I morën shtëpinë, vdes “rrugëve” e moshuara

48

durres-ambulanca-duke-transportuar-te-plagosurinE moshuara Sofie Qëndro, e cila së bashku me nipin e saj, Llazin 67 vjeç jetonte prej 6 javësh në një stol në lulishten pranë Bashkisë së Durrësit, u nda nga jeta ditën e djeshme.

Mësohet 87-vjeçarja pati një përkeqësim të gjendjes shëndetësore dje pasdite dhe u dërgua në spital për mjekim të mëtejshëm. Fillimisht, mjekët thanë se gjendja e saj pati një përmirësim, por dje në mbrëmje, rreth orës 22:00, Qëndro u nda nga jeta në spitalin rajonal të Durrësit.

Ajo së bashku me nipin e saj, jetonin në lulishten e bashkisë në mungesë të një strehë, pasi shtëpia ku jetuan për 70 vjet, kaloi nën pronësi të ish-pronarit. Ky i fundit i nxori nga banesa, duke i lënë fillikat në rrugë, vetëm me rrobat e trupit.

Në mungesë të strehës, dy të moshuarit përfunduan në lulishten e Bashkisë dhe ushqeheshin vetëm me pensionin e Llazit, nipit të Qëndros, pasi si për ironi të fatit, 87-vjeçares i kishin humbur dokumentet e pensionit.