Rama: Kemi plan të detajuar për punësimin

57

945416_10151456940046523_1411267374_nKreu i PS-së, Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentë në Gjirokastër ngriti shqetësimin e licensimit pa kriter të universiteteve private që sipas tij po prodhojnë diploma që nuk vlejnë, pasi edhe pse përfundojnë studimet e larta shumë të rinj janë të papunë. Kryesocialisti, tha se zgjidhja është hedhja e hapit të parë drejt arsimit profesional, pasi sipas tij në treg mungojnë specialistë për fusha të veçanta.

Rama duke iu përgjigjur interesit të studentëve theksoi se të luftosh korrupsionin më parë duhet të ndërtosh shtetin.

“Besoj se korrupsioni është alternativë e tmerrshme. Që të luftosh korrupsionin duhet t’i bësh shtetin dhe shërbimet e shtetit më efektivë. Korrupsioni lulëzon aty ku sistemi e lejon dhe për ta luftuar duhen ndërtuar sisteme që e bëjnë korrupsionin të palejueshëm. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit”, vlerësoi Rama.

“Ne jemi kundër arsimit privat, por e konsiderojmë si alternativë konkurruese përballë sektorit publik, por jo në këto shifra”, shtoi ai.

300 mijë vende të reja pune, premtoi Rama gjatë 4 viteve të para në pushtet, teksa akuzoi qeverinë se ka kthyer në instrument të saj INSTAT me qëllimin prodhimin e shifrave jo reale.

‘Kemi plan të detajuar për punësimin. Programi ynë është dokument i gjerë, por në sintezën e tij e fillojmë me punësimin. Synojmë që të krijojmë 300 mijë vende të reja pune në 4 vite, vende pune jo statistika të manipuluara sië janë shifrat e kryeministrit. Pasi vetë INSTAT varet nga kryeministri në fund të vitit 2012 nxori se shqiptarët humbën 51 mijë vende pune, dhe u fik web-site dhe me pas dolën vetëm 8 mijë vende pune. Berisha thotë gënjeshtra pas gënjeshtre dhe ngatërron shiritat e rrugëve me Gjirokastrën”, tha Rama.