Rama në Kopenhagen takim me Kryeministren daneze

63

rama-danezKreu i PS, i shoqëruar nga deputetët Ermonela Felaj dhe Ditmir Bushati është duke zhvilluar një vizitë pune në Danimarkë, ku takimi kryesor ka qenë ai me kryeministren e këtij vendi. Në këtë takim është diskutuar lidhur me domosdoshmërinë e Integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane, një integrim që sipas kryesocialistit Rama nuk mund të vijë në mënyrë mekanike thjesht duke miratuar ligje të cilat më pas postohen drejt Brukselit, por duke kryer reformat e duhura, duke zbatuar legjislacionin dhe duke i dhënë qeverisjes standardet demokratike evropiane për të cilat ka aq shumë nevojë populli shqiptar.

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet e lira e të ndershme si parakusht themelor për këtë integrim kanë qenë argumentet kryesore për të cilat është diskutuar në takimin midis kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryeministres së Mbretërisë së Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, të zhvilluar sot në Kopenhagen.

Në këtë kontekst një vend të rëndësishëm zë zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat Partia Socialiste ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm, por që nuk ka gjetur të njëjtin reflektim edhe nga ana e qeverisë.

Po ashtu në takimin mes kryesocialistit dhe kryeministres daneze është diskutuar për pozicionin e Shqipërisë në rajon dhe projektin e PS të detajuar në Programin për një Rilindje Shqiptare për të forcuar bashkëpunim rajonal në kuadër të integrimit në BE, larg retorikave nacionaliste që nuk ndihmojnë asnjë nga vendet e Ballkanit perëndimor dhe as të ardhmen e këtij rajoni.