Rama nga Bushati: Fshati do dalë nga varfëria me ne

58

rama njerezNga Bushati kryesocialisti Rama theksoi se PS-ja ka në programin e saj mirëqënien e qytetarëve dhe dhëninen e certifikatës së tokës.

“Ne nuk kemi ardhur këtu dhe asgjëkund nuk shkojmë për të premtuar mrekullia. Ne kemi ardhur këtu për t’ju  thënë se kemi një program për ta rilindur Shqipërinë, kemi një program për ta rilindur fshatin. Kemi një program për t’i dhënë çdo shqiptari mundësinë që të jetojë me punën e tij të ndershme dhe falë punës së ndershme të bëjë lekë. Kemi një program për t’i dhënë mundësinë çdo familje që jeton në fshat të dalë nga varfëria duke pasur shtetin në mbështetje, duke pasur shtetin në mbrojtje, duke pasur shtetin në aleancë të ngushtë për prodhimin për shitjen e prodhimit, për shërbimet dhe për mirëqenie. Kemi një program për t’i dhënë mundësi çdokujt që jeton me tokën që të marrë certifikatën e tokës, që ka 20 vjet që ua mohon Saliu dhe partia e tij familjare. Për të marrë certifikatën e tokës për të qenë zotër në tokën tuaj dhe pastaj për të marrë atë mbështetje që ju duhet që kostoja e prodhimi të ulet dhe që puna me tokën të sjellë para, të sjellë mirëqenie.Ne e kemi shumë të qartë se çfarë duhet bërë që toka më në fund toka në Shqipëri të prodhojë mirëqenie dhe jo mbijetesë. E kemi shumë të qartë se ju s’mund të vazhdoni dot më tutje me çmimin e naftës që sot për bujqësinë është njësoj si për mercedesin” tha Rama.

Rama premtoi se brenda 300 ditëve të para të qeverisjes do rivendoset ligji dhe policia e shtetit do t`i kthehet qytetarëve për t`i shërbyer dhe për t`i mbrojtur ata.

Më tej kryesocialisti Rama theksoi se  Partia Socialiste do të bëjë të mundur plotësimin e ëndrave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar.

“Ne sot nuk jemi këtu për t’ju treguar përralla. Përralla tregon gjithë ditën gjyshi me antiplumb. Ne jemi këtu për t’ju thënë disa të vërteta të thjeshta; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan rilindësit tanë; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata që ndërtuan shtetin shqiptar; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi; Shqipëria mund të bëhet ashtu siç e ëndërruan edhe ata që u përndoqën, u burgosën, u pushkatuan për votën e  lirë, për fjalën e lirë, për sipërmarrjen e lirë, për një atdhe të lirë; Shqipëria mund të bëhet. Ne do ta bëjmë Shqipërinë” tha Rama.

Rama theksoi se banorët e Bushatit po i japin sot një mesazh të fortë kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit.

“Në këto territore që deri dje kanë qenë besnikërisht me PD, hegjemonia e tyre ka marrë fund dhe pushteti i tyre do të marrë votën e ndëshkimit për një rrënim të vazhdueshëm, që nuk mund të vazhdojë më. Sepse shqiptarët nuk mundet më të mbajnë në kurriz një pushtet i cili flet gjithë ditën për ta dhe punon gjithë ditën për vete. Një pushtet i cili premton dhe gënjen, premton dhe zhgënjen, premton dhe harron” tha Rama.

Kreu i PS-së në përfundom të fjalës së tij theksoi se me votën e shqiptarëve në 23 qershor do t`i jepet fund një një historie të një qeverisje të bazuar në shpifje dhe akuza dhe do të ndërtohet një qeveri që është ndërtuar prej qytetarëve.

“Në 23 qershor ne me votën tuaj do të marrim përsipër ta nxjerrim këtë vend nga varfëria, do marrim përsipër ta ndalim rrënimin dhe ta ndalim papunësinë duke filluar punën për punësimin real të njerëzve. Do të marrim përsipër ta lehtësojmë biznesin e vogël nga taksa dhe t’i japim biznesit të madh mundësinë që të zhvillohet dhe të rritet. E, mbi të gjitha me votën tuaj ne do t’i japim fund një historie të dhimbshme ku çdo e drejtë është mall. Drejtësia është mall, shëndetësia është mall. Mund të kesh të drejtë sa të duash po nuk pate lekë nuk ke të drejtë se ta blen të drejtën tjetri. Mund të kesh nevojë për kujdes shëndetësor, po s’pate lekë mos u sëmur thotë Saliu se s’kemi mundësi për të të ndihmuar, po u sëmure shko gjej doktorin” shtoi Rama.