Rama: Frikë nga situata ekonomike në vend

47

rama profilKryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka treguar sot sesi nis puna për të, që në mëngjes. Ai ka thënë se çdo mëngjes ndodhet në tryezën e kryeministrit duke pritur njerëzit, fillimisht skuadrën e tij të vogël më pas ministrat dhe drejtorët, me të cilët diskuton zgjidhjet e problemeve. Rama ka qenë i ftuar në emisionin ‘7 pa 5’ te “Vizon Plus”, i cili kur është pyetur se cili ishte shqetësimi i tij i parë, ai është shprehur se, “Sa shpejt kalon koha”.

Rama ka folur ndër të tjera edhe për administratën e mbushur me femra. Ai ka thënë se femrat janë më pak të korruptuara dhe vajzat që ka zgjedhur kanë një ambicie të madhe.

Rama ka thënë se po punohet intensivisht që çdo shpenzim i çdo institucioni të bëhet online.

“Do bëjmë publik çdo shpenzim online dhe do të bëjmë filtrimin e të gjithë të dhënave drejtpërdrejt dhe do jepen të gjitha shpenzimet online të ministrive dhe institucioneve të tjera”, tha Rama.

Kur gazetarët e pyetën Ramën se nga çfarë ka frikë. Ai tha, nga asgjë. Por të vetmes gjë që i ndruhet është situata e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhet vendi. “Të papriturat dhe ato çka mund të gjej përpara nga vështirësitë ekonomike, janë të vetmet gjëra që i druhem. Kjo për shkak se mund të gjendemi në ndonjë emergjencë kombëtare dhe frika ka një emërues, që mos gjendemi të papërgatitur në këto situata”.

Rama ka folur edhe për integrimin e vendit, ai nuk ka dhënë një përgjigje të saktë lidhur me datën për marrjen e statusit në BE. “Statusi nuk është çështje date, rruga e integrimit nuk është rrugë që ne të shkojmë drejt Brukselit, por një rrugë brenda nesh, të ndërtojmë Shqipërinë Evropiane. Sfida e është zgjimi i një shteti krejtësisht të përgjumur”, tha kryeministri.

Ai ka thënë se do t’i mbajë premtimet edhe opozitës do t’u japë vendin që i takon në Parlament. Rama ndër të tjerë është pyetur edhe për lëvizjen e deputetëve të djathtë për t’iu bashkëngjitur koalicionit qeverisës. Ai ka thënë se nuk ka asnjë lloj informacion për lëvizjen Nard Ndokës. Rama ka shtuar se nuk është interesuar për këtë pjesë dhe interesi i vetëm që ka janë hallet dhe problemet e popullit.