimet duke theksuar se Berisha kujtohet t`i kthehet premtimit të legalizimeve sa herë ka fushatë, por asnjëherë nuk e ka mbyllur problemin e banorëve.

“Kanë qënë 250 mijë, janë bërë 400 mijë. Jane 8% Shaban tapi që nuk i duhen dreqit, në hipotekë tapi janë më pak se 5%” tha Rama.

Rama i është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha për taksat, duke theksuar se Partia Socialiste  nuk ka thënë kurrë që do të heqë taksat, por do të heqë taksën e sheshtë dhe uljen e taksave për 95% të shqiptarëve.

“Nuk themi do i heqim taksat, por do i ulim taksat për 95% të shqiptarëve, e kush u thotë të kundërtën, është një personazh që e merr popullin për budalla dhe kërkon ta budallallepsi sa të mundet, duke treguar përralla me gogol dhe duke u përpjekur ta bëjë gogol opozitën, ai ka frikë nga gogoli por këtë frikë s’mund ta fusë në shpirtin e popullit, se populli e vuan politikën e taksës së sheshtë” tha Rama.

Rama i është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit se alternativa e PS-së është ajo e rikthimit të neobllokmenëve në pushtet duke thënë se : “Ai ka bërë xhiro me varkën e bllokut e flet për bllokmenë, ai xhiro me varkën e bllokut e flet për NATO-n, sikur e themeloi ai NATO-n, ai 25 vjet sekretar partie ka bërë luftë me NATO-n”.

Kreu i PS-së gjithashtu bëri apel qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 23 qershorit. “Kur e keqja e sundon një popull nuk është faji i popullit por është faji i të mirëve që nuk bëjnë asgjë.  Gjithkush duhet të bëjë në këto zgjedhje detyrën e tij patriotike dhe të votojë, dhe mos të shkojë vetëm por edhe me një tjetër që nuk ka votuar herën e kaluar” tha Rama.

Kryesocialisti Rama u kërkoi qytetarëve të votojnë për interesat e tyre personale dhe jo për t`ia dhënë votës një partie si pasojë e besnikësisë që ka ndaj saj.

“Besnikëria qorre ndaj partisë është katastrofike n.q.se partia në qeveri nuk punon për ty dhe nuk të shërben ty. Prandaj voto për veten dhe për interesin tënd.  Nuk është çështja kush do fitojë Saliu apo Edi. Ne nuk jemi në një luftë gjelash se kush gjel do fitojë. Ne jemi në dy rrugë, ose vazhdo rrugën e rrënimit ose voto PS-në për të vijuar rrugën e rilindjes dhe për të na vënë në provë” tha Rama.