SHISH asnjë informacion mbi terrorin e tritolit, shumica kërkon riformatim

13

komisioni i siguriseNë mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare shumica në pushtet ka akuzuar SHISH, se nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me ngjarjet kriminale të ndodhura kohët e fundit në vend ndërsa opozita i ka cilësuar këto si sulme që shumica po i bën një institucioni të pavarur. 

Ndërkohë pas publikimit të fakteve në emisionin “Alarm” për mënyrën e rekrutimit të anëtarëve të Shërbimit Informativ Shtetëror, mazhoranca ka kërkuar riformatimin e këtij institucioni.

Deputeti i PS-së Pjerin Ndreu theksoi dje për mediat se rishikimi i skemës së funksionimit të SHISH është i domosdoshëm.

“ Fakti që SHISH deri tani nuk ka absolutisht një informacion të dhënë për një fluks ngjarjesh kriminale që kanë shqetësuar opinionin publik është tepër shqetësuese që do të thotë se diçka nuk funksionon në atë institucion dhe na bën ne të mendojmë se duhet rishikuar skema e funksionimit. Media ka nxjerrë fakte shqetësuese që kanë të bëjnë me rekrutimin e personelit e viteve 92-97, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e personelit pa kursin bazë të SHISH, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e drejtuesve pa çertifikatë sigurie” deklaroi dje deputeti socialist Pjerin Ndreu.