Berisha: Rama e shndërroi parlamentin në një stallë kafshësh

15

May-21-21-59-46foto8Kryeministri Berisha ka qenë dje në Lezhë për një tubim elektoral, ku ka sulmuar sërish opozitën socialiste dhe liderin e saj Rama. Ai e konsideroi liderin opozitar, një piktor të dështuar nga selia mavi, që kërkon të nxjerrë teorinë e Shqipërisë së gënjeshtërt. Ai e akuzoi Ramën se ka marrë peng statusin e vendit kandidat, për ligjet dhe se e ka shndërruar parlamentin shqiptar në një stallë kafshësh dhe jo deputetësh.

‘’Në parimet tuaja nuk ekzistojnë qëndrime antieuropiane. Ato qëndrojnë vetëm në mendjen, shpirtin e atij që ka uzurpuar kreun e Partisë Socialiste. Sot , i madh e i vogël, i djathtë dhe i majtë, pa parti, cilido qoftë konstaton se në selinë mavi ka lumenj fjalësh, ka lumenj shpifjesh, ka lumenj trillimesh dhe mashtrime, por nuk ka një gjë, nuk ka lider, nuk ka ide ,nuk ka vizion. Ky piktor i dështuar ka nxjerrë tani teorinë e Shqipërisë gënjeshtër. Sipas tij, shtëpitë që ju keni ndërtuar janë të gënjeshtërta, energjia që s’ndërpritet është gënjeshtër, rrugët e reja që inaugurojmë janë gënjeshtër, miliona turistë që vijnë janë të gënjeshtër. Po perse të dashur qytetarë të gjitha këto? Sepse ai jeton prej vitesh në autobusin mavi, me xhama të zeza dhe nuk sheh asgjë përreth.

Në një akt, më të papërgjegjshmin, në një akt që nuk e ka bërë kush në Evropë, Edi Rama mori peng statusin e vendit kandidat për ligjet. Ai pasi bëri gjithçka për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim asociimit, pasi futi në parlament  trumbeta, zile, këmbore  e bilbila, për ti thënë Evropës se parlamenti i Shqipërisë është një stallë kafshësh dhe jo deputetësh”,- deklaroi Berisha.

Lideri demokrat akuzoi gjithashtu liderin opozitar se ai ka bërë gjithçka për të penguar aderimin e Shqipërisë në NATO dhe për të bllokuar marrjen e vizave dhe se ka privuar shqiptarët nga miliona euro investime.

Ai bëri gjithçka, sajoi dhe trilloi të pengonte anëtarësimin në NATO, por dështoi. Ai bëri çdo gjë të shkelmonte mbi vizat tuaja që ju të mos lëvizni të lirë në Evropë, dërgoi me qindra letra dhe e-mail, mashtroi evropianët, u përpoq ti mashtronte se 800 mijë shqiptarë do të derdhen mbi ju, por dështoi. Me tre ligje që mbajte peng ti privove shqiptarët nga pasaporta e qytetarëve të vendit me status, për vend anëtar të BE. Ti privove fermerët shqiptarë nga dhjetëra e dhjetëra milion euro subvencione për fermat e tyre. Ti privove qytetarët shqiptarë nga dhjetëra e dhjetëra, milion euro investime për shkolla, spitale, ujësjellës, infrastrukturën e  tyre”,- theksoi Berisha./al.bl/