Rama: Jemi në dialog intensiv me BE-në

18

Kryeministri Edi Rama, pas kthimit nga Samiti i Sofjes ka deklaruar: “Jemi në një fazë dialogu intensiv për celjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Samiti i Sofjes i kushtohej konektivitetit sa i takon strukturës rrugore, dixhitale dhe natyrisht që nuk ishte një samit për temën që ne na intereson në mënyrë të veçantë, tha Rama.

“Patëm dy raste të rëndësishme, qoftë në mbledhjen e liderëve si dhe në drekën që e pasoi, në rastin e parë në një axhendë formale dhe në rastin e dytë edhe më të favorshëm sepse ishte bisedë e lirë. Pjesën e ‘luanit’ në drekën e liderëve, që ishte relativisht e gjatë, e mori kjo temë”, tha Rama, duke informuar mbi Samitin e Sofjes.

“Nuk përkon axhenda jonë e objektivave të mëtejshëm me axhendën brenda BE-së dhe reformimit, që është një axhendë në një situatë shumë kaotike, pasi ka qëndrime dhe qasje shumë të ndryshme dhe ka pak qartësi se si do të shkohet në rrugën e reformimit të BE-së”, komentoi Rama.