Rama letër Bashës, Idrizit, Mediut dhe Ndokës

47

edi-rama-sotKryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama u ka drejtuar sot një letër kryetarëve të partive të opozitës, ku u kërkon konsensusin për ligjin e “Nënpunësit Civil”.

Rama ka shkruar se është i gatshëm që t’i takojë ata drejtpërdrejt për të zgjidhur këtë ngërç.

Më poshtë paraqitet letra e plotë e kryeministrit.

Drejtuar: Z. Lulzim Basha; Z. Shpëtim Idrizi; Z. Fatmir Mediu; Z. Leonard Ndoka

 Të nderuar drejtues të opozitës,

 Dua t’ju rishpreh përmes kësaj letre, vullnetin e 23 qershorit, për dialog të vazhdueshëm dhe jam gati të takohem me Ju drejtpërdrejt, lidhur me ligjin 152/2013 “ Për Nëpunësin Civil”.

” Shumica parlamentare dhe qeveria e re e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: ta bëjnë të zbatueshëm ligjin në fjalë që jo vetëm sipas nesh, por edhe sipas asistencës teknike evropiane, është i pazbatueshëm në mungesë të akteve nënligjore të domosdoshme.

Ne kemi zgjedhur rrugën e aktit normativ, si atë më të përshtatshmen.  Nga ana Juaj, s’kemi arritur të dëgjojmë ende asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore, por jemi të hapur t’Ju dëgjojmë deri në fund për një zgjidhje përtej konsensusit kushtetues.

 Ja pse, për të dëgjuar çdo argument të opozitës dhe ballafaquar me Ju qetësisht, arsyet e shumicës parlamentare për të shtyrë me një akt normativ efektet e Ligjit “Për Nëpunësin Civil”, u’a lë ju të zgjidhni ditën e hëne, të martë apo të mërkurë për një takim mes nesh – nëse natyrisht kjo ftesë përputhet me dëshirat e me interesat Tuaja.

Ne kemi marrë një zotim, të cilit do t’i qëndrojmë deri në fund: me ne në qeverisje, opozitës s’do t’i mungojë në asnjë prej hapësirave për të luajtur rolin e vet dhe asnjë prej mundësive për dialog mes të barabartësh me Qeverinë.

Me respekt,

Edi Rama