Gjyqtarja i refuzon mbrojtjen shtatzënës, kërcënohej nga burri

48

violenza(1)Dhuna ndaj femrave mbështet në mënyrë të heshtur nga opinioni me indiferencë, por edhe me veprime e mosveprime. Edhe në gjykatë ku femrat presin drejtësinë, shpesh kartoni jeshil i mbrojtjes i jepet meshkujve. Mjafton një klikim në faqen e Gjykatës së Tiranës për të kuptuar realitetin tronditës të qëndrimit të gjyqtarëve tanë për të “mbrojtur” gjininë e dobët. Në pjesën më të madhe të rasteve konstatohet se gjykata vendos të pushojë kërkesën për urdhër mbrojtjeje, për shkak të mosparaqitjes së njërës palë, ku në të gjitha raste është femra që dorëzohet nga padia e saj. Ndërkaq, nuk mungojnë as rastet kur urdhri i mbrojtjes u mohohet femrave të dhunuara sepse “mungojnë provat”.

Dy rastet e gjyqtares Irena Hoxha

Dy raste flagrante, të siguruara për gazetën “Shekulli”, që mbajnë firmën e gjyqtares Irena Hoxha, tregojnë realitetin e dhimbshëm të vendimeve flagrante në raport me femrën. Rasti i parë është i shtetasit Ilir Mandri, i cili ndonëse në mungesë provash përfitoi urdhër mbrojtjeje nga togat e zeza kundër ish-bashkëshortes me inicialet I.M dhe vajzës së tij 14-vjeçare. Sipas vendimit të zbardhur gjyqtarja, Irena Hoxha aprovon një urdhër mbrojtjeje, duke u bazuar vetëm në “bindjen e saj të brendshme”. Në një kohë që në legjislacionin shqiptar termi “bindje e brendshme” nuk ekziston dhe nuk legjitimon marrjen e një vendimi. Brenda një hapësirë të shkurtër kohore vendimi i gjyqtares Irena Hoxha u rrëzua nga Gjykata e Apelit, pasi rezultonte i pabazuar në fakte dhe prova. “Në konsideratë të nenit 15/3 të ligjit nr.9669, datë 18.12.2006, kur nuk disponohen të gjitha provat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, gjykata nuk mund të lëshojë vendim urdhër mbrojtjeje bazuar vetëm në përshkrimin e rrethanave dhe fakteve, në të cilat është kryer dhuna në familje, duke e bazuar në bindjen e saj. Ndërsa rasti i dytë, i dhënë po nga kjo gjyqtare, është i një gruaje 7-muajshe shtatzënë, e cila kërkonte urdhër mbrojtjeje nga ish-bashkëshorti i saj i dhunshëm derisa të lindte. Kjo gjyqtare i mohon një gruaje shtatzënë mbrojtjen nga ish-bashkëshorti i saj.