Rama letër partive: Mbështetje Thaçit për çmimin “Nobel”

48

ramaKryeministri Edi Rama u ka nisur një letër partive politike që të mbështesin kandidaturën e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për Çmimin Nobel. Sipas tij Thaçi bashkë me Baroneshën Ashton dhe kryeministrin e Serbisë Daçiç  janë protagonist të një marrëveshje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit.

“Në emër të Partisë Socialiste dëshiroj t’ju ftoj të kontribuojmë së bashku në mbështetje të kandidaturës për Çmimin Nobel të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, që së bashku me kandidaturën e përfaqësueses së lartë të BE-së Baroneshës Chathrine Ashton dhe atë të Kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç, vlerësohen si protagonistët e një marrëveshje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit tonë duke i dhënë fund historisë së gjatë të konflikteve në rajonin ku jetojmë.”- shkruan Rama.

“Përgjatë një procesi sa të domosdoshëm për të ardhmen aq dhe të vështirë për të shkuarën Kryeministri i Kosovës tregoi largpamësi të guximshme dhe vendosmëri të madhe në dobi të interesit të lartë kombëtar por edhe në dobi të një bote më të mirë. Marrëveshja e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë ishte siç e cilëson me të drejtë Baronesha Ashton “ një hap më larg nga e kaluara dhe një hap më afër Europës” për të dyja vendet. Prandaj për këtë kontribut kaq të rëndësishëm për krejt Europën Juglindore le të bashkojmë edhe ne zërin tonë me promovuesit e kësaj ideje.”- vijon më tej letra e Ramës.

Rama propozon ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh që të hartojnë letrën e Kuvendit të Shqipërisë drejt Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel.

“Ja pse ju propozoj ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare për hartimin e letrës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland në mbështetje të kandidaturës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si Çmim Nobel për Paqen. Gjithashtu le ti kërkojmë mbështetje grupeve respektive politike në Parlamentin Europian , në asambletë Parlamentare të Këshillit të Europës, OSBE e me radhë organizatat e tjera me të cilat partitë tona bashkëpunojnë për tu shprehur në favor të nismës që promovon si kandidatë për Nobelin për Paqen protagonistët e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë.”