Rama thekson se, shqiptarët janë një popull proevropian, me destinacion të fundit, Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se në dhjetor të këtij viti Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe më pas do të vazhdojë të hedhë hapat për anëtarësimin e plotë. “Në këtë kontekst, një partner strategjik dhe një vend fqinj si Greqia, e cila do të marrë presidencën e radhës së BE në janar 2014, mund të luajë një rol kyç në përshpejtimin e “udhëtimit” të Shqipërisë për në destinacionin përfundimtar, në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri.
Rama nënvizoi bindjen e tij se, marrëdhëniet mes dy vendeve do të shënojnë një bashkëpunim të ngushtë në interes të secilit prej tyre. “Qeveria jonë e konsideron Greqinë një vend mik, ku punojnë një numër i madh shqiptarësh që nga viti ’90”, tha kryeministri shqiptar duke ripërsëritur se, politika e jashtme e qeverisë së tij mbështetet në parimin “zero probleme me fqinjët “.
Kryeministri shqiptar, duket i vendosur gjithashtu të lerë pas retorikën nacionaliste të atyre partive, që sipas tij, kërkonin ta përdornin dhe të përfitonin nga problemet e përditshme të shqiptarëve. “Aleanca Evropiane për Shqipërinë ka një program politik proevropian dhe jo nacionalist. Ne duam të shohim përpara dhe ta lëvizim gjeneratën e ardhshme drejt BE”, – ka siguruar kreu i qeverisë shqiptare.
Sa i përket faktit se për herë të parë që prej rënies së komunizmit në Shqipëri, minoriteti grek nuk është i përfaqësuar në qeveri, kryeministri i Shqipërisë siguron se partia BPDNJ mbetet një prej partnerëve strategjikë të PS dhe shpreh besimin se “kreu i saj Vangjel Dule me pjekurinë dhe përvojën e tij do të kontribuojë në menaxhimin e punës së Parlamentit, në postin e zëvendëskryetari të Kuvendit shqiptar”.
Lidhur me prioritetet e politikës së brendshme, Rama tha se ato lidhen “vizionin e integrimit evropian”. “Në axhendën tonë ambicioze për të nxitur ekonominë produktive dhe për sigurimin e 300 000 vendeve të reja të punës, një prioritet i rëndësishëm është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të rivendosim sigurinë për çdo familje shqiptare dhe do të ofrojmë një sistem universal të kujdesit shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët, qofshin të punësuar apo jo. Qeveria jonë do të shpëtojë fshatin nga kolapsi, do të sigurojë një sistem arsimor cilësor dhe në bashkëpunim me Kosovën, do të ofrojmë një paketë të plotë pushimesh në të katër stinët”, është shprehur Rama për agjencinë greke të lajmeve.